Zgjedhjet në veri – ekspertët e sigurisë thonë se mund të shtyhen ose të mos mbahen fare

Ekspertë të sigurisë po vlerësojnë se zgjedhjet në veri mund të shtyhen apo edhe të mos mbahen fare, si shkak i presionit të vazhdueshëm nga Lista Serbe e grupeve në atë pjesë ndaj qytetarëve serb.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Ditët e fundit në këtë pjesë janë djegur disa vetura me targa RKS, që serbët lokal i kishin konvertuar pas kërkesës së Qeverisë së Kosovës. Madje u raportua se në Rashkë të Serbisë sipas AKI-së, po zhvillohen stërvitje që qëllim kanë destabilizimin.

Për këtë Drizan Shala, ekspert i sigurisë, po vlerëson se djegia e veturave është një mesazh për serbët të cilët e ndjejnë veten qytetarë të Kosovës.

“Çështja që është krijuar narracioni në Republikën e Kosovës dhe në pjesën veriore sa i përket mospjesëmarrjes së subjektit politik, Listës Serbe në zgjedhjet lokale më 23 prill dhe thirrjes së saj të fundit për rezistencë ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, kjo përbën dy shkelje të rënda sipas kodit penal dhe procedurës penale, pra është një rezistencë ndaj rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pikërisht këto djegie të veturave janë mesazh edhe për komunitetin serb në Republikën e Kosovës që e kanë përkrahur dhe mbështetur dhe e ndjejnë veten si qytetarë të plotë me të drejta të barabarta në këtë Republikë”.

Ai tha se në qoftë se tensionet rriten dhe rrugët bllokohen nga grupet e ndryshme atje, ka mundësi që të mos ketë zgjedhje fare.

“Nëse tensionet rriten dhe kemi bllokim të rrugëve sepse ka informacione relevante, se këto grupe të strukturuara tanimë të Millan Radoçiqi dhe para shtetërore të Beogradit zyrtar kanë bërë një iniciativë në pjesën veriore duke i thirrur qytetarët, rëndom të komunitetit serb në atë pjesë, por njëkohësisht edhe bizneset e ndryshme dhe makineritë e ndryshme të institucioneve në pjesën veriore që të fillojë bllokimi i rrugëve dhe kështu fare hiç të mos hyjmë në procesin zgjedhor, me datën 23 prill, por institucionet e Kosovës kanë marrë të gjitha masat adekuate dhe relevante sa i përket garantimit të mbarëvajtjes të proceseve zgjedhore”, tha Shala.

Njëjtë mendon edhe eksperti Nuredin Ibishi. Ai tha se të gjitha incidentet e krijuara deri më tani edhe bojkotimi i Listës Serbe janë të orekestruara nga Beogradi që synim kanë destabilizimin e veriut.

“Po gjithë kjo, gjithë këto tensione bëhen të orkestruara nga Beogradi dhe nëpërmjet ekstremistëve serb në veri, tash arrestimi i parë edhe tash aksioni plus i serbëve në këtë, pra i cili është i involvuar në këtë edhe nën hetime janë shumë të tjerë që ka të dhëna të mjaftueshme për pjesëmarrjen e tyre në këto akte, pra i kemi 8 vetura në Zubin Potok, në Mitrovicë të veriut, në Zveçan edhe Leposaviq, edhe normal edhe sulmin ndaj zyrtarëve policorë e tregon përshkallëzimin e tensionimit në kuptim që të pengohen zgjedhjet duke i bojkotuar njëkohësisht Lista Serbe në kohën e aplikimit mes 11 subjekteve tjera”, tha Ibishi.

Ibishi është i bindur se zgjedhjet do të shtyhen përkundër që reagimet nga aleatët ndërkombëtarë kanë qenë në favor të Kosovës.

“Po mendoj që prapë do të bëhet një zgjedhje politike domethënë me siguri po shpresoj që do të ketë shtyrjen përkundër asaj që ka pasur reagime të mira në favor tonin, do të thotë të lidershipit tonë edhe nga Bashkimi Evropian edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe kjo tregon një qëndrueshmëri edhe mendoj që edhe duhet të insistojmë mos të shtyhen mirëpo nëse eventualisht ka kërcënime për rendin dhe sigurinë e sidomos kur zgjedhjet do të jenë të qeta demokratike, atëherë jepet një mundësi që ato të shtyhen për një kohë të caktuar”, tha Ibishi.

Përderisa kryeministri Albin Kurti tha se penguesit potencialë të këtyre zgjedhjeve se do të përballen me forcën e ligjit. Në anën tjetër, nga presidenca e Kosovës kanë thënë se situata nuk është normale në veri shton Vela, por se ka një plan “B” për zgjedhjet.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri pritet të mbahen më 23 prill, kurse Lista Serbe si partia kryesore e serbëve të Kosovës ka bojkotuar këtë proces zgjedhor.

Zgjedhjet do të mbahen pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës.

Dorëheqje kanë dhënë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, Polici dhe Dogana të Kosovës.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share