Votuesit grekë luftojnë me krizën e jetesës

Përpara zgjedhjeve parlamentare inflacioni që rëndon mbi familjet greke është çështja kryesore që duhet të trajtohet nga partitë

Katërmbëdhjetë vjet pas një krize borxhi shumë familje greke sot po ndjejnë peshën më të madhe të inflacionit.

Niki Klaoudatou shprehet se shqetësohet më shumë për paratë tani sesa gjatë viteve më të këqija të rënies ekonomike të vendit.

Përpara zgjedhjeve të 21 Majit , kriza e kostos së jetesës është më e rëndësishmja në mendjet e votuesve. Për Klaoudatou kjo do të thotë të votosh për këdo përveç Demokracisë së Re konservatore në detyrë ose opozitës së majtë Syriza.

“Unë do të votoj për një parti të vogël, më shumë për të treguar se nuk jam e kënaqur me partitë më të mëdha. Edhe në periudhën e krizës financiare dhe kjo është ajo që është për të qeshur, atëherë nuk kam menduar të harxhoj një Euro shtesë, por tani do ta mendoj dy, tre herë dhe djali do të më kërkojë gjëra dhe unë do të them jo, nuk mund ta bëjmë këtë, ose nuk kemi para për këtë tani, ndoshta një herë tjetër. Po përpiqem të kuptoj se si do të shkoj fundi i muajit dhe jam e detyruar të lë pas disa gjëra, kjo është vërtet e trishtueshme”.

Tre paketa ekonomike shpëtimi e nxorrën Greqinë nga kriza e borxhit e një dekade që arriti kulmin në vitin 2015. Por masat shtrënguese të vendosura në këmbim të ndihmës financiare bëri që miliona grekë të përballeshin me një jetesë edhe më të vështirë pasi taksat u rritën dhe pagat dhe pensionet nuk pësuan rritje.

Që kur programi i saj i shpëtimit përfundoi në 2018, Greqia ka rifituar aksesin në treg, ka mposhtur borxhin e saj rekord dhe rritja e pagave dhe pensioneve po tejkalon mesataren e zonës Euro. Por për shumë njerëz, megjithatë, kjo kthesë është vetëm në letër.

Tani në moshën 40-vjeçare dhe punonjëse e një kompanie telefonike, Klaoudatou po fiton të njëjtat para 850 Euro në muaj po aq sa fitonte kur ishte punonjëse në një supermarket në 2004. Me dy fëmijë të vegjël dhe faturat ushqimore, e energjisë elektrike në rritje, ajo thotë se nuk mund të përballojë gjërat bazë.

“Do të doja të isha në gjendje të jetoja më mirë, të isha në gjendje të thosha, më kanë mbetur disa para dhe mund të shkoj diku me fëmijët e mi, mund të argëtohem, kjo do të ishte e mirë për mua, që mund të mund të për të jetuar rehat, jo vetëm për të mbijetuar”.

Klaoudatou, e cila ndan një apartament të vogël në periferi të Athinës me dy fëmijët dhe nënën e saj, ka parë rritjen e hipotekës së saj në 450 Euro në muaj, 100 Euro më shumë se një vit më parë. Shpenzimet i ndan me nënën e saj, e cila merr një pension mujor prej rreth 850 Euro por ende nuk ia del dot.

Ndërsa miliona njerëz në të gjithë Evropën po luftojnë me çmimet në rritje, veçanërisht për energjinë dhe ushqimin, trazirat financiare të dekadës së fundit kanë përforcuar krizën në Greqi.

“Inflacioni, megjithëse i ngjashëm me pjesën tjetër të Evropës, në fakt mund të jetë pak më i ulët, por do të vijojë. Në të njëjtën kohë qiratë po rriten dhe asnjë familje nuk po përballon asgjë. Greqia nuk ka qenë një vend me të ardhura të larta për 15 vitet e fundit, kështu që kjo tronditje po godet rëndë familjet”.

Një sondazh më 6 Maj tregoi se Demokracia e Re konservatore në pushtet do të merrte 36.9% të votave më 21 Maj, krahasuar me 30.4% për të majtën Syriza, rivalin e saj kryesor. Megjithatë, partitë më të vogla, përfshirë PASOK-un socialist dikur dominues, po fitojnë gjithashtu terren.

“Qeveria ka marrë një sërë masash duke përfshirë subvencione për të mbrojtur jo vetëm shtresat më të rrezikuara të shoqërisë, por edhe shtresën e mesme dhe që edhe pse nuk ka ndikuar pozitivisht në tendencat e sondazheve”.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka rritur pagën minimale dhe pensionet dhe ka premtuar të bëjë më shumë nëse rizgjedhet. Paga minimale në shtetin fqinj u rrit me 9.4% pra në vlerën e 780 Euro. Në vitin 2019, paga minimale në Greqi ishte 650 Euro. Ndryshimi filloi nga muaji Prill dhe është hera e tretë që qeverisja e Mitsotakis aplikon rritje të pagës minimale.

Rivali i tij kryesor, i majti Alexis Tsipras, i cili qeverisi gjatë periudhës 2015-2019, është zotuar gjithashtu të rrisë pensionet dhe pagën minimale dhe të indeksojë pagat me inflacionin.

Eurostat, agjencia e statistikave e BE-së, thotë se 36.4 për qind e grekëve kishin fatura të mbartura të papaguara në vitin 2021, përqindja më e lartë në bllokun 27 anëtarësh.

Kostot e strehimit që përfaqësojnë më shumë se 40 për qind të të ardhurave të tyre ishte gjithashtu më e madhja në BE, me 32.4% të familjeve greke krahasuar me një mesatare të BE-së prej 10.4%.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share