Veliaj i dhuron Çelësin e Tiranës presidentit të “Coca Cola” në Shqipëri

28 vite më parë, 4 vite pas rënies së regjimit komunist, kompania italiane e “Coca-Cola” vendosi të sjellë për herë të parë brandin e njohur botëror në Shqipëri. Presidenti i “Coca-Cola Bottling Shqipëria”, Luca Busi, u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i dhuroi edhe Çelësin e Tiranës.

“Është kënaqësi shumë e veçantë që i dhurojmë Çelësin e Tiranës Luca Busit, një shoku, një kolegu, një bashkëpunëtori, një italo-shqiptari shembullor, që drejton një nga kompanitë më prestigjioze në Tiranë, të trashëguar nga nëna e tij, e cila mori një rrezik të madh në Tiranën e viteve ’90, kur vendi ishte i pasigurt. Në atë kohë, shumica jonë shkonte në Itali, ndërsa Kristina vinte nga Italia këtej, për të sjellë brandin e parë ndërkombëtar në Tiranën e atyre viteve – një Tiranë e cila sot ka ndryshuar shumë, duke u bërë shtëpia e shumë italianëve që kanë marrë edhe shtetësinë shqiptare, si pjesë e stofit të qytetit tonë. Kjo është një arritje shumë e madhe! Coca-Cola ka qenë edhe partneri ynë kryesor edhe për Kryeqytetin Europian të Rinisë,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se një qytet ku njerëzit bashkëpunojnë, është një qytet që ka të ardhme.

“Sot, në emër të qytetit, po të dhuroj Çelësin e Tiranës, si një mirënjohje për punën e jashtëzakonshme të këtyre 30 viteve,” u shpreh Veliaj.

Nga ana e tij, Presidenti Busi u shpreh se bashkëpunimi është një ndër formulat e rëndësishme të suksesit.

“Për mua është një ditë shumë e rëndësishme, ndiej një krenari dhe emocion shumë të madh teksa e marr këtë Çelës. Jam i sigurt se do e përdorim për të hapur portat e së ardhmes sonë, për të vijuar atë çka kemi bërë mirë deri tani në terren. Ashtu siç e kemi përmendur disa herë, ne kemi përgjegjësinë për të transformuar një markë globale, siç është “Coca – Cola”, në një ndërmarrje familjare, lokale. Kjo ndërmarrje familjare duhet të bashkëveprojë me institucionet, për të arritur të krijojmë një rrugëtim të përbashkët dhe për të shtrirë veprimtarinë në gjithë territorin,” u shpreh ai ndër të tjera.

Luca Busi tha se objektivi i ardhshëm është që “Coca-Cola Bottling Shqipëria” (CCBS) të jetë e para ndërmarrje ushqimore që kontribuon në uljen e ndotjes së mjedisit. Ai shtoi se kjo mund të arrihet brenda vitit 2023./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share