Vazhdon gara në Këngën Magjike

Kjo e dielë shënoi javën e parafundit të prezantimit të këngëve në fazën e parë të edicionit të 23-të të festivalit Kënga Magjike. Tetë këngë të reja i shtohen listës së këngëve të prezantuara deri tani.

“Jam shumë e emocionuar që rikthehem në këtë skenë kaq të bukur dhe kaq të dashur për mua, por që këtë vit e ndjej edhe më shumë, më emocion, sepse këtë vit i rikthehem rolit tim kryesor”.

Ardhur posaçërisht për festivalin magjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, artistja Janex këtë herë konkurron pa grupin e saj. Në Kënga Magjike, Janex performoi “Mali Vashës” nje krijim majft origjinal mbështetur në folklorin shqiptar.

“I referohet një legjende shqiptare. Bëhet fjalë për Shqipërinë e Mesme. Jam shumë e lumtur që sjell këngë sepse është hera e parë që unë ndërthur pak elemente etno ose folk”.

Nga finalja e Eurovizionit të këtij viti, kantautori dhe artisti më i pëlqyer i momentit në Estoni, Stefan, vjen në skenën më të madhe muzikore shqiptare. “Never Let Go” mban titullin super produksioni estonez.

“Të jem i sinqertë nuk e dija se sa e madhe ishte Kënga Magjike dhe kur erdha këtu dhe pashë të gjithë stafin dhe profesionalizmin e tyre u mahnita. Më thanë që ky festival shihet ngado, kështu që e falenderoj Ronelën”.

Kategoria New Artist me kualifikimin e 5 artistëve të fundit, mbylli garën në këtë fazë të parë të festivalit magjik, duke arritur në një total prej 36 artistësh të rinj të kualifikuar.

Alisa Opari Luizi: Gjithnjë ëndërroja dhe mendoja sikur të isha dhe unë në këtë skenë një ditë.

Elio Nora: Jetoj në Holandë dhe është ëndërr për të qenë këtu.

Kris Kolo: Qe një dëshirë shumë e madhe e imja se është një ndër kompeticionet më të mëdha këtu në vendin tonë.

Stefani Spiri: Më ka pëlqyer gjithmonë Kënga Magjike edhe jam shumë e gëzuar që po marr pjesë.

Leotrim: Jam shumë i emocionuar që jam këtu sepse ka shumë peshë.

Misioni i jurisë së festivalit në javën e ardhshme do të jetë votimi përfundimtar se cilët prej artistëve të rinj do të mund të prekin netët finale në Pallatin e Koncerteve. Më 22 dhe 23 Nëntor do të mbahen dy netët gjysmëfinale. 24 Nëntor, nata finale shqiptare dhe data 26 Nëntor International Night. Magjia vazhdon./ Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share