Takimi Kovaçevski – Mickoski: S`ka marrëveshje për ndryshimet kushtetuese!

NË TAVOLINË, QEVERI PA BDI, PESË MINISTRA VMRO-DPMNE-së, GARANCA NGA BE-ja

Kryeministri Kovaçevski, në takimin e liderëve, ka propozuar që me shumicën prej 2/3, të miratohet nevoja për ndryshimin e Kushtetutës. Faza tjetër, sic percjell KlanM, do të ishte të formohet qeveria e zgjeruar LSDM-VMRO-DPMNE, ku LSDM-ja do t`ia dorëzonte 5 nga 10 pozitat e saja ministrore VMRO-DPMNE-së. Faza e tretë do të ishte rrumbullaksimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese, hapja dhe mbyllja e disa kapitujve negociues dhe më pas zgjedhjet parlamentare.

“Në rregull e kuptoj ofertën por kam këtë qëndrim. VMRO-DPMNE është e gatshme të hyjë në qeveri me LSDM dhe partitë tjera, por pa pjesëmarrje të BDI-së. Zgjedhjet t`i përgatisë qeveria teknike, e jo kjo qeveri, 100 ditë para mbajtjes së tyre. Kurse ndryshimet eventuale kushtetuese të vlejnë ditën kur do të nis ratifikimi i protokollit aderues të Maqedonisë në kuadër të BE-së, nga parlamentet e 27 vendeve anëtare”, tha Hristijan Mickoski.

Ky propozim i liderit të opozitës, nga Kryeministri Kovaçevski, siç percjell KlanM, u interpretua si shkelje të kornizës negociuese të harmonizuar me BE-në në korrik të vitit të kaluar. Kovaçevski ka dhënë edhe një opsion për VMRO-DPMNE-në.

“Ndryshimet kushtetuese që do të miratohen, në dispozitat përfundimtare dhe kalimtare, do të kenë dispozita që do të vlejnë në momentin e mbajtjes së Konferencës së dytë ndërqeveritare. Gjithcka jashtë kësaj është jashtë kornizës negociuese që është miratuar nga 27 vendet anëtare të BE-së, që paraqet kompromis për vazhdimin e negociatave dhe mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe historisë maqedonase”, tha Dimitar Kovaçevski.

Dy liderët, dolën edhe me vlerësime të ndryshme nga rezultati i takimit kokë më kokë.

“Kemi qëndrim të ri lidhur me atë që është thënë – se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese me asnjë çmim. Sot dëgjuam dicka që është mirë. Vlerësoj se patëm takim produktiv me vullnet të mirë dhe komunikimi duhet të vazhdojë”, tha Dimitar Kovaçevski.

“Vlerësoj se takimi i liderëve qartë i tregoi pozicionet se në këtë moment s`ka shumicë prej 2/3 dhe se sa më shpejt duhet të ketë relaksim në shoqëri, kurse mënyra e vetme për këtë, janë zgjedhjet e shpejta të parakohshme parlamentare”,tha Hristijan Mickoski.

Edhe pse Mickoski nuk besonte, shumë shpejt mbërriti përgjigja e BDI-së për qeveri të zgjeruar pa pjesëmarrjen e partisë së Ali Ahmetit. Reagimi, sic njofton KlanM, u bë publik përmes një postimi në Facebook të zëdhënësit të BDI-së dhe Ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani.

“BDI-ja është e gatshme të mbështesë Qeveri pa BDI-në deri në zgjedhje nëse opozita mbështet ndryshimet kushtetuese dhe të njëjtat të hyjnë në fuqi para formimit të kësaj qeverie”, thonë nga BDI.

VMRO-DPMNE përshëndeti këtë qëndrim të BDI-së duke shtuar se mbetet që BDI-ja përveç se të kalojë në opozitë të pajtohet edhe për zbatim të anuluar të ndryshimeve kushtetuese deri në periudhën e hyrjes së Maqedonisë në BE, sic njofton KlanM, pasi të sigurohemi se nuk do të ketë kushtëzime tjera për identitetin maqedonas – thanë nga VMRO-DPMNE-ja./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share