Strugë: Dasmat përfunduan, mërgimtarët ikën – radhën e kanë turistët vendas!

Struga me çmime më të lira se Ohri

Hotelierët e Strugës të kënaqur nga sezoni turistik. Moti i mirë, çmimet e ulëta dhe rritja e cilësisë janë arsyeja kryesore. Mangësia e vetme shfaqet tek rruga Kërçovë – Ohër, që nuk po përfundon, pothuajse një dekadë nga fillimi i punimeve.

“Muaji gusht hyn në 10 ditëshin e fundit, që shënon edhe ditët e fundit të sezonit turistik në Strugë. Sezoni i dasmave përfundoi, mërgimtarët u larguan drejt vendeve të tyre të punës. Radhën e kanë turistët vendas, por edhe grupe të organizuara nga vendet e rajonit”, raporton gazetari i KlanM nga Struga, Albrim Hoxha.

“Ky sezon turistik, pra për vitin 2023, ka qenë jashtë pritshmërive. Besoj se ka qenë një nivel tjetër në krahasim me vitet e kaluara. Kemi pasur turistë dhe grupe të organizuara nga shtete të ndryshme të Evropës, nga Turqia, Sllovenia, Rumania, Izraeli, Bosnja, Mali i Zi… Në ditët e fundit të gushtit kemi pritshmëri për turistët vendas sepse si zakonisht në këtë periudhë të vitit i kanë pushimet vjetore dhe lëvizja e turistëve vendas bëhet gjatë fundit të muajit gusht”, deklaroi Arbër Pollozhani, menaxher hoteli.

“Me sa kam komunikuar edhe me kolegë të tjerë të hotelierisë, besoj se ky sezon është më i mirë sesa vitet e kaluara. Ndoshta një ndër shkaqet që sivjet është më mirë është se njerëzit harruan periudhën e koronës dhe janë më të çliruar për të udhëtuar… Klientët më shumë kanë qenë shtetas europianë, miq e dashamirë të mërgimtarëve tanë që kanë ardhur për vizita apo për të festuar në dasmat tona. Është njëfarë respekti nga ana e tyre për mërgimtarët tanë… Presim turistë vendas, mirëpo turistët vendas hasin akoma me problemin e rrugës Kërçovë – Ohër. Disa nga ata na kanë shprehur këtë shqetësim dmth një ndër arsyet se pse ata i largohen Strugës dhe Ohrit është pjesa e rrugës që akoma nuk është përfunduar”, u shpreh Visar Lumani, menaxher hoteli.

Hotelierët e Strugës mbajnë shpresë për ditë të ngrohta edhe gjatë muajit shtator, që do të zgjaste sezonin turistik edhe për pak javë. Çmimet që ofron Struga, krahasuar me Ohrin vetëm pak kilometra më tej, janë dukshëm më të ulëta. Një kafe në Strugë, buzë Drinit apo rreth liqenit mund ta pish për 50 apo 60 denarë, ndërsa një hamburger mund ta hash për 120 deri 150 denarë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share