Situata në veri të Kosovës edhe mbrëmjen e së hënës në dukje ishte e qetë, por e brishtë. Mjetet e rënda të cilat krijojnë barrikadat ishin ende në rrugë, ndërsa serbët që qendrojnë pranë tyre ndezën zjarre për të përballuar të ftohtin.
Pranë barrikadave, serbët vendosën shirita të kuq, ndërsa kalimi drejt pikave kufitare ishte i pamundur edhe për për këmbësorët.
Ndryshe nga herët e tjera barrikadat nuk u ngritën në zonën e liqenit Ujman, por më pranë Mitrovicës. Serbët nuk lejojnë asnjë person apo gazetar që kalojnë barrikadat nga frika që të mos identifikohen.
Sakaq mësohet se trupat e NATO-s, KFOR të cilat po monitorojnë nga afër situatën janë në negociata për të hequr barrikadat e vendosura nga serbët.
Për shkak të këtij bllokimi, gjatë ditës një rrugë alternative u përdor nga EULEX dhe serbet lokalë për qarkullimin e makinave.
Ndërsa në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë dhe në vendin ku është ngritur Këshilli Komunal Zgjedhor, Policia e Kosovës ka nisur patrullimet. Shkollat fillore dhe të mesme në komunat në veri të Kosovës nuk do të zhvillojnë mësim deri në njoftimin e dytë.
Reagimi i serbëve erdhi pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç, nga autoritetet në Kosovë, pasi dyshohet organizoi sulmin në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. Ndërsa Lista Serbe nga ana e saj kërkon lirimin e të gjithë të të arrestuarve.
Tv Klan