Shqipëria sfidon sonte Moldavinë

Fitorja në ‘Air Albania’ bonus drejt Euro 2024, Sylvinho vendos për formacionin

Shqipëria sfidon Moldavinë mbrëmjen e sotme në një takim tepër vendimtar për fatin e kuqezinjve në grupin E kualifikues të Euro2024.

Moldavia nuk është kundërshtari më i fortë në letër, gjithsesi interesi i tifozëve ka qenë i lartë. Më shumë se 18 mijë bileta janë shitur tashmë, me numrin e biletave që pritet të rritet në orët e ardhshme. Parashikohet që në impiantin 22 mijë vendësh të jenë rreth 20 mijë tifozë, shifër e lartë duke parë edhe nivelin e rivalit.

Gjatë kësaj periudhe, braziliani dhe stafi i tij kanë provuar skuadrën në disa momente të lojës, duke punuar shumë në aspektin tekniko-taktik. Pak dilema ka për lojtarët që do të hidhen në fushë nga minuta e parë, me balotazhin që mbetet në repartin e sulmit, mes Jasir Asanit dhe Anis Mehmetit.

Në një skemë 4-1-3-2, Berisha duket se e ka vendin e sigurtë në portë, teksa rreshtimi pritet të përbëhet me Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj në repartin e mbrojtjes.

Si digë para tyre pritet të vendoset Ramadani, i cili do të ketë mbështetjen e Bares dhe Bajramit. Në përkrah tyre do të rreshtohet njëri mes Asanit dhe Mehmetit, ndërsa reparti i sulmit do formohet nga Uzuni dhe Cikalleshi.

Kombëtarja shqiptare synon të marr fitoren e parë në grupin eliminator të Euro2024, ku gjendet në vendin e fundit pa pikë pas humbjes me Poloninë. Ndërkaq, Moldavia ka marrë dy barazime pas dy sfidash, teksa do të jetë edhe testi i parë për trajnerin Sylvinho në tokën shqiptare.

Sfida do transmetohet falas në Televizionin Kombëtar “Klan”, duke nisur nga ora 20:45.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share