Shkup: Ambasadorja e SHBA-ve i dorëzoi letrat kredenciale

“DO T`I MOTIVOJ REFORMAT GJYQËSORE”

Ambasadorja e re amerikane në Maqedoninë e Veriut, Anxhela Ageler, ia ka dorëzuar letrat kredenciale shefit të diplomacisë Bujar Osmani dhe pas kësaj edhe zyrtatisht nis aktiviteti i saj në vend. Duke e prezantuar agjendën e saj, para Senatit në muajin korrik, ka premtuar se do t’i motivojë reformat gjyqësore në vend dhe strategjinë efikase për përgjegjësi nga ana e aktorëve të korruptuar.

Pozita e ambasadores amerikane në Maqedoninë e Veriut për Anxhela Agelerin është e re, por jo edhe përvoja në vend, pasi më para më shumë se dhjetë vitesh këtu ka kaluar një mandat si përfaqësuese në ambasadën e SHBA-ve. Kopjet e letrave kredenciale Ageler sot ia dorëzoi Ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani, nga kabineti i të cilit informojnë se të dy janë angazhuar për thellim të bashkëpunimit.

“Bashkëbiseduesit e përshëndetën zhvillimin e marrëdhënieve në tërësi, i bazuar në miqësinë tradicionale dhe vlerat e ndara demokratike. U diskutua edhe për aleancën e fortë në mes dy vendeve në NATO, me theks të veçantë në agresionin ushtarak rus në Ukrainë” – thonë nga Ministria e punëve të Jashtme.

Ambasadorja Ageler, e emëruar nga Presidenti amerikan Xho Bajden, gjatë prezantimit të prioriteteve të saj, në Senatin në Uashington në muajin korrik, në mesin e prioriteteve të përbashkëta të SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut, e vuri në dukje luftën kundër korrupsionit.

“Do t’i motivoj reformat gjyqësore dhe do t’u bëj thirrje institucioneve në Maqedoninë e Veriut të promovojnë transparencë në hetimet për pretendimet për keqpërdorim dhe me vendosmëri ta kundërshtojnë korrupsionin. Do të punoj me partnerët që t’i ndihmoj Maqedonisë së Veriut të zhvillojë strategji kombëtare për përgjegjësi efektive nga aktorët e korruptuar” – tha Anxhela Ageler, SHBA.

Para 27 viteve SHBA-të vendosën marrëdhënie diplomatike me Maqedoninë e Veriut, para 14 viteve nënshkruan Deklaratë për partneritet strategjik, ndërsa para pesë muajve vendosën dialog strategjik, si fazë më e avancuar në marrëdhëniet dhe besimin e ndërsjellë. Populli amerikan gjatë tri dekadave të fundit, përmes Agjencisë për ndihma USAID, në vend ka investuar mbi 840 milionë dollar për zhvillim të ekonomisë, sigurisë kombëtare dhe vlerave demokratike. /KlanMacedonia/

PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share