Rusia dhe Ukraina nuk bien dakord për eksportin e drithërave

Moska ka kërcënuar të heqë dorë në 18 Maj për shkak të pengesave për eksportet e saj të drithërave dhe plehrave kimike

Ukraina, Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara dështuan të autorizojnë kalimin e anijeve me grurë sipas një marrëveshjeje që lejon eksportet e sigurta të drithit në Detin e Zi. Moska ka kërcënuar të heqë dorë më 18 Maj për shkak të pengesave për eksportet e veta të drithërave dhe plehrave kimikë. Inspektimet ditore të anijeve të autorizuara më parë do të vazhdojnë, u tha gazetarëveZëvendëszëdhënësi i OKB-së Farhan Haq.

Zyrtarët nga të gjitha palët e përfshira në këtë marrëveshje janë pjesë e Qendrës së Përbashkët të Koordinimit që gjendet në Stamboll, e që zbaton marrëveshjen për drithërat që u arrit Korrikun e vitit të kaluar. Sipas një dokumenti të siguruar nga Reuters, muajin e kaluar Rusia u tha përfaqësuesve të kësaj qendre koordinuese se nuk do të autorizojë kalimin e asnjë anijeje të re, nëse operatorët nuk garantojnë që transiti do të bëhet deri më 18 Maj, “në datën kur pritet të mbyllet”.

Ukraina ka paraqitur çdo ditë një listë të anijeve që do të autorizohen. Pasi të miratohen, ato anije më pas inspektohen nga zyrtarët pranë Turqisë përpara se të udhëtojnë në një port ukrainas të Detit të Zi nëpërmjet një korridori humanitar detar për të mbledhur ngarkesën e tyre dhe për t’u kthyer në ujërat turke për një inspektim përfundimtar.

Sipas të dhënave të Qendrës së Përbashkët Koordinuese, aktualisht është vetëm një anije që është autorizuar për inspektim dhe 25 të tjera janë në pritje që të inspektohen dhe që të gjitha gjenden në ujërat turke. Po ashtu janë 13 anije në portet ukrainase, ku pesë ishin nisur transit drejt Ukrainës dhe dy janë duke u kthyer për në Turqi.

Kombet e Bashkuara dhe Turqia ndërmjetësuan marrëveshjen e eksportit të grurit në Detin e Zi vitin e kaluar në korrik për të ndihmuar në trajtimin e krizës globale të ushqimit që është përkeqësuar nga lufta e Moskës në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, Rusia pranoi një marrëveshje tre-vjeçare në të cilën OKB-ja ra dakord të ndihmonte në përpjekjen për të hequr çdo pengesë për eksportet e saj të grurit dhe plehrave. Ndërsa këto eksporte ruse nuk i nënshtrohen sanksioneve perëndimore të vendosura pas pushtimit të Ukrainës në Shkurt të vitit 2022, Moska thotë se kufizimet mbi pagesat, logjistikën dhe sigurimet janë një pengesë për dërgesat.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share