”Pesëshja diplomatike” në Beograd: Vuçiq – takime të vështira!

LAJÇAK: SERBIA TË BASHKËPUNOJË PËR HETIMET RRETH INCIDENTIT TË 24 SHTATORIT

Emisarët e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë ua kanë prezantuar planin për vazhdimin e dialogut. Emisari I BE-së, Miroslav Lajçak, nuk ka dhënë detaje, por ka shfaqur shqetësime për rrugëtimin negativ të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, që sic tha, drejtpërsëdrejti lidhet me rrugën e tyre evropiane.

Për Serbinë dhe Kosovën nuk ka të ardhme evropiane nëse nuk normalizohen marrëdhëniet mes tyre dhe nëse nuk implementohen marrëveshjet, ka thënë përfaqësuesi I posacëm I BE-së, për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Ai në Beograd, pas takimit me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur se duhet të dalin para drejtësisë sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë dhe se detajisht duhet të hetohet incidenti i 24 shtatorit.

“Patjetër të jemi shumë të qartë se fuqishëm dënojmë sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës. Autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe presim nga Serbia bashkëpunim të plotë dhe aksione konkrete. Serbia dhe Kosova duhet të bëjnë pjesën e tyre të punës për të deeskaluar situatën” – tha Miroslav Lajçak – emisar i BE-së.

Takimin me pesëshën diplomatike, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në profilin e tij në Instagram, e vlerësoi si shumë të vështirë.

“Besoj se në periudhën e ardhshme do ta gjejmë rrugën për dalje nga kriza. Ditëve në vijim pres taki të rëndësishëm në Bruksel” – shkruan Vuçiqi.

Në vigjilje të takimit, me rastin e shënimit të 15-vjetorit të themelimit të Partisë Përparimtare Serbe – SNS, presidenti serb tha se në Beograd vjen “pesëshja e madhe” dhe se e shtuna pritet të jetë një nga ditët më të vështira për të dhe Serbinë.

Vuçiqi gjatë tubimit në Shabac, duke adresuar kritika ndaj opozitës serbe, ka pranuar se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të qëndrojë neutral por do ta mbështesë partinë SNS.

“Ata që duan të ju zëvendësojnë brenda një dite do të vendosnin sanksione atyre që janë në anën tonë lidhur me Kosovën dhe do të vazhdonin me politikën ndaj Kosovës, sikurse që e liruan Albin Kurtin nga burgu, përndjekjen e serbëve më 2004, shkëputjen e Malit të Zi, Kosova e pavarur më 2008 dhe vendkalimet kufitare me Kosovën më 2011” – tha Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Pesëshja e madhe diplomatike, të shtunën, fillimisht vizituan Prishtinën e më pas edhe Beogradin. Në takimin me Vuçiqin, krahas përfaqësuesit të BE-së dhe SHBA-së, Lajçak dhe Eskobar, morën pjesë edhe këshilltarët kryesor të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë – Emanuel Bon, Jens Pletner dhe Françesko Tal. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share