10 mijë persona humbin jetën çdo ditë në Europë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare. Sipas një raporti të fundit të OBSH-së për Europën, ku bën pjesë edhe Shqipëria, shkaku kryesor është hipertensioni apo i njohur ndryshe si presioni i lartë i gjakut.
“1 në 3 persona të moshës 30-79 vjeç vuan në Europë nga hipertensioni. Edhe Shqipëria renditet si një ndër vendet me prevalencë të lartë të hipertensionit”, thotë gazetarja e Tv Klan, Erikleda Dorezi.
“Hipertensioni arterial është një nga shkaqet kryesore të faktorëve të riskut përsa i përket sëmundjeve në të gjithë sistemin kardiovaskular, jo vetëm për infarktet e miokardit, por edhe ishemive cerebrale”, shprehet kardiologia Manjola Liko.
Një tjetër shkak që theksohet në raportin e OBSH është përdorimi i tepërt i kripës. Shqipëria, njëlloj si 52 vendet e tjera të raportit ka një tejkalim të normës së përdorimit të saj. Një person gjatë një dite në Shqipëri konsumon 8.5 gramë kripë nga 5 që maksimumi i lejuar.
“Kripa dhe hipertensioni janë faktorët kryesorë të riskut për sëmundjet kardiovaskulare, e mesa duket në Shqipëri janë mjaft të përhapura”, shton më tej gazetarja Dorezi.
“Përdorimi i kripës është i dëmshëm përsa i përket sistemit kardiovaskular. Sepse çon në mbajtjen e sa më shumë lëngjeve dhe rritje të presionit arterial. Vitet e fundit vëmë re që ka pacientë që janë në moshë rreth 30-40 vjeç që paraqiten me nivele të larta të presionit arteriale dhe yndyrës në gjak. Pasi kjo grupmoshë vrapon drejt ushqimeve të shpejta”, shpjegon kardiologia.
Sipas raportit të OBSH për Europën, burrat kanë pothuajse 2.5 herë më shumë gjasa të humbin jetën nga sëmundjet kardiovaskulare sesa gratë.
Tv Klan