Nesër zhvillohet ndeshja FC Hegelmann – FC Shkupi

Arslan: Do të japim maksimumin edhe pse kemi mungesa

FC Shkupi tani më ka zhvilluar stërvitjen e fundit në tokën lituaneze dhe është gati për ndeshjen e nesërme kundër skuadrës së FC Hegelmann, duel ky i parë në kuadër të turit të parë të Ligës së Konferencës.

Padyshim se problemet me marrjen e vizës për futbollistin tonë Walid Hamidi kanë nxjerrë telashe për trajnerin Cihat Arslan, por gjithsesi që secili futbollist që do të jetë në fushë, do të kryejë me përkushtim maksimal detyrat. Para ndeshjes ka folur trajneri Cihat Arslan.

Fillimisht të them se na pret një përballje e vështirë, para nesh kemi një ekip të sapoformuar, që ka arritur në garat evropiane, një ekip që dëshiron të jetë i suksesshëm në Evropë.  Ne jemi skuadër me një grup të rëndësishëm lojtarësh, duam të marrim rezultat të mirë në fushë, në mënyrën më të mirë të mundshme. Meqë ra fjala, ne kishim një problem,  Walid Hamidi nuk kishte mundësi të vijë me ne për shkak që institucionet e nevojshme nuk i kanë dhënë vizë. Mendoj se politika duhet të jetë larg sportit.  Walidi nuk është mes nesh këtu, na vjen keq për këtë. Mirëpo lojtarët që do të zgjedhim, do të mbulojnë vendin e Walidit, ndërsa ne do të dalim në fushë për të fituar”, ka thënë Arslan.

Kapiteni dhe portieri i ekipit, Artan Iljazi gjithashtu ka folur për ndeshjen e nesërme: “Nesër na pret një ndeshje e vështirë, normalisht ne si ekip jemi të përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme dhe shpresoj që me rezultat pozitiv të kthehemi në Shkup”.

Me ekipin nuk ka udhëtuar edhe mbrojtësi i krahut, Blerton Sheji, i cili që nga faza përgatitore në Bolu të Turqisë, kishte marrë lëndim, ndërsa kthimi i tij pritet të ndodhë në ndeshjen e kthimit në Shkup

Kujtojmë se ndeshja FC Hegelmann – FC Shkupi luhet të enjten me fillim në ora 19:00 në qytetin e Kaunasit në stadiumin Darius and Stasys Girenas.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share