Trajneri i Kombëtares, Sylvinho thotë në një konferencë për shtyp se ditën e nesërme do të shpallë listën përfundimtare me 26 lojtarë të Kombëtares që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Euro 2024.
Sylvinho: Lojtarët janë të karikuar. Jemi duke u stërvitur. Nesër do të vendoset për listën përfundimtare me 26 lojtarë, nëse larg qoftë do të ketë ndonjë dëmtim, UEFA Lejon të bëhet ndryshim në listë.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat, trajneri Sylvinho është shprehur se Kombëtarja do të ketë përballë skuadra të forta në grupin e Euro 2024, teksa ka shtuar se është i shqetësuar për ndeshjen me Italinë.
Më tej, trajneri Sylvinho është shprehur se është kënaqësi që Shqipëria është pjesë për herë të dytë e Europianit teksa ka shtuar se po përgatiten të luftojnë për çdo pikë.
Sylvinho: Marrim pjesë në një turne të rëndësishëm dhe duhet të marrim më të mirën nga pjesëmarrja. Ne jemi të kënaqur me kushtet dhe me mënyrën si po punohet. E dimë shumë mirë që Italia është një nga skuadrat favorite dhe për ne është e rëndësishme të përgatitemi mirë. Të gjitha energjitë tona, të fokusuara në ndeshjen me Italinë, Spanjën e Kroacinë. Po punojmë shumë këtu në Austri. Kemi përpara një turne shumë të bukur dhe është fantastike që përfaqësojmë kombin në këtë Europian. E rëndësishme të luftojmë fort për çdo pikë, nder për ne të marrim pjesë në Europian. Po përjetojmë një rrugëtim fantastik.
Jam i shqetësuar për përballjen me Italinë, një skuadër shumë të fortë. Miqësorja e nesërme, shumë e vlefshme. Bëjmë analizat tona, analizojmë ekipin në disa aspekte. Këto miqësore na japin një shans për të parë se ku jemi dhe do të na ndihmojnë të përgatitemi për debutimin. Ne e dimë që kemi 3 rivalë shumë të fortë në grup dhe kemi respekt për të 3 skuadrat. Prej 9 ditësh stërvitemi për të shijuar Europianin. Nëse themi që do të mundim Italinë, jo, nuk është e drejtë. Na duhet të punojmë dhe të sakrifikojmë sa më shumë. Në këtë grup kemi 3 skuadra që hyjnë në turne për të fituar turneun. Kemi entuziazmin për të luftuar për çdo pikë.
Sylvinho: Italia është e fortë, është një ndeshje e vështirë. Ne po përgatitemi për t’u përballur siç duhet. Është një grup i bukur dhe i fortë. Ne ta shijojmë këtë pjesëmarrje të dytë në Europian që për të gjithë ne është shumë e rëndësishme, të bëjmë më të mirën. Grup i vështirë, të gjithë janë të fortë.
Më tej, Sylvinho është pyetur dhe për përgatitjet për miqësoren me Azerbajxhanin për të cilën ka dhënë këtë përgjigje: Kryesisht është një përgatitje për Europianin dhe kishim në program 2 miqësore, proces pune shumë i shpejtë për të gjithë. Kemi 7 ditë që stërvitemi dhe kemi 2 miqësoret. Ne po përgatitemi për ndeshjen me Italinë. Kemi edhe pak ditë kohë deri tek Italia dhe mbetet për t’u parë. Ndeshjen me Azerbajxhanin t’i japim mundësi lojtarëve që të kenë sa më shumë minuta dhe të provojmë gjëra të reja.
Teksa nuk ka preferuar të bëjë publik formacionin e lojtarëve që do të luajnë përballë Azerbajxhanit, trajneri Sylvinho nuk ka përjashtuar mundësinë që Asani të jetë një nga futbollistët që do të jetë pjesë e Kombëtares në këtë miqësore.
Ndeshjen me Azerbajxhanin nesër në orën 19:00 dhe të gjithë përballjet e Euro 2024 do të keni mundësi t’i ndiqni në Tv Klan pa pagesë.