Mexhiti, Koxhaxhiku dhe Rexhepi të pavarur/ Xhaferi: Duhet të jeni 5 deputetë për të formuar grup parlamentar

Nga shërbimi për shtyp i Kuvendit sot pasdite kumtuan se kryetari i Kuvendit e ka pranuar njoftimin e tre deputetëve të cilët paralajmëruan se do të veprojnë si grup i pavarur i deputetëve.

“Kryetari Xhaferi, menjëherë pas marrjes së njoftimit, i njoftoi me shkrim se: “Në pajtim me nenin 33, paragrafi 2 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Grupi Parlamentar përbëhet prej së paku pesë deputetëve të cilët i takojnë një ose më shumë partive politike. Sipas përcaktimit të lartpërmendur, nuk keni mundësi të formoni grup parlamentar, as të përcaktoni koordinator dhe zëvendës-koordinatorë”, thuhet në kumtesë.

Xhaferi i ka njoftuar tre deputetët se mundet secili individualisht të dorëzojë njoftimin për veprim si deputet i pavarur.

Paraprakisht, deputetët e deritanishëm të BDI-së, Izet Mexhiti dhe Merita Kollçi Koxhaxhiku dhe deputeti Kastriot Rexhepi, të cilët paralajmëruan formimin e lëvizjes së re politike, përmes një videoje në rrjetet sociale kumtuan se që sot do të veprojnë si deputetë të pavarur.

“Sot, zyrtarisht me shkrim e informuam edhe Kryetarin e Kuvendit të RMV-së se do të veprojmë si deputetë të pavarur. Ju ftojmë gjithve pa përjashtim, të bëheni pjesë e Lëvizjes së re në ardhje që të bëheni pjesë e ndryshimit të madh, pjesë e fillimit të ri”, shkroi Mexhiti në profilin e tij në Fejsbuk, ku e ka publikuar videon e Koxhaxhikut.

Në videon, koxhaxhiku informoi se koordinator i këtij grupi do të jetë Kastriot Rexhepi, ndërsa ajo zëvendëse e tij./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share