Pesë organizatat e Universiteteve Publike kërkojnë nënshkrimin e marrëveshjes kolektive

RRITJA E PAGAVE PËR UNIVERSITETET

Pesë sindikatat e universiteteve publike në Maqedoni, thonë se ndaj tyre është vepruar padrejtësisht dhe kërkojnë që urgjentisht edhe me ta Qeveria të nënshkruaj marrëveshje kolektive për rritjen e pagave. Në kumtesën e Sindikatave të dërguar mediave, thuhet se nisma e nënshkrimit të Marrëveshjeve Kolektive ka filluar prej të gjitha universiteteve publike dhe është dorëzuar në Kuvendin shumë kohë para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.

“Prandaj si përfaqësues të sindikatave konsiderojmë se padrejtësisht dhe jo me fajin tonë të njëjtat nuk janë nënshkruar me themeluesin, Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për këto shkaqe kërkojmë që më së voni deri më 08.03.2024 të kryhet procedura dhe të fillohet me nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive me secilin universitet në vete. Njëkohësisht, theksojmë se me mosnënshkrimin e Marrëveshjeve Kolektive të punësuarit e Universiteteve të tjera publike vihen në pozitë të pabarabartë në raport me të drejtën, në veçanti në fushën e pagave dhe përfitimeve. Për këtë konsiderojmë se padrejtësisht jemi diskriminuar” – thonë nga Sindikatat e Universiteteve Publike.

Nga Sindikatat e pesë Universiteteve kërkojnë nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi që në mënyrë aktive të përfshihet në zgjidhjen e këtij problemi, por edhe takim me kryeministrin Talat Xhaferi.

“Kërkojmë në një kohë sa më të shkurtër të pranohemi në takim te kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, zotëri Talat Xhaferi, ashtu që ta njoftojmë me gjendjen tonë. Përderisa kërkesat tona të ligjshme nuk respektohen, atëherë si sindikata të pesë universiteteve publike, do të detyrohemi të sillemi sipas parimeve të organizimit sindikalist, përmes ndërmarrjes së të gjitha mjeteve ligjore që kemi në dispozicion, duke e përfshirë në fund të fundit edhe protestën publike”  – thonë nga Sindikatat e Universiteteve Publike.

Në kërkesat e lartpërmendura janë nënshkruar sindikatat e universiteteve publike si “Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza”, Universiteti i Shkencave Informatike dhe Teknologjike “Shën Apostol Pavle”në Ohër, Universiteti “Shën Kliment Ohridski”në Manastir dhe Universiteti “Goce Dellçev”- Shtip. Ndërsa reagimi tyre pason pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar marrëveshje me Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” për rritjen e pagave për 22 për qind për të punësuarit e këtij universiteti. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share