Mbi 3400 të vdekur e mbi 15 mijë të plagosur deri tani nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Të dhënat janë në përditësim

Më shumë se 3,400 persona kanë mbetur të vrarë dhe mbi 15 mijë të tjerë të plagosur në Turqi dhe Siri, pas tërmetit me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë jugore orët e para të së hënës.

 Tërmeti, një prej më të fortëve që godet rajonin në më shumë se 100 vjet, ra 23 kilometra nga lindja e Nurdagi, në provincën e Gaziantep, me një thellësi prej 24.1 kilometrash, tha Qendra Sizmologjike Amerikane.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

◉ Numri i të vrarëve në Turqi është të paktën 1,121, ndërsa më shumë se 7,634 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

◉ Në Siri, deri më tani raportohet të paktën 783 të vrarë dhe mbi 2,000 të plagosur. Pjesa më e madhe e viktimave janë nga rajoni i Aleppo-s, Hama, Latakia dhe Tartus.

◉ Ndërkohë në orën 13:24, me orën lokale, u regjistrua një tjetër tërmet i fortë me magnitudë 7.5 të shkallës Rihter në Turqinë Qendrore.

◉ Autoritetet thonë se po luftojnë me kohën për të shpëtuar personat e zënë nën rrënoja, pasi me qindra banesa u shemben në të dyja vendet.

◉ Me miliona persona në Turqi, Siri, Liban, Qipro e Izrael e ndjenë tërmetin e fortë, që u pasua nga qindra paslëkundje të tjera.

“Dy pllaka masive tektonike takohen në Turqi”, përse janë kaq të forta pasgoditjet

Duke folur për lëkundjen me magnitudë 7.5 që pasoi tërmetin e parë që goditi Turqinë jugore mëngjesin e kësaj të hëne, eksperti i CNN, Chat Myers shpjegoi përse pasgoditjet kanë qenë kaq të forta.

“Dy pllaka masive tektonike, ajo arabe dhe euroaziatike, takohen nën provincat juglindore të Turqisë. Përgjatë kësaj vije, rreth 160 kilometra nga njëra anë të tjetrën, toka ka rrëshqitur”, tha Myers.

Sizmologët shpesh i referohen këtij fenomeni si rrëshqitje goditëse, ku pllakat po takohen dhe papritur ato rrëshqasin anash.

Kjo nuk ka ngjashmëri me Unazën e Zjarrit, që shtrihet në bregun perëndimor të SHBA. Në këtë zonë, tërmetet dhe cunamit shkaktohen shpesh nga zhytja, ku njëra pllakë rrëshqet mbi tjetrën.

Por në një rrëshqitje goditëse, pllakat lëvizin horizontalisht, e jo vertikalisht.

Sipas ekspertëve, për shkak të natyrës së kësaj ngjarjeje sizmike, pasgoditjet mund të zgjasin me javë e muaj.

Tërmeti vdekjeprurës në Turqi, ekspertët e SHBA: Numri i viktimave mund të shkojë deri në 10 mijë

Numri i të vdekurve nga tërmeti i fortë që goditi Turqinë mëngjesin e kësaj të hëne mund të arrijë deri në 10 mijë, tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USGS).

Sipas përllogaritjeve të USGS, gjasat që numri i viktimave të arrijë deri në 10 mijë, janë 47 përqind. Sipas asaj që shkruan CNN, përllogaritjet bazohen nga të dhënat historike të tërmeteve në këtë rajon, popullata e ekspozuar nga lëkundjet e forta dhe dobësia e strukturave në zonat më të goditura.

“Vdekshmëria e lartë dhe dëmet e mëdha janë të mundura. Popullata në rajon shtrihet në ndërtesa tejet të dobëta ndaj lëkundjeve të tërmetit”.

Raporti po ashtu përllogarit që humbjet ekonomike të jenë mes 1 deri në 10 miliardë dollarë, që mund të kapë deri në 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Turqisë.

Deri më tani raportohet për më shumë se 1,504 persona të vrarë dhe mbi 6,474 të plagosur në Turqi dhe Siri, pas tërmetit me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë orët e para të së hënës.

Studiuesi italian: Toka ka lëvizur me 3 metra në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi

Me 3 metra ka lëvizur toka në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi. Kështu shprehet Carlo Doglioni, Presidenti i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës në Itali.

Ai shton se të dhënat satelitore, kur të jenë të disponueshme, do të tregojnë matjen akoma më të saktë të lëvizjes së tokës.

Pllakat tektonike kanë lëvizur horizontalisht, shpjegoi Doglioni për Ansa, duke shtuar se ka një çarje nga Mesdheu në veri-lindje që shkon deri në Detin e Zi dhe i bashkohet çarjes së veriut të Anadollit që arrin deri në Stamboll.

Epiqendra e tërmetit duket se ka qenë në Anadollin lindor, aty ku bashkohen pllakat tektonike të Anadollit, Arabisë dhe Afrikës.

Nga tërmeti i fortë me magnitudë 7.8 në Turqi pranë kufirit me Sirinë, u dha fillimisht edhe një alarm për cunami në Turqi, Qipro, Itali. Por më pas alarmi u hoq.

Mbi 1 mijë persona kanë humbur jetën në Turqi e Siri nga tërmeti. Po kështu me mijëra janë të plagosur, ndërsa qindra ndërtesa janë shembur.

Tërmeti i dytë i fortë në Turqi: Momenti kur ndërtesa “zhduket” para syve të njerëzve (Video)

Këto pamje i përkasin momentit kur Turqia qendrore goditet nga një tjetër tërmet i fortë me magnitudë 7.5 të shkallës Rihter. Dy ndërtesa të tjera u shembën, njëra në Diyabakir dhe tjetra në Malatya, në rajonin lindor të Anatolias në Turqi.

Tërmeti në fjalë ra në orën 13:24 (me orën lokale), gjatë kohës që ekipet e kërkim-shpëtimit vijonin kërkimet për të mbijetuar nga lëkundjet vdekjeprurëse të tërmetit që ra në orët e para të kësaj të hëne.

Pamjet në fjalë u filmuan nga një dëshmitar, i cili kapi momentin kur ndërtesa rrëzohet e gjitha, ndërsa njerëzit largohen të tmerruar me vrap.

Të paktën 912 persona humbën jetën dhe mbi 5 mijë të tjerë mbetën të plagosur për shkak të tërmetit, që goditi Turqinë qendror në orën 04:17 të kësaj të hëne. Shifrat në fjalë u bënë të ditura nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. Gjasat që shifrat të rriten janë të mëdha.

Sizmiologu Edmond Dushi: Tërmeti në Turqi nuk përbën rrezik për Shqipërinë

Shqipëria nuk rrezikohet nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë. Kështu shprehet sizmiologu Edmond Dushi, në një prononcim për Klan News, qetëson qytetarët duke thënë se lëkundjet sizmike shkatërrimtare të Turqisë nuk përbëjnë rrezik të drejtpërdrejt për Shqipërinë.

Pyetje: A ka rrezik Shqipëria duke qenë se Turqia është goditur nga një tërmet shumë i fuqishëm?

Sizmiologu Edmond Dushi: Për të qetësuar, mund ta them që në fillim që nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë. Pra nuk përbën një rrezik për Shqipërinë fakti që ky tërmet ka ndodhur për shkak se distanca e konsiderueshme dhe pozicionimi tektonik i ndryshëm nuk e mundëson këtë gjë. Por që natyrisht rajoni i Mesdheut është tepër aktiv dhe kemi vënë re që ka një rritje të numrit të tërmeteve të moderuar deri tek të fortë. Përsa i përket këtij tërmeti, ky tërmet është një nga tërmetet në historikun e publikuar të tërmeteve të Turqisë, rezulton i dyti me këtë magnitudë. Turqia është një territor tektonik aktiv dhe ka tërmete me magnitudë mbi 7, ka një numër të konsiderueshëm tërmetesh të tillë.

Mbi 1 mijë të vdekur janë shkaktuar në Turqi e Siri nga tërmeti që goditi Turqinë mëngjesin e sotëm. Tërmeti me magnitudë 7.8 shkatërroi qindra pallate si dhe ka lënë me mijëra të plagosur.

NATO, BE dhe 45 shtete në ndihmë të Turqisë

NATO, Bashkimi Evropian dhe mbi 45 shtete i kanë ardhur në ndihmë Turqisë pas tërmetit tragjik të kësaj të hëne.

Presidenti turk Tayip Erdogan deklaroi për mediat se janë konfirmuar 912 viktima deri më tani në 10 qarqe të prekura të Turqisë dhe 5385 të plagosur. Pasoja të mëdha ka pasur dhe në godina me 2818 prej tyre të shkatërruara.

Deri më tani ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë rreth 2400 njerëz nga rrënojat ndërsa puna vijon.

Në Sirinë fqinje, kanë vdekur të paktën 386 njerëz, duke përfshirë 239 kryesisht në rajonet e Aleppo, Hama, Latakia dhe Tartus, njoftoi më herët TV shtetëror sirian. Grupi “Helmetat e Bardha”, i njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, raportoi gjithashtu të paktën 147 vdekje në zonat e kontrolluara nga opozita në veriperëndim të Sirisë. Qindra të tjerë janë raportuar të plagosur në Siri.

Tjetër tërmet i fuqishëm në Turqi me magnitudë 7.7, njerëzit vrapojnë të tmerruar

Një tjetër lëkundje e fortë tërmeti është regjistruar pak minuta më parë në Turqi. Sipas të dhënave paraprake, tërmeti ishte me magnitudë 7.7 të shkallës Rihter. Lëkundjet e fuqishme ndodhën në një kohë kur gazetarët në vendngjarje raportonin live, siç shihet edhe në këto pamje.

Tërmeti ra në në orën 13:24, (më orën lokale) dhe ishte me epiqendër 67 kilometra nga Kahramanmaraş dhe 6 kilometra nga Elbistan. Vetëm pak minuta më vonë, në orën 13:36 (me orën lokale) u regjistrua një tjetër lëkundje me magnitudë 6 të shkallës Rihter.

Për momentin nuk dihen pasojat e këtyre lëkundjeve të forta.

Kujtojmë se në orën 04:17 minuta (me orën lokale) të kësaj të hëne, një tërmet me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter la të vdekur të paktën 1200 të vrarë dhe mbi 5 mijë të plagosur në Turqi e Siri. Dëmet janë të panumërta, ndërsa si numri i viktimave ashtu sikurse edhe i plagosurve pritet të jetë shumë më i lartë.

Erdogan: Deri më tani janë konfirmuar 912 viktima në të dyja zonat

Në një komunikim të parë për mediat pas tërmetit tragjik, presidenti turk Tayip Erdogan tha se deri më tani janë konfirmuar 912 viktima në të dy shtetet e prekura.

“Po vijon pjesa e transportimit me ushqime, veshje e mjete në zonat e goditura nga tërmeti si masë nga autoritetet turke për të përballuar pasojat e tërmetit. Është dimër, është ftohtë, tërmeti ndodhi në orët e natës dhe në një mot aspak favorizues. Deri më tani janë konfirmuar 912 viktima në të dyja zonat e prekura, Turqi dhe Siri. Janë rreth 5835 të plagosur dhe 2818 godina të shkatërruara, tregues i tërmetit katastrofik. 2470 persona janë nxjerrë nga rrënojat dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore”, deklaroi presidenti turk.

Erdogan tha se do bëhet gjithçka për përballimin e kësaj situate dhe se ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë me punën minutë pas minute për nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat.

“Një pjesë e mirë kanë ndërruar jetë, janë afro 9 mijë veta në ekipet e shpëtimit. Po punohet për të nxjerrë nga rrënojat personat që kanë mbijetuar, puna vijon minutë pas minute. Në Ankara ka mbërritur grupi koordinator me drejtues zëvendëspresidentin”, tha Erdogan.

Sipas kreut të shtetit turk janë 10 qarqe të prekura nga tërmeti i magnitudës 7.8 të shkallës Rihter.

Tërmeti shkatërrimtar, NATO e BE krah Turqisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Turqia ka solidaritetin e plotë të aleancës.

“Solidaritet të plotë me aleatin tonë Turqinë për pasojat e tërmetit të tmerrshëm. Jam në kontakt me presidentin Erdogan, ministrin e jashtëm Cavusoglu dhe aleatët e NATO-s po mobilizojnë mbështetjen për Turqinë tani”, tha ai në Twitter.

Diplomati i BE, Josep Borrell tha po ashtu se blloku është “gati për të ndihmuar”, pas tërmetit të së hënës.

“Tërmeti vdekjeprurës goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes, duke i marrë jetën qindra personave e duke plagosur shumë të tjerë. Mendimet tona janë me njerëzit në Turqi e Siri. BE është gati të ndihmojë”, tha Borrell.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për viktimat e kësaj fatkeqësie.

“Thellësisht i trishtuar me lajmin e mëngjesit të sotëm, për tërmetin vdekjeprurës që goditi Turqinë e Sirinë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e shumta që humbën njerëzit e tyre dhe shërim të shpejtë të plagosurve. BE qëndron në solidaritet të plotë me ju”.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se Europa kishte nisur ndihmën e saj.

“Qëndrojmë në solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe Sirisë, pas tërmetit vdekjeprurës që ra mëngjesin e sotëm. Jemi pranë familjeve të viktimave. Mbështetja e Europës është rrugës dhe qëndrojmë të gatshëm për të ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme”.

“Nuk na rezulton asnjë shqiptar i prekur nga tërmeti”, Ambasadori i Shqipërisë në Turqi: Ka pasur 78 pasgoditje

Ambasadori i Shqipërisë në Turqi Kastriot Robo tha përmes një lidhjeje telefonike për Klan News se nuk ka asnjë shqiptar të lënduar nga tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm shtetin turk.

“Nuk na rezulton akoma fatmirësisht shtetas shqiptar apo shtetas turk me origjinë shqiptare të prekur nga ky tërmet.”

Robo theksoi se operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë në 10 qytete turke edhe pse kushtet e motit e bëjnë akoma më të vështirë situatën.

“Përmasat e tërmetit janë shkatërruese. Turqia është mbërthyer nga një dimër i egër. Ka stuhi dëbore dhe ndërprerje të shumë linjave të fluturimit ajror, përfshirë dhe ato të Shqipërisë”-tha Robo.

Sipas tij, ky tërmet është më i fuqishmi pas atij të vitit 1999, që pati pasoja shkatërrimtare për Stambollin.

Lëkundjet e tërmetit po vijojnë. Gatishmëria e qeverisë turke për përballimin e situatës dhe deklarata e presidentit Tayip Erdogan tregon për gatishmëri maksimale të autoriteteve turke, i gjithë kabineti qeveritar është në ndjekje të situatës. Ky tërmet krahasohet me goditjen e Stambollit në vitin 1999”-u shpreh ambasadori.

Ai tha ndër të tjera se ka pasur rreth 78 goditje pas tërmetit të fortë.

Momenti kur tërmeti me magnitudë 7.8 godet Turqinë (Video)

Këto janë pamjet që tregojnë momentet e lëkundjeve të forta me magnitudë 7.8 që goditën orët e para të së hënës Turqinë.

Siç shihet në këtë video të përcjellë nga Reuters, lëkundjet zgjatën rreth 1 minutë. Janë me qindra të vdekurit e me mijëra të plagosurit nga ky tërmet tragjik, në Turqi e Siri.

Dëmet po ashtu janë të mëdha, ndërkohë që operacionet e kërkim shpëtimit vijojnë intensivisht në të dyja shtetet.

Rama shpreh ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti tragjik: Një mision shpëtimi niset sot për Turqi

Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar i prekur nga tërmeti tragjik në Turqi dhe Siri.

Përmes një postimi në Twitter, Rama shpreh ngushëllimet e tij për jetët e humbura dhe uron shërim të shpejtë për të lënduarit. Ai shton se një mission shpëtimi do të niset sot drejt Turqisë.

“I pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi”-shkruan kreu i ekzekutivit.

Tërmeti dëmton rëndë Kalanë e Gaziantepit dhe shemb një pjesë të xhamisë historike në Turqi

Tërmeti vdekjeprurës në Turqi, shkaktoi dhe dëme kolosale materiale. CNN shkruan se prej lëkundjeve të forta është dëmtuar rëndë “Kalaja e Gazientepit”, pjesë e trashëgëmisë botërore të UNESCO-s.

Mësohet se janë shkatërruar disa bastione të kalasë, është shembur muri mbajtës dhe shumë pjesë të tjera kanë marrë çarje të mëdha. Kangjellat prej hekuri që e rrethonin raportohet se janë shpërndarë në trotuaret përreth.

Sipas arkeologëve, kjo kala u ndërtua për herë të parë si kullë vrojtimi në periudhën romake në shekujt II-IV të erës sonë dhe u zgjerua me kalimin e kohës.

Ajo mori formën e saj aktuale midis viteve 527-565 pas Krishtit gjatë periudhës së Perandorit Bizantin Justinian I.

Gjithashtu është shembur pjesërisht dhe kupola e muri i xhamisë historike të Shirvanit që ndodhet pranë kalasë.

Dëshmitë rrëqethëse nga Turqia: S’kam ndjerë diçka të tillë në 40 vite…

Rrëqethëse janë dëshmitë e personave që përjetuan tërmetin tragjik të mëngjesit të sotëm në Turqi e Siri. Një banor i qytetit turk të Gaziantepit tha në një lidhje telefonike për mediat e huaja se nuk kishte përjetuar një fenonem të tillë në 40 vite të jetës së tij.

S’kam ndjerë kurrë diçka të tillë në 40 vite. Jemi veshur të gjithë dhe kemi dalë jashtë. Njerëzit po rrinë në makina ose po largohen prej zonës”-tha ai.

Lëkundjet e forta, ai i përshkruan si “tundjet e krevatit të një foshnjeje”.

Një tjetër banor i Damaskut shprehet se u zgjua i tmerruar nga lëkundjet.

U zgjova i tmerruar, pikturat po binin nga muret e shtëpisë. Tani jemi të gjithë jashtë”-tha ai.

Tërmeti me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter u mori jetën këtë të hënë mbi 500 personave sot në Turqi e Siri.

Tërmeti vdekjeprurës në Turqi, pamjet kur shemben pallatet shumëkatëshe

Me qindra ndërtesa janë shkatërruar nga tërmeti apokaliptik me magnitudë 7.8 në Turqi që goditi rajonin Gaziantep në orët e para të mëngjesit.

Në rrjetet sociale dhe mediat turke janë publikuar pamje të pallateve dhe ndërtesave teksa rrëzohen nga lëkundjet e forta sizmike.

Një pjesë e tyre janë shembur gjatë pasgoditjeve pas dëmeve të mëdha që kanë pësuar.

 

Tërmeti vdekjeprurës në Turqi, reagojnë liderët botërorë

Mesazhe ngushëllimi dhe mbështetje kanë ofruar mëngjesin e kësaj të hëne liderët botërorë, të cilët u zgjuan me lajmin e tërmetit vdekjeprurës me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një postim në Twitter tha se Greqia do të ofrojë ndihmën e saj e menjëhershme. “Thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ngushëllimet tona më të ndjera shkojnë për familjet e viktimave dhe mendimet tona janë me njerëzit e prekur nga kjo tragjedi. Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të asistojë menjëherë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu ngushëllimet tij për viktimat në Twitter dhe ofroi asistencë. “Jemi krah popullit turk në këtë kohë të vështirë. Jemi gati për të ofruar asistencën e nevojshme për të tejkaluar pasojat e kësaj fatkeqësie”, tha Zelenski.

Në Twitter, kryeministri indian Narendra Modi tha se ishte i “pikëlluar për jetët e humbura dhe dëmet në ndërtesa”. “India qëndron në solidaritet me popullin e Turqisë dhe është e gatshme për të ofruar të gjithë asistencën e mundshme për t’u përballur me këtë tragjedi”, tha ai.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif përcolli ngushëllimet e tij për të prekurit në Turqi e Siri, nëpërmjet një serie postimesh në Twitter.

Presidenti i Izraelit Isaac Herzog shkruajti: “Shteti i Izraelit është në gatishmëri për të ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme. Zemra tona janë me familjet që humbën njerëzit e dashur dhe me popullin turk në këtë moment të dhimbshëm”.

Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara ishin “thellësisht të shqetësuara” për shkatërrimin në Siri dhe Turqi. “Kam kontaktuar me zyrtarët në Turqi për t’i shprehur gatishmërinë tonë për të ofruar çdolloj asistence. Do të vijojmë të monitorojmë nga afër situatën në koordinim me Turqinë”, shkruajti Sullivan në Twitter.

Misioni diplomatik i SHBA në Turqi shprehur po ashtu pikëllimin për pasojat tragjike të tërmetit.

Asnjë shqiptar i lënduar prej tërmetit tragjik në Turqi, Xhaçka: Jemi gati të ndihmojmë

Për tërmetin tragjik në Turqi dhe Siri, ka reaguar dhe ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme Olta Xhaçka.

Përmes një postimi në Twitter, Xhaçka shkruan se Shqipëria është gati të ndihmojë me sa mundet në këtë moment të vështirë për Turqinë.

“Zemrat dhe lutjet tona shkojnë për viktimat e tërmetit tragjik që goditi #Turqinë  & #Sirinë  sot duke shkaktuar qindra viktima. Në këtë orë të vështirë, ne jemi gati të ndihmojmë #Turqinë në çdo mënyrë që mundemi”, shkruan ministrja Xhaçka.

Ndërkohë, bazuar në komunikimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Turqi (që prej orëve të para të mëngjesit e deri tani) nuk ka informacion për shqiptarë të lënduar ose që mund të kenë humbur jetën.

Begaj: I pikëlluar thellësisht nga tërmeti shkatërrues në Turqi e Siri

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për tërmetin tragjik në Turqi dhe Siri.

Përmes një postimi në Twitter, kreu i Shtetit shkruan se ai dhe shqiptarët janë pranë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre nga kjo tragjedi e tmerrshme.

I pikëlluar thellësisht nga tërmeti shkatërrues që goditi #Turkiye dhe #Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve të tyre, që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme, duke shprehur ngushëllimet, mendimet dhe lutjet tona të sinqerta”, shkruan Begaj.

Pas lëkundjeve të forta, shpërthen në flakë tubacioni i gazit në Turqi (Video)

Pas tërmetit tragjik në Turqi ku kanë vdekur më shumë se 284 persona, ka shpërthyer në flakë një tubacion i gazit natyror në Hatay. Sipas mediave të huaja zjarri ka shpërthyer në dy vende të gazsjellësit i  cili shtrihet përmes fshatit Topboğazı.

Momenti i shpërthimit pasoi menjëherë pas lëkundjeve të forta të tërmetit në provincën e Kahramanmaraş.

Epiqendra e tërmetit ishte 26 km larg qytetit të Gaziantepit dhe me thellësi mbi 7 kilometër nën sipërfaqe.

Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë tha se tre tërmete të tjera me magnitudë 6.4-6.6 goditën provincën Gaziantep në Turqinë juglindore.

Si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë, lëkundje të forta janë ndjerë edhe në Siri, Liban, Egjipt dhe Qipro.

Tërmeti tragjik në Turqi, Erdogan: Shpresojmë ta kalojmë shpejt këtë fatkeqësi

Një tërmet me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter u ka marrë jetën mëngjesin e sotëm më shumë se 500 personave në Turqi e Siri.

Presidenti turk Tayip Erdogan ka reaguar për tragjedinë përmes një postimi në Facebook ku thotë se ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë në këto zona dhe shpreson që kjo fatkeqësi të kalojë sa më shpejt.

“Ekipet tona të kërkim-shpëtimit janë dërguar në zonat e prekura nga tërmeti. Ministria jonë e Brendshme dhe Shëndetësia, AFAD, Guvernatorët dhe të gjitha institucionet e tjera kanë nisur punën me shpejtësi. Po bashkërendojmë edhe punimet e nisura pas tërmetit. Shpresojmë që këtë fatkeqësi që po përjetojmë ta kalojmë sa më shpejt dhe me sa më pak dëme. Ne vazhdojmë punën tonë”-shkruan presidenti turk.

Lëkundjet e forta të mëngjesit të sotëm janë ndjerë edhe në Qipro, Gaza dhe Liban. Autoritetet turke shpallën “alarmin e nivelit 4” që kërkon ndihmë ndërkombëtare dhe SHBA shprehën të parat gatishmërinë për të ndihmuar.

Flet shqiptari në Turqi: Isha në katin e 12 të hotelit kur ra tërmeti, e pamundur të zbrisja poshtë

Bruno Dodi, një shqiptar në Turqi, ka treguar momentet e vështira nga tërmeti vdekjeprurës me magnitudë 7.8. Në një lidhje për Klan News, Bruno Dodi thotë se ka qenë në katin e 12 të një hoteli në qytetin Adana kur vendi u trondit nga tërmeti i fuqishëm.

“Ka pasur lëkundje nga ora 05:00 deri tani, pothuajse çdo 10-15 minuta ka lëkundje. Shembje të banesave ka këtu në Adana, unë jam në qendër të Adanasë, njerëzit janë pothuajse akoma jashtë që nga mëngjesi kur filluan lëkundjet. Situata është e vështirë, ishte një tërmet i fuqishëm. Unë banoja për momentin në katin e 12 të një hoteli dhe ishte e pamundur që të zbrisje poshtë. Ishte shumë tronditës”, thotë Bruno Dodi.

Sipas tij, edhe në aeroportin e këtij qyteti ka të ngjarë që të ketë patur probleme nga lëkundjet sizmike.

Qyteti Adana është një nga të prekurit e tërmetit në Turqi, ku janë rrëzuar edhe pallate.

Tërmet me magnitudë 7.8 në Turqi, qindra të vdekur

Një tërmet i fuqishëm goditi gjatë natës juglindjen e Turqisë, në kufi me Sirinë, duke i marrë jetën qindra personave, në të dy shtetet. Qendra Amerikane e Sizmologjisë tha se tërmeti ishte me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter.

Lëkundjet e forta u regjistruan në orën 04:17 me orën lokale. Ato ishin me thellësi 17.9 kilometra dhe me epiqendër pranë qytetit të Gaziantep.

Autoritetet në Turqi kanë konfirmuar vdekjen e të paktën 284 personave deri më tani. Zv/Presidenti i Turqisë Fuat Oktay ka bërë të ditur se 2323 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. 10 janë qytetet turke që janë prekur nga ky tërmet.

Në Siri, mediat atje raportojnë për të paktën 386 të vdekur dhe mbi 988 të plagosur.

Shifrat janë paraprake dhe numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, pasi të shumtë janë ata që dyshohen të jenë zënë nën rrënoja. Lëkundjet e forta shembën shumë ndërtesa dhe ekipet e shpëtim-kërkimit po punojnë për nxjerrjen e njerëzve të zënë poshtë.

Tërmeti i kësaj të hëne besohet të jetë më i forti që godet Turqinë që prej vitit 1939, kur një tërmet me magnitudë të njëjtë i mori jetën 30 mijë personave.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share