VASILEVSKA: PUSHTETI PO SHKARKON ALITIN SEPSE NUK ËSHTË I KORRUPTUAR
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka vazhduar sot debatin për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti nga radhët e Alternatvië. Deputetja e VMRO – DPMNE -së, Ivanka Vasilevska, sic njofton KlanM, gjatë fjalimit të saj tha se, rikonstruimi i Qeverisë nuk paraqet shpresë për shtetin dhe se, gjëja e vetme që duhet të bëhet është të shpërbëhet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Vasilevska beson se, ministri Aliti po shkarkohet vetëm se nuk është i korruptuar dhe e ka bërë punën si duhet.
“Unë do t’ju kuptoja nëse do të shkarkonit ministër, drejtor, të shkarkonit edhe zëvendëskryeministër nëse me të vërtetë nuk i është përgjigj detyrës së dhënë. Por, me të vërtetë nuk mund ta kuptoj pse vendosët ta ndërronit këtë ministër konkret. Ndoshta sepse ky ministër nuk ka qenë i korruptuar, ka qenë profesionist dhe ka punuar për një vit sa ka mundur të punojë sa i ka lejuar koha, nuk është i pranueshëm dhe e nxirrni në këtë mënyrë nga kabineti qeveritar” – tha Ivanka Vasilevska, deputete e VMRO-DPMNE.
Sipas deputetes së Alternativës, Safije Sadiki Shaini, ministri Aliti ka punuar shumë më shumë nga ministrat paraprak në fushën e digjitalizimit dhe mediave.
“Shkarkimi brutal nëse bëhet për punën e ndershme që e ka bërë, atëherë për ne ajo është nderë. Qasja e këtillë nuk është normale dhe as evropiane. Nëse shkojmë drejt Evropës, ta kemi të qartë se me këtë mendësi nuk do të jemi të mirëseardhur” – tha Safije Sadiki, deputete e Alternativës.
Nga ana tjetër, deputetja e LSDM-së, Daniela Koleva, sic percjell KlanM, akuzoi opozitën se me qëllim po bllokon punën e Kuvendit dhe po zvarrit zgjedhjen e Qeverisë së re.
“Kjo që e bëni ju është jonjerëzore, ju vetëm për shkarkimin e ministrave dhe zëvendësministrave, një javë vetëm për një shkarkim, e merr fjalën të gjithë. Pse?! Vetëm ta bllokoni dhe destabilizoni shtetin. Institucionet dhe ministritë nuk munden të funksionojnë një muaj të tërë prej juve. Ta dinë qytetarët kush e bllokon këtë shtet dy vite e gjysmë. Ta dinë pse ministritë nuk mund t’i nënshkruajnë urdhërpagesat, sepse nuk mund të zgjedhim ministra për shkak të juve” – tha Daniela Koleva, LSDM.
Kujtojmë, javën e kaluar përfundoi debati për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali, por votimi do të caktohet në mënyrë shtesë. Në rend dite të kësaj seance, është edhe shkarkimi i ministrit pa resorë për diasporë, Xhemail Çupi, si dhe emërimi i ministrave të rinj – Fatmir Mexhitit për ministër të Shëndetësisë, Azir Aliut për ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Krenar Llogës për ministër të Drejtësisë dhe Kaja Shukovës për minsitre të Mjedisit Jetësor. /KlanMacedonia/