Dalin pamjet e vjedhjes së makinës. Policia: 100 mijë € shpërblim
Këto janë pamjet e vjedhjes së automjetit tip Range Rover që përdorën autorët në sulmin ndaj godinës së Top Channel, ku humbi jetën punonjësi i sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç.
Video që shihni është fiksuar nga kamerat e sigurisë më 10 Korrik të 2020, në zonën e Tales në Lezhë, kur automjeti në pronësi të një shtetasi nga Kosova vidhet gjatë natës në parkingun e një hoteli.
Rreth 1 minut i duhen autorit për të kryer vjedhjen e më pas largohet. Ashtu si makina, edhe targat e vendosura të përdorura në vrasje rezultuan gjithashtu të vjedhura në 31 Dhjetor të 2022, në Tiranë.
Pavarësisht këtyre të dhënave policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve. Tv Klan sjell grafikisht dinamikën e ngjarjes së rëndë, me lëvizjet e autorëve para dhe pas krimit.
Për herë të parë kamerat e sigurisë e kanë fiksuar automjetin e tyre në zonën e Kasharit, rreth orës 00:27 ku ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë.
Pasi mbërrin përballë godinës së Top Channel, autorët e përshkojnë atë me makinë për t’u rikthyer pas vetëm pak sekondash duke lëshuar breshërinë e plumbave.
Pasi kanë qëlluar të paktën 25 herë në drejtim të godinës, ata janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar sërish nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit.
Vetëm 19 minuta më vonë, mjeti tip Range Rover i autorëve u dogj në afërsi të Golemit, në zonën e quajtur “Përroi i Agait”.
Në brendësi të tij, u gjetën dhe dy kallashnikovët e përdorur nga autorët. Për identifikimin e tyre në pyetje janë marrë disa persona, por deri më tani policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve që dyshohet se ishin 3 persona.
Për t’i ardhur në ndihmë hetimit të ngjarjes së rëndë, policia njoftoi se ka vendosur nje shpërblim në vlerën e 100 mijë Eurove për këdo që jep informacion të vlefshëm për identifikimin e autorëve./ Tv Klan