Kovaçevski ia dorëzoi detyrën kryeministrit të sapoemëruar, Talat Xhaferi

Kryeministri i deritanishëm i vendit, Dimtar Kovacevski, ia dorëzoi sot detyrën kryeministrit të sapoemëruar, Talat Xhaferi. Pas ceremonisë së pranim – dorëzimit të detyrës, dy liderët realizuan edhe një takim tet-a-tet.

Në konferencën e përbashkët të mbajtur për mediat pas takimit, dy liderët theksuan rëndësinë e organizimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve të qeta, të korrekte dhe demokratike. Kovaçevski u bëri thirrje forcave politike në vend për unifikim, në mënyrë që vendi të mund të realizojë qëllim strategjik që deri në vitin 2030 të bëhet anëtare e plotë e BE-së.

“Koalicioni evropian edhe në këtë Qeveri do të jetë shtyllë e së tashmes evropiane dhe ardhmërisë evropiane të të gjithë qytetarëve. Në emër të kësaj ua dhamë dorë dhe kërkojmë mbështetjen nga të gjitha forcat progresive që të vazhdohet ajo rrugë! Që të jetë më mirë për të gjithë, të jetë më mirë para së gjithash për të rinjtë dhe për gjeneratat e ardhshme!”, tha Dimitar Kovaçevski.

Ndërkohë, Xhaferi tha se, përpos parapërgatitjes, organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike presidenciale dhe parlamentare, mbajtja dhe avancimi i partneritetit strategjik të vendit me aleatët properëndimor, mbeten prioritet edhe i kësaj qeverie.

“Integrimi evropian dhe përmbushja e obligimeve që rrjedhin nga negociatat e nisura dhe procesit të skriningut dypalësh, si Udhërrëfyesi për reformat në administratën publike dhe për kapitujt për sundimin e së drejtës me Plan Aksionar, përpilimi i Udhërrëfyesit për funksionimin e institucioneve demokratike, për integrimin e plotë dhe të përshpejtuar dhe anëtarësimin e plotfuqishëm të shtetit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, janë po ashtu lartë në agjendën e Qeverisë”, tha Talat Xhaferi.

Kujtojmë se, qeveria teknike, që del nga Marrëveshja e Përzhinës, ka mandat 100 ditësh, me kompetenca të kufizuara dhe ka për obligim që të organizojë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në parim me standardet demokratike dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa rrethi i dytë, së bashku me zgjedhjet parlamentare, do të mbahet më 8 maj./KlanMacedonia

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share