Në organizim të klubit të shahut “Anpasan” dhe në bashkëpunim me Qendrën kulturore Vizioni M, më datën 25 qershor, në hapësirat e hotel “Scardus” në Kodrën e Diellit, do të zhvillohet edicioni i tretë Turneu ndërkombëtar në shahun rapid “Vizioni M 2023”.
Turneu do të jetë i tipit të hapur, 9 xhiro sipas sistemit zviceran dhe do të rangohet në FIDE. Do të vlejnë rregullat e FIDE për shahun rapid.
Afati i fundit i regjistrimit është data 23.06.2023 ( e premte). Të gjithë shahistët duhet ta konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre në sallën e turneut më 25.06.2022 nga ora 09:00 deri në ora 09:30. Turneu nis në orën 10:00 me xhiron e parë.
Sipas kryetarit të klubit të shahut “Anpasan” nga Tetova, Nazmidin Imeri deri më tani pjesëmarrjen e tyre e kanë paraqitur mbi 110 shahist nga vendi dhe Rajoni.
“Në këtë turnir të tretë ndërkombëtar pritet të marrin pjesë afro 200 lojtar të shahut nga të gjitha klubet e vendit si dhe shahist nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Mali Zi, Serbia e tjerë. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar kampioni i Shqipërisë Landi Pasko, ai Kosovës Nderim Saraçi dhe i vendit tonë Zvonko Stanojevski. Presim edhe emra tjerë të njohur” tha Nazmidin Imeri, kryetar i KSH “Anpasan”.
Turneu i shahut “Vizioni M 2023” do të zhvillohet sipas të gjitha rregullave të FIDE-s që do të thotë se zgjat 10 minuta + 5 sekonda. Për fituesit do të ketë shpërblime me të holla, mirënjohje dhe Kupa./KlanMacedonia