Klan Debat: Rritet kërcënimi nga krimi kibernetik

ALITI: DUHET NJW INSTITUCION QENDROR PËR SIGURI DIGJITALE

Ministri në largim i Shoqërisë Informatike Admirim Aliti nuk zbardh detaje nëse për sulmin kibernetik në Fondin e Shëndetësisë hakerët janë paguar, as nëse deri më tani është paguar për sulm të ngjajshëm ndaj institucioneve të tjera. Në Klan Debatin e mbrëmshëm pohoi se siguria e sistemeve digjitale në institucionet publike është poroze sepse nuk investohet në mënyrë adekuate për sigurinë kibernetike. Profesoresha Svetllana Stojanovska rekomandon vetëdije më të lartë të popullsisë për ruajtjen e të dhënave personale në botën digjitale.

Institucionet që do preken nga sulmet kibernetike duhet me ligj dhe në mënyrë obligative të raportojnë për këtë në një agjenci qendrore, e cila për momentin në vend nuk ekziston. Procedurë të këtillë, sipas shembullit të vendeve të zhvilluara, rekomandon Admirim Aliti, Ministër në largim i Shoqërisë Informatike, i cili në Klan Debatin e mbrëmshëm pohoi se në institucione mungojnë shumë mekanizma për mbrojtjen e të dhënave në sistemet digjitale.

“Kemi projekte në institucione të ndryshme për të cilat shuma milionëshe shpenzohen për digjitalizim, por nuk i kushtohet rëndësi sigurisë së atij sistemi. Ndërsa në qoftë se keni sistem që nuk është i sigurtë, mund të ndodhë të prishet dhe të shkaktojë dëm. Për këtë arsye them nga prizmi i shtetit – duhet të intervenohet edhe në pjesën e rregullores ligjore, të jetë obligim ligjor investimi edhe në sigurinë gjatë digjitalizimit dhe në mënyrë obligative institucionet të komunikojnë ndërmjet vete” – deklaroi Admirim Aliti.

Po të ndodhte hakerimi i sistemit të Fondit të Shëndetësisë në Gjermani, me siguri do të zgjaste 15 minuta derisa të gjitha shërbimet të kthehen në funksion, për Klan Debat më shkrim u përgjigj Robert Mileski, inxhinier i informatikës, i cili për vite me rradhë punon në Gjermani.

“Nuk besoj se Ransomware mund të hyjë aq thellë në infrastrukturën kritike, por për çdo rast sistemi përmes lokacionit sekondar backup kthehet në funksion brenda 15 minutave. Edhe vetë Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut disponon me lokacion sekondar backup, por për arsye të paqarta ai nuk është në funksion. Kjo tregon joprofesionalizëm” – tha Robert Mileski, inxhinier it.

Pasojat e hakerimit të Fondit të Shëndetësisë në vend, i cili për dy javë e bllokoi gjithë sistemin shëndetësor, profesoresha Svetllana Stojanovska, nga Fakultetit për Siguri në Shkup, thotë se mund të ndjehen për vite me rradhë.

“Unë nuk e di deri ku do të arrijnë të dhënat e mia. Më besoni nuk e di nëse pas dhjetë viteve në kartelën time do të gjej se më kanë bërë ndonjë trajtim mjekësor dhe dikush ka paguar. Këtu jemi në rentgen. Disa njerëz nuk dëshirojnë të tregojnë se janë të sëmurë, nuk dëshirojnë të kenë keqardhjen e rrethit” – tha Svetlana Stojanovska.

Ministri  nw largim Aliti pret që për kohë të caktuar të kuptohet nëse të dhënat e Fondit të Sigurimit Shëndetësor janë vjedhur, duke mos saktësuar nëse shteti ka paguar që ta marrë çelësin nga vjedhësit. /KlanMacedonia/

PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share