“DO T’I VOTOJË NDRYSHIMET KUSHTETUESE EDHE PSE NË PROPOZIM NUK ËSHTË HEQJA E “20%”
Kreu i Partisë Demokratike Evropiane, Arjanit Hoxha, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen t’i bashkohet Frontin Evropian të promovuar nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Hoxha gjatë emisionit Klan Debat deklaroi se ata ende nuk e kanë të qartë se çfarë përfshinë ky front, por sipas tij, ideja për “front evropian” nuk është për ta hedhur.
Megjithatë, siç thotë Hoxha, ai dhe partia e tij do të bisedojnë për këtë ide vetëm kur të dihet qartë se çfarë përmban e kush janë mbështetësit apo se çka duan të arrijnë më këtë Front.
“Nga ajo të cilën ne e dëgjojmë, nuk është ide që duhet hedhur. Unë e kam thënë edhe në të kaluarën në pozicione të tjera se çdo ide që ka të bëjë me unifikim, së pari të faktorit politik shqiptar dhe së dyti, të faktorit politik që është i orientuar pro-evropian, për të vijuar rrugëtimin e shtetit, ne jemi të hapur të bashkëbisedojmë dhe të ecim drejt kësaj. Dhe kjo nuk është asgjë e keqe” – tha Arijanit Hoxha, PDE.
I pyetur në lidhje me procesin e ndryshimeve kushtetuese, ai tha se edhe përkundër faktit se në propozimin e qeverisë për ndryshimet kushtetuese nuk parashihet heqja e “20 përqindëshit” për gjuhën shqipe dhe popullin shqiptar, sërish partia e tij do t’i votojë këto ndryshime kushtetuese.
“Do ishte shumë më mirë që në propozim të ishte edhe ajo çështje. Për fat të keq propozuesi, që në këtë rast është qeveria, nuk e ka vlerësuar se duhet të jetë dhe përgjegjësinë politike e mbajnë ata. Kështu siç është propozimi në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, respektivisht për futjen e bullgarëve dhe disa pakicave tjera në Kushtetutë, vota e deputetit tonë do të jetë ‘pro’” – tha Hoxha, PDE.
Duke folur për ftesën për bashkëpunim nga studio e Klan Debat të bërë nga Izet Mexhiti Hoxhën dhe partiën e tij, ky i fundit u shpreh se qëndrimin për Fronti Opozitar e ka të qartë. Ky front, sipas tij, nuk ka kauzë, por bashkëpunim interesash. /KlanMacedonia/