“Kemi edhe disa kilometra drejt BE”, Rama me batuta në mbyllje të samitit: Kur yjet të rakordojnë, do bëjmë dasmë

Në mbyllje të konferencës me kancelarin gjerman Olaf Scholz e komisioneren Ursula Von der Leyen, kryeministri Edi Rama përpos mirënjohjes u shpreh se “Shqipëria ka ende detyra shtëpie për të bërë” dhe se udhëzimet e vetme për ndërtimin e një shteti demokratik i jep Bashkimi Evropian.

“Pra kemi një ndryshim fundamental, mund ta flasim sa gjatë do marrë procesi apo sa torturuese është kjo rrugë, por që prej agresionit rus ka diçka të pakthyeshme, ne jemi shumë vëzhgues ndaj çdo mënyrë të foluri, përplasje sysh, buzëqeshjeje. Sot nuk është njësoj, ky Samit ka prodhuar rezultate krejtësisht të ndryshme, Von der Leyen e tha. Në kuptimin që tregon te BE se po u hapet e drejta vendeve jo anëtare që të bëjnë hapa shtesë që normalisht janë të lidhura me anëtarësimin, si financiarisht, ashtu dhe në hapjen e një marketi të vetëm. Nuk janë të gjitha vendet anëtare dakord për këtë, ka pasur skeptikë. Jam shumë optimist për këtë frymë që ekziston mes vendeve anëtare dhe jo anëtare, kemi një vëmendje të lartë. Kemi arritur në pikën që Gjermania, Franca thonë do bëni disa kilometra të tjerë dhe ne jemi këtu për këtë.”

Rama nuk kurseu batutat në fjalën e tij duke thënë se BE e Ballkani Perëndimor janë “çift, por që ende s’kanë marrë bekimin e kishës”.

“Si do vinim në këtë pikë nëse nuk do na tregonit se çfarë të bënim? Ju duhet të jeni Gjermania që ne mos t’ju themi se çfarë të bëni. Gjermaninë e dua, por e dimë dhe mësuam në mënyrën e vështirë, kemi nevojë të na shtyni sepse gjithçka thotë BE na prodhon dicka që nuk e gjejmë dot gjëkundi, se mëson as në libra, është ndërtimi i shtetit në mënyrë demokratike, s’ka kush të na e mësojë përveç BE. Mund të them që ky samit ishte historik sepse ka hapur një rrugë që do jetë më e gjerë vitin që vjet, akoma më e gjerë pas dy vitesh, nuk e kam thënë kurrë që do kemi një ‘date’ me BE, mësova se të dalësh në takime nuk ka rëndësi sa shumë dëshiron të dalësh, por bëj detyrat dhe pastaj shiko, kur yjet të rakordojnë atëherë do bëjmë dasmë. Ne jemi çift pavarësisht se nuk jemi bekuar nga kisha apo kryetari i bashkisë.”

Duke e cilësuar samitin mjaft frytëdhënës, Rama i falenderoi liderët europianë për prezencën e tyre në Tiranë dhe tha se vendi është gjithnjë i hapur për zhvillimin e samiteve.

“Ju falenderoj shumë për këtë mundësi të madhe, që jeni në Tiranë jo vetëm për të përsëritur që dyert tona janë të hapura dhe si një provë konkrete, që po, disa hapësira janë ta hapura. Tani është vetëm mënyra si do sillemi, ju falenderoj që erdhët dhe keni qenë kaq të duruar, shpresoj mos të ketë qenë një ditë e mërzitshme, do donim ta bënim qendrën e samiteve Shqipërinë dhe mund ta ofrojmë këtë shërbim kudo tjetër me konsensusin e 47 vendeve.”/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share