Kurti i thotë “Jo” Kovaçevskit refuzon ftesën për “Ballkanin e Hapur”

“PRISHTINA DHE SHKUPI TA PARANDALOJNË NDIKIMIN RUS PËRMES SERBISË”

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka refuzuar të marrë pjesë në samitin e Ballkanit të Hapur që do të mbahet në Ohër më 7 dhe 8 qershor.

Kryeministri i Maqedoninë e Veriut e kishte ftuar Kurtin në këtë Samit por Kurti i ka kthyer përgjigje negative nëpërmjet një letre të gjatë ku edhe shpjegon arsyet e tij për refuzim.

“Republika e Kosovës mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtarë. Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian”, thuhet në letrën e Kurtit për kryeministrin maqedonas.

Sipas Kurtit, të dyja vendet ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Sipas Kurtit, këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operohet me rregullat dhe vlerat e BE-së.

“Ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë. Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë. Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, thuhet në letër.

Kosova vazhdimisht refuzon të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur ndërsa vazhdimisht përmend procesin e Berlinit duke kërkuar fillimisht arritjen e një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share