I kërkuar nga Policia e Kosovës, Milan Radojçiq shihet në takim me Vuçiqin

Milan Radojçiq, i cili është në kërkim nga Policia e Kosovës për shkak të akuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës se është i inkriminuar në vrasjen e Oliver Ivanoviqit është parë në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Takimi i cili po mbahet në Pallatin e Serbisë, ka filluar pas orës 11:00, ku mes tjerash, Vuçiq ka ftuar të gjithë spektrin politik serb nga Kosova pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit dhe takimeve në Bruksel, në kuadër të dialogut.

Në pamjet e publikuara nga ky takim po marrin pjesë edhe kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, zv/kryetarët e LS-së, Igor Simiq, Dalibor Jevtiq, si dhe i kërkuari nga autoritetet kosovare Milan Radoiçiq, që kohëve të fundit ka sfiduar disa herë shtetin e Kosovës.

Ai javë më parë ka postuar një video në të cilën tregon se rikthyer në atë që ai e quan “Kosovë e Metohi”.

Në një video të postuar në Youtube, ai ka thënë se nuk ka më kthim prapa dhe se nuk do të zbrapset më.

Në video mesazhin 32 sekondësh, nënkryetari i Listës Serbe i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka theksuar se terrori kundër popullit serb po fillon.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, deklaronte Radojçiq nga Leposaviqi.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share