Grubi: Përveç daljes nga Qeveria, heqim dorë edhe nga kryeministri shqiptar nëse VMRO-ja voton ndryshimet Kushtetuese

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në intervistën e mbrëmshme për televizionin e Kosovës T7 deklaroi se vendimi për dorëheqje të ministrave nga radhët e BDI-së janë në funksion të integrimeve të Maqedonisë së Veriut në BE.

Grubi deklaroi se me vendimin për deponim të dorëheqjeve nga ana e ministrave, BDI ia hapi rrugën opozitës maqedonase të votojë “për” ndryshimet kushtetuese.

Grubi tha se me vendimin të cilin dje e kumtoi lideri partiak, Ali Ahmeti, BDI heqë dorë edhe nga premtimi i dhënë në zgjedhjet e fundit parlamentare për kryeministër shqiptar në Maqedoni të Veriut, dhe atë e bën “për të mirën e qytetarëve dhe në dobi të integrimit në BE”.

“Nëse ne shkojmë në opozitë, me ç’rast opozita (VMRO-DPMNE) do t’i votonte ndryshimet kushtetuese, për çka nevojiten dy të tretat në Kuvend, ne kemi thënë se për të ardhmen e vendit tonë jemi të gatshëm të heqim dorë edhe nga qeveria e përkohshme edhe nga kryeministri shqiptar edhe nga mandatet tona. Nga gjithçka që është marrëveshje politike e koalicionit, ne heqim dorë, nën kushtin që opozita maqedonase t’i votojë ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Grubi për T7.

Vendimi për dorëheqjet e ministrave, shtoi zëvendëskryeministri i parë, nuk është i papritur, sepse “përcaktim i z. Ahmeti dhe i BDI-së për integrim të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE nuk është i sotëm, nuk është i djeshëm, por është aktual që nga themelimi i partisë”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share