Geer: Përparim i kufizuar në fushat kyçe për negociatat aderuese!

GEER: PËRPARIM I KUFIZUAR NË FUSHAT KYÇE PËR NEGOCIATAT ADERUESE!

“VENDI TË SHFRYTËZOJË DINAMIKËN E ZGJERIMIT”

Euroambasadori, David Geer sot duke prezantuar raportin e progresit të KE-së për Maqedoninë e Veriut tha se, vendi nuk ka shënuar aspak përparim apo përparim të kufizuar në fushat kyçe për negociatat qasëse, siç është sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, reformat në administratën publike dhe të drejtat themelore të njeriut.

Euroambasadori theksoi se, raporti i sivjetmë vjen në kontekst kur ka një dinamikë të konsiderueshme në zgjerim, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë dhe porositi se, vendi duhet ta shfrytëzojë këtë dinamikë.

“Raporti është i sinqertë, por i drejtë. Me atë ne duam t’i inkurajojmë autoritetet, institucionet shtetërore, si dhe të gjithë aktorët politike të bëjnë shumë më shumë që t’i avancojnë reformat në interes të qytetarëve dhe në interes të rrugës drejt anëtarësimit në BE. Duam që Maqedonia e Veriut të shfrytëzojë këtë dinamikë. Raporti vjen edhe në kontekst të mundësive posaçërisht me propozimin e komisionit për planin për zhvillim të Ballkanit Perëndimor. Duam që Maqedonia e Veriut ta shfrytëzojë këtë mundësi” – tha David Geer, euroambasador.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri, Bojan Mariçiq duke folur për pakon për zhvillim ekonomik të vendeve  nga Ballkani Perëndimor, tha se, me këtë vendoset edhe një dinamikë e re shtesë në procesin e integrimit në BE. Ai tha se, me planin për zhvillim mundësohet qasje në tregun e përbashkët evropian.

“Qëllim i përbashkët i yni dhe i BE-së, është që deri në prill të vitit 2024, të bëhet edhe transferi i parë i mjeteve drejt Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë se, nëse vazhdojmë dhe përshpejtojmë me reformat dhe procesin e integrimit, transferi i parë i kësaj pako të re veç më mund ta kemi për pesë muaj prej tani” – deklaroi Bojan Mariçiq.

Presidentja e KE-së, Ursula fon der Leyen dhe eurokomesari për zgjerim, prezantuan të mërkurën raportin e progresin për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo tha se, këto vende duhet t’i bashkohen BE-së për ta bërë akoma më të fortë, e rrjedhimisht duhen marrë më shumë masa sigurie.

Mes tjerash, në raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut thuhet se, vendi nuk ka arritur asnjë përparim në fushën e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, ka pasur keqpërdorim të flamurit evropian në miratimin e ligjeve, duke nënvizuar po ashtu edhe, gjendjen e tmerrshme të burgjeve, mosmiratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe mungesën e reformave në administratën publike. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share