Izraeli merr kontrollin e vendkalimit kyç të Gazës ndërsa bisedimet për armëpushim do të rifillojnë

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë deklaruar se kanë kontroll operacional në anën e kalimit të Gazës në Rafah. Njoftimi vjen pasi Izraeli tha se kishte sulme të synuara kundër Hamasit në Rafahun lindor. Sipas raportimeve të mediave izraelite, Izraeli kreu sulme në Rafah gjatë natës, ndërsa forcat dhe tanket izraelite janë parë pranë pikës kufitare Rafah në Gazën jugore.

Ushtria izraelite tha se kishte kryer sulme në shënjestër në Rafahun lindor. Më parë ajo urdhëroi evakuimin e rreth 100.000 njerëzve në një kamp të ri humanitar pranë Khan Younis. OKB-ja, SHBA-ja dhe shtete të tjera kanë paralajmëruar se një sulm ndaj qytetit ku janë strehuar më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur, mund të ketë pasoja katastrofike.

Ndërkohë, bisedimet do të rifillojnë në Kajro pasi Hamasi konfirmoi se do të pranonte një marrëveshje të hartuar nga ndërmjetësit e Egjiptit. Megjithatë, ajo u refuzua nga Izraeli dhe e cilësoi si të largët nga përmbushja e kërkesave thelbësore të tij.

Akoma nuk është e qartë se për çfarë ka rënë dakord Hamasi, por propozimi mendohet të përfshijë lirimin e pengjeve dhe kthimin e palestinezëve të zhvendosur brenda Gazës. Kabineti i luftës i Izraelit votoi për vazhdimin e operacioneve, por megjithatë ka në plan të dërgojë një delegacion për bisedime indirekte në Kajro.

Lufta nisi kur luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 Tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke kapur 252 pengje. Kjo solli kundërpërgjigjen e Izraelit dhe që atëherë më shumë se 34,700 persona janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share