NË KRATOVË SILEKSI SFIDON KAMPIONIN EKIPIN FC SHKUPI
Të dielën me fillim në orën 14:00, në program janë katër ndeshje të javës së 20-të në Ligën e parë, të futbollit vendor. Shkëndija është nikoqire e Pobedës së Prilepit, ndërsa kampioni në fuqi në transfertë përballet me Sileksin në Kratovë
“Kuqezinjtë” e nisën keq sezonin pranveror me humbjen zhgënjyese ndaj FC Shkupit në Kërçovë. Të dielën në Tetovë “zbarkon” Pobeda e Prilepit. Tetovarët nuk kanë opsion tjetër përvec fitores dhe arkëtimit të tri pikëve.
“Normalisht që mossuksesi na erdhi i rëndë, por nuk guxojmë të ulim kokat, duhet të ngrihemi, të dielën gjithashtu na pret një kundërshtar i mirë, nuk guxojmë askënd të nënvlerësojmë, duhet të hyjmë qind për qind në ndeshje dhe do të japim gjithçka nga vetja që tri pikët të mbeten në Tetovë” – tha Metodi Maksimov, futbollist i KF Shkëndija.
Një ndeshje mjaft interesante pritet të zhvillohet në Kratovë ku Sileksi sfidon kampionin në fuqi ekipin e Shkupit. Në faqen e Facebookut skuadra nga Çairi njofton tifozerinë e saj se kjo ndeshje do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, për shkak të mungesës së hapësirës në tribunën nikoqire.
Në dy takimet tjera përballen Rabotniçki – Bregallnica dhe Skopje – Tikveshi. Akademija Pandev është e lirë. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Shaban Sinani