FSHF shtron iftar për futbollistë, gazetarë e drejtues të klubeve të “Abissnet Superiore”

Federata Shqiptare e Futbollit ka shtruar iftar me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit për futbollistë, drejtues të klubeve të “Abissnet Superiore” si edhe përfaqësues të mediave, të cilët agjërojnë.

Iftari u organizua nën kujdesin e veçantë të Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili në një fjalë të shkurtër përshëndetëse para të pranishmëve theksoi se muaji i shenjtë i Ramazanit është i rëndësishëm për të gjithë pasi nëpërmjet sakrificës na nxjerr në pah vlerat më të mira njerëzore.

“Ju falënderoj që pranuat ftesën e FSHF-së për të marrë pjesë në këtë iftar që organizuam me rastin e muajit të Ramazanit. Nëpërmjet kësaj darke e përfaqësie, ne falënderojmë të gjithë besimtarët myslimanë të komunitetit të futbollit, dhe jo vetëm, për muajin e madhërishëm të Ramazanit. Ky është një muaj i rëndësishëm për të gjitha virtytet që ka, është muaji i solidaritetit, i bashkimit, i faljes e i sakrificës.

Dua t’ju uroj sa më shumë mbarësi të gjithë juve që jeni këtu, komunitetit sportiv dhe të gjithë shoqërisë shqiptare. Ne jemi si një familje e madhe dhe çdo gjë e ndajmë bashkë në futboll, në jetë, në besimin fetar e në gjithçka tjetër dhe për këtë jam i lumtur e i gëzuar që jam pjesë e juaja”, – tha Presidenti Duka duke uruar që Zoti t’ua pranojë të gjithëve agjërimin, lutjet dhe sakrificën.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share