Dita e fundit e Ljubomir Jovevskit si kryeprokuror

JOVEVSKI: ANKETAT PËR BESIMIN NË GJYQËSOR TË PASAKTA

Ljubomir Jovevski, sot e përfundoi mandatin e tij si kryeprokuror. Në ditën e fundit, iu drejtua mediave në formë të shkruar. Sipas tij Prokuroria ka qenë transparente dhe llogaridhënëse, ndërsa sulmet ndaj saj, shpesh të pabaza. Në letrën e tij ai ka theksuar se vlerësimet e ulëta të Komisionit Evropian për luftën kundër korrupsionit, nuk kanë qenë drejtpërdrejt për prokurorinë, por se është insistuar që shteti të sigurojë më shumë resurse. Sipas kryeprokurorit, qytetarët e kanë pasur më të madh besimin në gjyqësor, pasi anketat nuk kanë qenë të sakta.

“A mundëm të bëjmë më shumë dhe më mirë në gjashtë vitet e kaluara? Sigurisht që po, por në asnjë momentin nuk kam ndaluar angazhimin për më shumë dhe për rezultate më të mira. Anketat, ashtu siç bëhen për politikanët dhe partitë politike, nuk janë përkatëse për matjen e besimit të punës së Prokurorisë Publike”, tha Ljubomir Jovevski.

Sipas kryeprokurorit publik në ikje, në të dhënat e hetimit të Bankës Botërore të cilat do të publikohen në shpejti, thuhet se vlerësim pozitiv për gjyqësorin kanë dhënë 28% e qytetarëve dhe 33% e biznesmenëve. Jovevski ka dërguar apel edhe për kolegët e tij që të jenë këmbëngulës, sepse gjurmimi pas së drejtës është maratonë.

“Ju ftoj që në çdo rast të demonstroni këmbënguljen tuaj dhe vendosshmërinë në luftën kundër krimit. Mos lejoni që individë ta ndyjnë profesionin në të cilin për çdo ditë investoni. Me luftë të ndershme dhe me insistim rezultatet tuaja nuk do të mbesin të panjohura për opinionin”, tha Jovevski.

Për shkak të përfundimit të mandatit të kryeprokurorit Jovevski, disa ditë më parë anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publik, zgjodhën për ushtrues detyre në pozitën e Kryetarit të Prokurorisë Publike, Sonja Simovskën. Ndërkohë në vijim është procedura për pasuesin e Jovevskit dhe në garë janë tre kandidatë, Fatime Fetari, Lida Rajçeviq dhe Lupço Kocevski./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share