Debat Plus/ Akuzat e Adnan Azizit – pse opozita shqiptare u ik debateve?!

Ermal Panduri në “Debat Plus”, pasi lexoi postimin në Facebook të Adnan Azizit, i bëri ftesë publike Sekretarit të Lëvizjes Besa, që të përballet në studio lidhur me akuzat në adresë të Klan Maqedonisë, por edhe analistëve dhe gazetarëve nga Kosova e Shqipëria.

Përgjigja e Azizit ka qenë negative.

“Ne e kemi ftuar Adnan Azizin që të jetë sonte pjesë e panelit diskutues, këtu në Kosovë, jo në Maqedoni, por edhe në Maqedoni kur të dojë, por ai nuk ka qenë i gatshëm. Ju lutem regjia përgjigjen e Adnan Azizit…”Çështja është se akoma nuk kam dalë në asnjë medium. Poqese vendoi të kem paraqitje televizive, do ju njoftoj, por për momentin Jo”, ka qenë përgjigja kur është ftuar nga gazetarë dhe producentë të emisionit “Debat Plus” – tha Ermal Panduri.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Sulmi i eksponentëve të opozitës shqiptare ndaj gazetarëve të Kosovës duket se ka ngritur shqetësime, pavarësisht që kjo çështje e ndjeshme, nga analistët në Debat Plus, u tentua të zbehet edhe përmes humorit.

“Veç mi jepni ato gjysmë milioni apo sa i keni marë, sepse mua askush ende nuk më ka dhënë” – tha Dibran Hoxha, analist.

Përkundër kësaj, analisti Dibran Hoxha, I bën thirrje opozitës shqiptare të mos gjejë fajtorin kujdestar tek mediat.

“Nëse ti i frikësohesh medias dhe një hapësire, platforme që ka për të ndikuar opinionin atje, atëherë kjo është problematike se kjo nuk tregon për ndikimin e asaj media apo platforme. Kjo tregon për pafuqinë tënde që e ke si bllok opozitar për të ndikuar në anën tjetër. Do të thotë ti nuk mund të gjesh gjithë fajtorë kujdestar” – tha Hoxha.

Mediat në Maqedoninë e Veriut janë pjesë e lojës dhe s`ka asgjë të keqe nëse partitë politike shfrytëzojnë hapësirën mediatike për të treguar idetë e tyre, vlerëson gazetari Naser Selmani. Sipas tij, opozita shqiptare u ik debateve dhe nuk e shfrytëzon këtë hapësirë.

“Ata duhet të pranojnë çdo debat, t`i afrojnë argumentet e tyre dhe të ofrojnë opsionin se pse kanë dalë në skenën politike, pse shqiptarët duhet t`i votojnë dhe pse janë më të mirë se BDI-ja” – deklaroi Naser Selmani, gazetar.

Analisti Lirim Mehmetaj potencon standardet e dyfishta të opozitës shqiptare, kur bëhet fjalë për implikimet në Kosovë dhe nga Kosova.

“Këta kanë ardhë në Kosovë me kërku ndihmë prej Albin Kurtit dhe me u përfshi ai politikisht në RMV. Pra, për ta është e pranueshme që Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës të përfshihet politikisht në RMV, e nuk është e pranueshme as të komentojnë për politikën në RMV, njerëz të tjerë” – tha Lirim Mehmetaj.

Ndryshe është përfshirja e mediave nga ndikimi i kryeministrave në proceset zgjedhore në vendet fqinje, vlerëson analisti Astrit Gashi. Sipas tij, implikimi i Kurtit nga opozita shqiptare, bëhet për të kompensuar dobësitë e tyre në zgjedhje.

“Mendoj se opozita ka problemin më të madh, jo me financat e BDI-së që jepen në Kosovë, sepse nuk e di a jepen, ka problem me veten e saj dhe e dyta, opozita pastaj nuk ka të drejtë të flet për financat që jep BDI-ja dhe për BDI-në, kur ajo fitoren e zgjedhjeve në RMV kërkon ta realizojë përmes Albin Kurtit” – tha Astrit Gashi, analist.

Profesori dhe analisti Nuri Bexheti, vlerëson se ndarja e koalicioneve shqiptare në dy blloqe, është një lajm I mirë për Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

“Të kisha mundësi këtë studio do ta kisha vendosur në mes të Shkupit, në transmetim të drejtpërdrejtë, le të ngihen me debat shqiptarët dhe të mësohemi ta tolerojmë njëri-tjetrin dhe më në fund kur të vijë dita e madhe, le të hidhet vota edhe në raundin e dytë më 8 maj dhe ta shohim fituesin. Kjo është vlera” – tha Nuri Bexheti, analist.

Ndryshe, javën e kaluar, pas edicionit të parë të “Debat Plus” në Klan Maqedoni, Sekretari i Lëvizjes Besa, Adnan Azizi, drejtoi akuza të rënda ndaj Klan Maqedonisë dhe gazetarëve nga Kosova dhe Shqipëria, me pretendime se janë të korruptuar nga BDI-ja.

Liderët e opozitës shqiptare as nuk janë distancuar e as nuk kanë komentuar këto akuza. /tvklan.mk/

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share