“Çekia finalja e parë drejt Euro2024″/ Sylvihno për Reuters: Duhet të ruajmë shpirtin luftarak

Shqipëria më njohu me Asanin

Trajneri Sylvinho ka fituar simpatinë e tifozëve shqiptarë që kur u emërua në krye të kombëtares së Shqipërisë. Ish-mbrojtësi i Arsenalit dhe Barcelonës është në rrugë të mbarë për të drejtuar kuqezinjtë drejt Euro2024, mision ku kanë mbetur për tu zhvilluar edhe tre akte. Në një intervistë për agjensinë e lajmeve, Reuters, tekniku brazilian ka pranuar se gjithçka do të nis nga përballja vendimtare ndaj Republikës Çeke.

“Ne kemi tre finale përpara nesh dhe duhet të përballemi me secilën me të njëjtin qëndrim që kishim deri më tani. Gjithçka fillon të Enjten. Jemi të vetëdijshëm për entuziazmin e tifozëve tanë, por lojtarët e dinë se ky është skenari i jashtëm, diçka që ne nuk mund ta kontrollojmë. Ata janë absolutisht të qetë dhe të ndërgjegjshëm. Një fitore të Enjten do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit tonë të shumëpritur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, por ende nuk është përcaktuese.”

Që nga debutimi i Sylvinhos në humbjen 1-0 me Poloninë në Mars, Shqipëria ka pasur tre fitore dhe një barazim.

“Ne patëm një shans të vërtetë për t’u rikthyer me një rezultat më të mirë nga ajo ndeshje, por gjëja më e rëndësishme që morëm nga debutimi ishte se u lidhëm me lojtarët dhe ata e kuptuan menjëherë atë që donim. Sigurisht që ne duam të jemi një ekip i organizuar mirë, të shënojmë gola, të zhvillojmë ndeshje të bukura, por unë insistoj në idenë që kjo skuadër duhet të ruajë identitetin e saj, domethënë shpirtin luftarak. Vullneti, guximi dhe qëndrimi në çdo lojë. Kjo është diçka që lojtarët e kuptuan që nga fillimi.”

Sylvinho mendon se një trajner i kombëtares duhet të qëndrojë sa më afër një vendi, edhe pse shumica e lojtarëve luajnë jashtë.

“Ne duhet të jemi në Tiranë sepse aty do të zhvillohet puna jonë. Udhëtojmë shumë, takohemi me lojtarët, por databaza që kemi nga Federata e Shqipërisë në Tiranë është e paçmueshme. Nëse nuk do të ishim këtu, ndoshta nuk do të kishim gjetur Jasir Asanin. Filozofia jonë është të tërheqim lojtarët me punën tonë. Lërini rezultatet, projektin dhe strukturën që po ndërtojmë të flasin për ne dhe të prekin zemrën dhe shpirtin e lojtarëve shqiptarë jashtë vendit, në mënyrë që ata të ndiejnë thirrjen për t’u kthyer në shtëpi.”

Pas përballjes me Republikën Çeke, Shqipëria luan ndeshjet e fundit kualifikuese ndaj Moldavisë dhe Ishuvje Faroe. Aktualisht, kuqezinjtë kryesojnë grupin E me 10 pikë, dy më shumë se Republika Çeke dhe Moldavia.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share