Braverman prezanton planin për emigrantët e jashtëligjshëm, merr sërish shembull shqiptarët

Parlamenti britanik nisi këtë të Martë, diskutimet për miratimin e projektligjin e ri të paraqitur nga qeveria që dëbon të gjithë emigrantët e jashtëligjshëm. Përpara deputetëve të dhomës së ulët, Sekretarja për Çështjet e Brendshme Suella Braveman sqaroi se plani ka për qëllim t’i japë fund një herë e mirë dyndjes me varka në brigjet britanike të emigrantëve të jashtëligjshëm.

“Përmes këtij plani synohet që e gjithë bota ta marrë vesh se në Britaninë e Madhe nuk hyhet ilegalisht, pasi në të kundërt, burgosesh dhe dëbohesh”. 

Braverman mori sërish si shembull shqiptarët, pavarësisht lumit të kritikave ndaj saj për stigmatizim të emigrantëve shqiptarë.

“Vitin e kaluar, 17,000 referime u deshën mesatarisht 543 ditë për t’u marrë në konsideratë. Ligjet aktuale të skllavërisë moderne po keqpërdoren për të bllokuar largimet, prandaj ne pranuam më shumë se 50 përqind të kërkesave për azil nga qytetarët e një vendi të sigurt evropian dhe aleat të NATO-s, Shqipërisë”.

Plani që po diskutohet në parlament parashikon vendosjen në masë arresti të të gjithë personave që hyjnë në Britaninë e Madhe në rrugë të jashtëligjshme. Përjashtim bëhet vetëm për personat nën 18 vjeç dhe të sëmurët.

Ata që nuk paraqesin fakte dokumente dhe fakte ligjore bindëse që nuk përndiqen apo keqtrajtohen në vendet e tyre të origjinës brenda 28 ditësh pas arrestimit do të ndalohen përgjithmonë të hyjnë në Britaninë e Madhe. Për ata që vijnë nga vende të sigurta origjine si Shqipëria do të riatdhesohen menjëherë, ndërsa ata që nuk paraqesin dokumente ose dokumente që vlerësohen si false, do të dërgohen në Ruandë.

Në Dhjetor të vitit të kaluar qeveria britanike, pas një bisede telefonike mes kryeministrit Sunak dhe kryeministrit Rama, arriti një marrëveshje me Shqipërinë për emigrantët e paligjshëm, e cila parashikonte mes te tjerash edhe vendosjen e specialistëve britanikë të emigracionit në Rinas për të ndalur emigrantët.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share