Zelensky i kërkon botës t’i kundërvihen Putinit

Lufta në Ukrainë në qendër të agjendës së sesionit të 78-të në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Në një intervistë për programin ‘60 Minutes’ presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se bota duhet të bashkohet kundër presidentit rus Vladimir Putin.

“Ne po luftojmë realisht me një shtet bërthamor që kërcënon të shkatërrojë botën. Shikoni, nëse Ukraina bie, çfarë do të ndodhë pas dhjetë vjetësh? Thjesht mendoni për këtë. Nëse rusët arrijnë në Poloni, çfarë do të ndodhë më pas? Një Luftë e Tretë Botërore?”

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Zelensky i tha ‘60 Minutes’ se nëse vendet perëndimore i ofrojnë Ukrainës armë të avancuara, vendi i tij do të jetë në gjendje të dëbojë trupat ruse shumë më shpejt.

Presidenti ukrainas tani është i përgatitur për një konflikt të gjatë pasi udhëheqësi rus shpreson se aleatët perëndimorë të Ukrainës do të humbasin interesin për të mbështetur luftën.

Një tjetër shqetësim mbeten edhe sulmet e vazhdueshme teksa dimri po afron. Dimrin e kaluar, forcat ruse shkatërruan termocentralet duke lënë në errësirë miliona persona. Por gjatë intervistës Zelensky u shpreh se Ukraina do të sulmojë infrastukturën ruse.

“Ata duhet të dinë nëse na e ndërpret energjinë, na privon nga energjia elektrike, na privon nga uji, na privon nga benzina, do të bëjmë të njëjtën gjë do e shkatërrojmë atë infrastrukturë.”

Presidenti ukrainas është nisur drejt SHBA-së në të cilën do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ku lufta në Ukrainë pritet të dominojë agjendën e diskutimeve. Gjatë javës së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së presidenti ukrainas do të marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit që do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pasi Shqipëria ka presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit. Rreth 150 udhëheqës pritet të marrin pjesë në bisedimet e nivelit të lartë.

Klan News

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share