Berisha: Në Shqipëri po shpërbëhet shteti ligjor! Sirenat e revoltës popullore po bien në katër anët e vendit

Partia Demokratike ka mbledhur këtë të mërkurë grupin e saj parlamentar. Kryetari i saj, Sali Berisha, në fjalën para deputetëve është shprehur se sistemet nëpër pika kufitare nuk punojnë dhe në këtë mënyrë nga vendi hyjnë e dalin banditë. Sipas Berishës, në Shqipëri po shpërbëhet plotësisht shteti ligjor. Ai u ndal edhe tek vendimi i qeverisë për ndërtimet pa leje me qëllim përfitimi. Sipas Berishës, qeveria ka marrë funksionet e parlamentit dhe amniston ata që ndërtojnë pa leje.

“Ajo që po ndodh në Shqipëri është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor. Shpërbërja totale. Në qoftë se ndalemi në vendimin e qeverisë, të quajtur qeveri se mund të meritonte çdo emër tjetër, por jo qeveri, për pallatet dhe shtesat pa leje, ai është një akt i pashembullt, ku me ligj qeverie merren në mënyrë flagrante funksionet e parlamentit. Me vendim qeverie pushohen çështje gjyqësore. Me vendim qeverie bllokohet sistemi i drejtësisë. Me vendim qeverie vendoset një standard i tmerrshëm në vend. Ligjet e vendit kanë parashikuar se çdo ndërtim pa leje konfiskohet dhe se autori i këtij ndërtimi dënohet sipas llojit të ndërtimit 5 deri në 8 vjet burg.

Bazuar në këto dispozita për një kotec, një gjysmë çatie, një avlli, qoftë për një shtesë apo kat janë dënuar me burg 3400 qytetarë shqiptarë. Janë ndjekur penalisht mijëra e mijëra të tjerë. Kurse tani kur vjen problemi tek kullat e qeverisë, tek pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ata ligji nuk ekziston. Edi Rama bën vendimin e amnistisë së tyre. Ky është një provokacion i ulët për çdo shqiptar”, theksoi Berisha.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Sipas Berishës, Shqipëria sot është një shtet pa asnjë siguri ligjore dhe juridike. Ai theksoi se sirenat e revoltës popullore po bien në të katër anët e vendit. Para deputetëve të tij theksoi se PD do të vijojë betejën në “parlament, salla, rrugë dhe sheshe”, si dhe do të bëjë gjithçka që të justifikojë pritshmërinë e shqiptarëve ndaj selisë blu.

“Sirenat e revoltës popullore po bien në të katër anët e vendit. Parlamenti është shndërruar në një instrument të një qeverie që nuk zbaton asnjë ligj, asnjë parim. Kanë mbirë në të gjitha anët me dhjetëra mijëra metër ndërtime dhe tani thotë këto po i legalizojmë. Po ata që u burgosën? Po ku Kod që thotë që nuk legalizohen. Ky ka pronat e veta aty. Ky është i çmendur, i pangopur. Siç thotë populli oreksi shtohet me të ngrënë, vjedhja shtohet me të vjedhur. Parlamenti de FACTO me këto gjëra është i asgjesuar, por ne do të vazhdojmë betejën tonë në parlament, në salla, në rrugë, në sheshe dhe do të bëjmë gjithçka të justifikojmë plotësisht pritshmërinë e shqiptarëve ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës”, u shpreh Berisha./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share