Abazi: Nuk jam njeriu i BDI-së

SHEFI I RI PROKURORISË PËR KRIM TË ORGANIZUAR KA PRIORITET PUNËSIMET DHE DIGJITALIZIMIN

Shefi i sapozgjedhur i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazi, i cili nuk kishte program për punë para se të zgjidhej, beson se ka vizion për të ushtruar detyrën me profesionalizëm. Në daljen e tij të parë para gazetarëve Abazi tha se do të luftojë korrupsionin, ndërsa theksoi se ka prioritet plotësimin e vendeve të zbrazëta për prokurorët, në qendrën hetuese dhe digjitalizimin e prokurorisë publike.

“Kjo paraqet për mua sfidë, duke pasur parasysh përvojën time të deritanishme profesionale, të udhëheqi edhe me këtë prokurori. Unë kam marrë pjesë në grupe të ndryshme punuese për miratimin e ligjeve, akteve nënligjore, koment për ligjin e prokurorisë publike, jam pjesëmarrës në grupin punues për ligjin e konfiskimit të pronës dhe me përvojën time të deritanishme dhe punën, vlerësoj se edhe këtë prokurori do ta përfaqësojë në mënyrë profesionale dhe të ligjshme, së bashku me kolegët prokurorë që marrin pjesë në atë prokurori” – tha Islam Abazi, Shef i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Ai ka mohuar se ka raporte të afërta me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, duke thënë se ka mundësi që e ka takuar ndonjëherë por se nuk ka kontakte personale me të.

“Asnjëherë nuk kam qenë dhe as nuk jam anëtar i ndonjë partie politike, aq më pak në punën time të deritanishme nuk kam lënë asnjë përshtypje se unë kam relacione të caktuara apo pozicione me ndonjë parti të caktuar politike. Nuk kemi ndonjë ndalesë strikte që të shoqërohemi apo të mos shoqërohemi, nëse nuk është pjesëmarrës në procedurë apo nëse nuk ka kundër tij vepër penale” – tha Islam Abazi, Shef i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion

Abazi vjen nga fshati Zajaz i Kërçovës, fshat ky që njihet në opinion si vendlindja e liderit të BDI-së  Ali Ahmeti. Para se të zgjidhet shef i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Abazi ka punuar prokuror në Prokurorinë Themelore në Kërçovë, prokuror në Prokurorinë e Lartë në Gostivar, si dhe ka ushtruar detyrën e shefit të Prokurorisë së Lartë të Gostivarit.

Në listën anketuese, ai ka të paraqitur një shtëpi 210 metra katrorë në fshatin Zajaz, si pronë e prindërve, një banesë në Kërçovë në vlerë rreth 30 mijë euro, po ashtu në emër të prindërve. Në emër personal ka të paraqitur një tjetër banesë në Kërçovë 105 metra katrorë në vlerë rreth 58 mijë euro, si dhe dy vetura, në vlerë prej rreth 12 mijë dhe 11 mijë euro, prej të cilave njëra është në emër të bashkëshortes.

Ndërkohë, edhe bashkëshortja e tij është e punësuar në gjyqësor, përkatësisht në Akademinë për gjykatës dhe prokuror publik dhe së shpejti do të zgjidhet për prokurore apo gjykatëse e shkallës së parë. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share