Krerët e partive opozitare shqiptare dhe themelues të koalicionit opozitar Lidhja Evropiane për Ndryshim, Bilall Kasami, Afrim Gashi dhe Izet Mexhiti kanë realizuar sot në rezidencën e Ambasadës së Francës në Shkup, takim me ambasadorin francez, Siril Bomgartner, përcjell KlanM. Takimi, siç thuhet, ka qenë miqësor dhe është bërë me kërkesë të opozitës shqiptare.
“Të tre liderët e Lidhjes Evropiane për Ndryshim, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, sot me kërkesën e tyre e vizituan rezidencën e ambasadorit të Republikës së Francës në Shkup, SH.T. z. Siril Bomgartner. Në këtë takim, të tre liderët e Lidhjes Evropiane për Ndryshim e njoftuan ambasadorin francez për zhvillimet e fundit politike, siç është formimi i koalicionit të partive opozitare shqiptare, i cili tashmë njihet si Lidhja Evropiane për Ndryshim. Në fokus të takimit ishte edhe tema e procesit të integrimit evropian, si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në njoftimin e LEN pas takimit./KlanMacedonia