3 gra të vrara sot në Tiranë, Dan Hutra dyshohet autor i 3 ngjarjeve të rënda kriminale

3 gra të tjera të plagosura, vrasësi serial ende në arrati

Tirana u trondit këtë të mërkurë nga 3 vrasje e 3 plagosje, ngjarje të ndodhura në 3 vende të ndryshme.

Ngjarja e parë e raportuar nga policia ishte ajo e ndodhur rreth orës 13:00 në Paskuqan: Dan Hutra, 40-vjeç shkoi në shtëpinë e ish-partneres dhe hapi zjarr. Bilanci është dy të vdekura, Mevlute Hysa 30 vjeçe (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Të plagosura mbetën Elena Hysa, 35 vjeçe ish-bashkëjetuesja e autorit të dyshuar dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe, nëna e saj.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar u arratis dhe vijon të jetë në kërkim. (Lexo më shumë)

Thuajse në të njëjtën kohë ndodh ngjarja e dytë kriminale. Në Kamzë një vajzë 31-vjeçare u gjet e ekzekutuar me armë zjarri në shtëpinë e saj. Ajo është Etleva Kurti, cila siç tha policia paraprakisht, është vrarë në rrethana të paqarta. Dëshmitarët thanë se autori qëlloi nga një makinë e zezë që u largua me shpejtësi. (Lexo më shumë)

Disa orë më vonë, u zbulua një tjetër krim, ngjarja e tretë kriminale, këtë herë në Astir. Para masakrës në Paskuqan, Dan Hutra kishte plagosur një tjetër grua. Bëhet fjalë për 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi, ish e dashura e Dan Hutrës. (Lexo më shumë)

 

Paraprakisht, dyshimet e grupit hetimor të policisë janë se të gjithë këto ngjarje kanë një autor, pikërisht 40-vjeçarin Dan Hutra, i cili vijon të jetë ende në kërkim. Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve se Dan Hutra është i armatosur dhe i rrezikshëm, e kushdo që ka informacione të njoftojë autoritetet.

Kujtojmë se Dan Hutra është person me precedent të theksuar kriminal, i liruar nga burg vetëm pak kohë më parë.

Banesa ku ndodhi krimi

Kush janë viktimat dhe të plagosurat në Paskuqan

Mevlute Hysa 30 vjeçe (motra e ish-bashkëjetueses së tij), e vrarë

Hasime Dafku 30 vjeçe (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses), e vrarë

Elena Hysa, 35 vjeçe (ish bashkëjetuesja), e plagosur

Kujtime Hysa, 60 vjeçe (nëna e saj), e plagosur

Skeda e autorit të dyshuar të ngjarjes, Dan Hutra

Ky është Dan Hutra, 41-vjeç nga Kukësi, autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes po të dyfishtë në Paskuqan. Ai qëlloi me breshëri familjarët e ish-gruas së tij.

Policia është vënë në ndjekje të autorit, i cili është arratisur me një makinë tip “C Class” ngjyrë të zezë.

Dan Hutra është arrestuar për dhunë në familje në datën 16 Qershor 2022, dhe është liruar më 16 Shkurt 2023. Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.

Plagosja në Astir/ 40-vjeçarja pranon se u godit me thikë nga Dan Hutra: Më kërkoi lekë, nuk ia dhashë

Mariana Gurakuqi, 40-vjeçarja që u plagos me thikë në zonën e Astirit në Tiranë, ka pohuar para policisë se u godit me mjetin prerës nga Dan Hutra 40 vjeç, personi i cili dyshohet se ka vrarë 3 gra sot në Tiranë.

Gazetari i Klan News Besar Bajraktari ka zbardhur dëshminë në polici të Mariana Gurakuqit.

Sipas dëshmisë, 40-vjeçarja ka deklaruar se me Dan Hutrën ka njohje të mëparshme. Sipas saj, Hutra i shkoi në biznesin e saj në Astir dhe i kërkoi para.

Mariana Gurakuqi deklaron se herë pas here, Dan Hutra i merrte para borxh. Edhe sot kërkoi të njëjtën gjë, por 40-vjeçarja refuzoi t’ia jepte. Për këtë arsye, Dan Hutra e plagosi me thikë dhe u largua.

Mariana Gurakuqi nuk e denoncoi ngjarjen, por pasi shkoi në spital për mjekim kanë qenë mjekët ata të cilët lajmëruan efektivët.

40-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dan Hutra nuk i vrau dot vëllain në burg, u hakmorr ndaj motrës. Detaje nga vrasja e 31-vjeçares në Bathore

E ftuar këtë pasdite në “Rudina” në Tv Klan për të informuar mbi detajet e vrasjeve në 3 vende të ndryshme të Tiranës ku u vranë 3 gra dhe u plagosën 3 të tjera. Sipas informacioneve të gazetares, Dan Hutra, autori i këtyre ngjarjeve tragjike ka qenë në burg me vëllain e Etleva Kurtit, 31-vjeçares të vrarë në oborrin e shtëpisë së saj në Bathore.

Glidona Daci: Vajza tjetër që është  me mbiemër Kurti që u ekzekutua me 3 plumba sipas dëshmitarëve në Bathore, ka reaguar i vëllai Vladimir Kurti i cili është një person i dënuar me burgim të përjetshëm.

Rudina Magjistari: Për këtë vajzë është po Dan Hutra?

Glidona Daci: Pikërisht edhe për këtë vajzë dyshohet po Dan Hutra.

Rudina Magjistari: Çfarë lidhjeje kishte?

Glidona Daci: Ai sipas të vëllait, ka reaguar në një media i vëllai i cili është i burgosur dhe i dënuar me burgim të përjetshëm, ka marrë në telefon në një nga mediat informative dhe ka pretenduar që gjatë kohës që Dan Hutra ka qenë në qeli ka qenë në të njëjtin burg dhe kanë pasur përplasje mes tyre. Sipas tij, Dan Hutra ka tentuar disa herë që ta vriste. Ndoshta për shenjë hakmarrjeje ndaj moskezkekutimit  dhe përplasjeve që ka pasur në burg me Kurtin, Dan Hutra doli dhe ekzekutoi të motrën.

Daci shton se sipas informacioneve nga Policia, vajza nuk rezulton të jetë njeri problematik, përveç faktit që i vëllai është dënuar me burgim të përjetshëm.

Ish-bashkëjetuesja tërhoqi kallëzimin për dhunë, si u lirua nga burgu dy javë më parë Dan Hutra

Detaje të reja janë zbardhur për ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të Mërkurë në Tiranë. Gazetari i Klan Neës, Besar Bajraktaraj ka dhënë më shumë detaje sa i takon procedurave të lirimit nga burgu të autorit të 3 vrasjeve, Dan Hutra.

40-vjeçari ndodhej në burg së fundmi për dhunë në familje dhe është liruar vetëm dy javë më parë. Sipas gazetarit, ai ka bërë kërkesë, nëpërmjet avokatit të tij në janar të këtij viti për të ndryshuar masën e sigurisë në “Detyrim Paraqitjeje”.

Një kërkesë e tillë ishte refuzuar nga Gjykata e Tiranës. Por, lirimi i tij i menjëhershëm nga qelia erdhi pasi ish-bashkëjetuesja e tij Elena Hysa kishte tërhequr kallëzimin për dhunë të kryer në Qershor të 2022-it.

“Sipas një informacioni të dhënë nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit të cilët sqarojnë të gjitha procedurat e ndjekura për lirimin e tij nga qelia, vetëm dy javë më parë. Në 9 Janar të këtij viti Gjykata e Tiranës ka vendosur të rrëzojë  kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë dhe lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë. Pra, Gjykata refuzoi lirimin e tij, një kërkesë që Hutra e kishte bërë nëpërmjet avokatit të tij. Pas rrëzimit në shkallën e Apelit, ish-bashkëjetuesja Elena Hysa është tërhequr nga kallëzimi që ka bërë në muajin Qershor të vitit të shkuar. Rrjedhimisht, çështja është rikthyer sërish në shkallën e Parë ku është vendosur menjëherë lirimi i tij”, raportoi Bajraktaraj.

Dan Hutra fillimisht është dënuar në 2003-in për përdhunim, më pas ka vuajtur dënimin me burg për 16 vite për vrasjen me paramendim të ish-gruas së tij në 2007-ën dhe së fundmi ndodhej në qeli për dhunë në familje.

Gazetari bën me dije se ai kishte pasur konflikte të vazhdueshme me ish-bashkëjetuesen Elena Hysa, dhe se i kërkonte asaj 5 milionë lekë të vjetra me pretendimin se i kishte shpenzuar më parë për të.

“Hajde merreni! E keni të vrarë tek shtëpia…” Kush ishte Dan Hutra, autori i masakrës së Paskuqanit: Pasi ekzekutoi gruan mori në telefon prindërit e saj

Dan Hutra është autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në Paskuqan që ndodhi këtë të mërkurë (1 Mars 2023). Ai qëlloi për vdekje motrën dhe kunatën e ish-bashkëjetueses, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku.

Ish-bashkëjetuesja Elena Hysa dhe ish-vjehrra Kujtime Hysa mbetën të plagosura.

Hutra, rreth 40 vjeç, është emër i njohur për policinë dhe drejtësinë. Historia e tij e përballjeve me ligjin fillon që në vitin 2003. Asokohe ai ka qenë i dënuar për heqje të lirisë së nënës së kunatës së tij dhe përdhunimin e kunatës tjetër. Për këtë krim ai ka vuajtur vetëm 3 vite burg.

Pasi ka dalë nga burgu, Hutra u fejua me Dafina Havaljan, e cila do të përfundonte në tragjedi. Më 11 Dhjetor 2007, Hutra vret ish-të fejuarën. Sipas hetimeve asokohe, Hutra dyshonte për një tradhti.

Në Mars të vitit 2009, Hutra do të dënohej me 24 vjet burg për vrasje me paramendim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i mbetën për të vuajtur vetëm 16 vjet burg. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Hutra dhe Havalja jetonin në një banesë me qira tek Fusha e Aviacionit.

Hutra, i sapo ardhur nga emigrimi, dyshonte se e fejuara e tradhtonte. Pas 8 muajsh fejesë ai ka marrë thikën dhe e goditi disa herë në zemër, goditje këto që i sollën vdekjen e menjëhershme 22-vjeçares nga Klosi i Dibrës.

Akuza argumentoi asokohe se fejesa e tyre ka qenë e mbushur me debate dhe tensione. Por një mëngjes Dhjetori në vitin 2007 pas zënkave, Hutra u largua nga shtëpia. Vajza telefonoi prindërit që të shkonin ta merrnin pasi nuk donte të jetonte më me të. Pasi u kthye sërish në banesë, Hutra është vënë në dijeni të telefonatës dhe kërkesës së saj për t’i dhënë fund lidhjes.

Në këtë moment ai ka marrë thikën dhe e ka goditur në zemër. Pas krimit, Hutra mblodhi rrobat e veta, u largua nga banesa dhe lajmëroi familjarët e vajzës.

“Hajde merreni! E keni të vrarë tek shtëpia”, ka qenë telefonata që ai i ka bërë prindërve të saj. Hutra u kap pas te ditësh arratisje në afërsi të Kukësit. Gjatë kohës që ka qenë i paraburgosur, Hutra ka tentuar që të vrasë veten në qeli.

Ky është profili i Hutrës i cili shkaktoi masakrën në Paskuqan. Por si të mos mjaftonte kjo listë e gjatë e dënimeve të tij, Hutra nuk i kishte mbushur dy javë që ishte liruar sërish në burgu. Kësaj radhe për dhunë. Më 16 Qershor të vitit të kaluar ai ishte vënë në pranga, por u lirua më 16 Shkurt të 2023-shit për dhunë në familje.

 

Krimi në familje në Paskuqan, familjarët: Ish-dhëndri ishte i dhunshëm, kanë një vajzë 4-muajshe

Në vendin e ngjarjes, një e afërme e familjes së sulmuar nga ish-dhëndri i tyre është shprehur se ish-çifti kishin rreth 7 muaj të divorcuar. Po ashtu, ajo ka thënë se ata kanë një vajzë 4-muajshe.

Familjarja: Kanë 7 ose 8 muaj të divorcuar. Kanë një gocë 4-muajshe. Ai ishte… Në burg nuk e di a kishte qenë…

Ndërkohë, një e afërme tjetër e familjes ka deklaruar se autori i dyshuar ishte i dhunshëm e madje ka thënë se kishte probleme me shëndetin mendor.

Pyetje: A kanë pasur konflikte?

E afërmja: Kush çift? Ajo për atë konflikt erdhi te baba. Ishte i dhunshëm, ishte me të meta mendore.  Goca ka qenë shumë e urtë, është gjynah me i rënë në qafë.

 

Informacioni paraprak i Policisë Tiranë

Më datë 01.03.2023, rreth orës 12:30, në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, shtetasi Dan Hutra, rreth 40 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset, Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Autori i dyshuar është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Do të ndajmë me publikun foton e autorit të dyshuar dhe mirëpresim çdo informacion për vendndodhjen e tij.

Autori i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023.

Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share