Spasovski në FPD 2023: Bashkëpunimi ndërkombëtar është kyç në menaxhimin e migrimeve

Në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog që po zhvillohet në Strugë, u realizua paneli i diskutimit me temë “Menaxhimi me migrimet në relacionin BE-Ballkani Perëndimor” e drejtuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, përcjell KlanM.

Në fjalimin e tij hyrës para të pranishmive, ministri Spasovski duke u fokusuar në rrugën e migracionit të Ballkanit Perëndimor, në të cilën bën pjesë edhe Republika e Maqedonisë së Veriut, tha:

“Për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me rëndësi të madhe ishte nënshkrimi i Marrëveshjes për statusin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për veprimet e kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare dhe shpresoj  se gjatë periudhës së ardhshme bashkërisht do të konstatojmë përfitimet e Marrëveshjes së nënshkruar dhe rëndësinë e saj për kontrollin e flukseve migruese, sigurimin e kufijve të jashtëm të BE-së dhe sigurinë e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ministri Spasovski, duke shtuar se bashkëpunimi ndërkombëtar është aktivitet kyç në menaxhimin e migracionit.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

“Aktivitet kyç në rrugën tonë përpara në menaxhimin e qëndrueshëm të migrimeve në Ballkanin Perëndimor është përparimi në realizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërkufitar, përforcimi i besimit ndërkombëtar, rritja e shkëmbimit të informacionit, që është prova më e mirë e gatishmërisë sonë për të krijuar mjedisin e sigurisë edhe më të favorshme, dhe me këtë dhe progresi në integrimet evropiane edhe më i shpejtë. Vetëm përgjigje evropiane, e cila do të përfshijë vendet që gjeografikisht dhe natyrshëm i takojnë Evropës, duke shfrytëzuar potencialin e migrimit legal dhe zvogëlimin e migracionit ilegal, sigurimin e kufijve të sigurt dhe të kontrolluar, por edhe një qasje humane dhe efektive”, theksoi ministri Spasovski në fund të fjalimit të tij. Gjithashtu ai shprehu mirënjohjen e tij për ministrat dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare dhe rajonale për praninë e tyre, si dhe për angazhimin e tyre në menaxhimin e migracionit.

Duke shprehur nderin për të marrë pjesë si e ftuar speciale në sesionin “Menaxhimi i migracionit në marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor: Solidaritet dhe përgjegjësi të përbashkëta”, drejtoresha e IOM-it, Ejmi Poup, theksoi:

“Migrimi është një burim prosperiteti, inovacioni dhe zhvillimi të qëndrueshëm. IOM-i do të vazhdojë të mbështesë Ballkanin Perëndimor në promovimin e qasjeve gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të orientuara drejt zgjidhjeve për të menaxhuar në mënyrë efektive migracionin dhe për të shfrytëzuar potencialin e tij të zhvillimit”, tha drejtoresha Poup.

Ministri pa portofol i Malit të Zi, Zoran Miljaniq, konfirmoi përkushtimin për përforcimin e kapaciteteve të kufijve shtetërorë. Gjithashtu, ai tha: “Ne kërkojmë mbështetjen e BE-së në fushat e migracionit dhe azilit. Po përforcojmë kapacitetet e kufijve shtetërorë”.

Ministri i Sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Nenad Neshiq, u dërgoi mesazh të pranishmëve në sesion: “Çështja e migracionit është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo na çon në një përmirësim të vazhdueshëm të bashkëpunimit dhe solidaritetit tashmë ekzistues, të gjitha me qëllim të përgjigjes në kohë ndaj presioneve potencialisht të reja migratore”, tha ministri Neshiq.

Ambasadori austriak Johanes Ajgner theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit rajonal si një kontribut në trajtimin e migracionit. “Vendet nga Ballkani Perëndimor kanë mbështetjen e plotë në drejtim të prioritizimit të trajtimit të përditshëm të migracionit”, theksoi ambasadori Ajgner.

Nga ana e drejtorit të MARRI, Sashko Kocev, u potencua nevoja e bashkëpunimit rajonal në pjesën e menaxhimit të migrimeve.

“Asnjë nga Ballkani Perëndimor nuk mund t’i përgjigjet i vetëm sfidave të migracionit, prandaj bashkëpunimi rajonal dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë janë thelbësorë për zhvillim të mëtejshëm. Është koha që rajoni të bëjë një hap vendimtar në funksionalizimin e angazhimeve të dhëna nga liderët politikë në rajon në fushën e migracionit. Me këtë nënkuptoj deklarata të përkthyera në veprime konkrete. Me një qasje rajonale dhe duke konsoliduar përpjekjet individuale, Ballkani Perëndimor do t’i tejkalojnë mangësitë dhe do të arrijë rezultate”, tha drejtori Kocev.

Nga ana e kryeshefit të Departamentit në Drejtorinë e Përgjithshme për Migracionin dhe Punët e Brendshme të Bashkimit Evropian, Pavel Busiakieviç, u theksua se bashkëpunimi mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në fushën e migracionit është i një rëndësie të madhe dhe se Plani i Veprimit është duke prodhuar tashmë rezultate. Ai, ashtu si folësit e mëparshëm, ra dakord se nuk ka asnjë shtet anëtar të BE-së që mund të përballojë sfidat e migrimit i vetëm.

“Solidariteti dhe partneriteti janë të nevojshëm kur bëhet fjalë për migracionin. Duhet përforcuar bashkëpunimi në politikat e migracionit, veçanërisht në fushën e azilit, kontrabandës së migrantëve dhe menaxhimit të kufijve”, theksoi kryeshefi Busiakieviç.

Organizatorja bazë nacionale e lëvizjes më të madhe rome në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Avaja, Selvije Mustafi, tha: “Ne jemi potenciali që duhet të formësojë të ardhmen e vendit tonë”.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share