Ai bëhet lojtari më i paguar në historinë e NBA
Njëri ndër basketbollistët më të mire në Ligën Amerikane të Basketbollit NBA, LeBron James ka rinovuar për dy vite të tjera kontratën e tij me skuadrën e LA Lakers, nga e cila do të përfitojë 97.1 milionë dollarë.
Përpos kësaj, lojtari ka të drejtën e rinovimit edhe më një vit të kontratës me skuadrën kaliforniane.
Kontrata e re do të skadojë në verën e vitit 2024. Kontrata e “king James” ishte drejt fundit dhe ai do të luajë në NBA të paktën deri në moshën 40-vjeçare. Në dhjetor, ai do të mbushë 38 vjeç.
Falë kontratës së re, LeBron James do të arrijë kuotën e 532 milionë dollarëve të arkëtuara në karrierën e tij. Ai bëhet kështu lojtari që ka fituar më shumë të ardhura në karrierë falë rrogës, duke thyer çdo rekord, në çdo epokë.
Një vendim i pritshëm ky për James, pasi në Los Anxhelos ai ka edhe qendrën e bizneseve të tij. Tashmë mbetet për t’u parë nëse ai do të luajë edhe një sezon të tretëm duke pritur që të zbarkojë në NBA edhe djali i tij Bronny, kur të zgjidhet në “draft”.