Zjarret në Hawaii, publikohet lista me 388 persona të zhdukur

Disa orë pasi zyrtarët e Mauit publikuan emrat e 388 personave të pagjetur pas zjarrit më vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara në më shumë se një shekull, vendndodhja e disa prej tyre u bë e ditur të premten nga të afërm të tyre.

Tre persona në listë i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se janë gjallë dhe nuk e kanë të qartë se si emrat e tyre përfunduan në këtë listë. Të paktën dy të tjerë ishin në mesin e viktimave të zjarrit, njerëz që dihet se kanë humbur jetën, por ende nuk janë konfirmuar si të vdekur në raportin zyrtar. Deri më tani 115 njerëz janë konfirmuar se kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit në Maui.

Terrí Thomas humbi jetën pasi zjarri përfshiu makinën e saj ndërsa ajo po largohej nga banesa e saj me dy qentë dhe dy miqtë e saj, tha kushërira e saj, Tammy Cruz. Makina u bllokua në trafik dhe vetëm njëri nga miqtë e saj shpëtoi.

388 emrat përfaqësonin një pjesë të një liste më të gjerë prej 1100 personash të raportuar si të zhdukur, që FBI-ja tha në fillim të kësaj jave se po punonte për ta verifikuar. Qarku i Mauit tha se lista e sapo publikuar përfshinte ata për të cilët kishte emrat dhe mbiemrat, si dhe informacionin e verifikuar të kontaktit për një person që i raportoi ata të zhdukur.

Zyrtarët bën thirrje që njerëzit t’i kontaktojnë ata nëse njohin dikë në listë./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share