Zgjedhjet vendore në Shqipëri – Zhvillimet e fundit

-Shqipëria mbajti sot zgjedhjet vendore 2023.

-Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën zyrtarisht në orën 19:00. Tashmë ka nisur procesi i numërimit në disa bashki.

-Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan pati votim dhe numërim elektronikFitues në të treja bashkitë rezultuan kandidatët e PS-së.

-Mbi 3.6 milionë qytetarë kishin të drejtë vote.

-Për të zgjedhur 61 kandidatë për kryebashkiakë, në garë janë 144 kandidatë.

-Në 61 bashki të vendit ishin të hapura 5213 qendra votimi.

-Mbi 500 qendra votimi shfaqën probleme teknike me identifikimin biometrik, duke shkaktuar vonesa në votime.


Ora 23:08 – Berisha: Rezultati në Kamëz, manipulim monstruoz dixhital!

 

Sali Berisha e ka quajtur një “manipulim dixhital monstruoz” rezultatin në Bashkinë e Kamzës, ku fitues u shpall kandidati socialist, Rakip Suli.

“Të dhëna të besueshme dëshmojnë se Kamza është manipulim dixhital monstruoz. Monstruoz. PD, në vitin 2021 qenë 10 mijë vota para PS. Ne poll-in e pollsterit më të saktë të 13 viteve të fundit, i bërë në fund të shkurtit, PD me Partinë e Lirisë, ishin 14 përqind para PS ndërkohë që manipulimin dixhital e nxjerr sot, PS 10 mijë vota para këtij koalicioni. Ky pra është absolutisht një rezultat totalisht i gatuar në mënyrë dixhitale dhe hidhet poshtë me vendosmëri më të madhe. Shtoj këtu se Kamza është shtuar nga qeveria pa aprovimin e askujt dhe në kundërshtim me kërkesat për t’u votuar në mënyrë dixhitale. Edhe njëherë them se rezultati i Kamzës pasi u konfrontuan, u krahasuan rekorde elektorale dhe pollet janë kryekëput të manipuluara”, tha Berisha.

Në fund, kryedemokrati tha se problemi dixhital është në diskutim dhe dyshim të plotë.

“Domethënë kur them për Kamzën, atëherë problemi dixhital është totalisht në diskutim dhe dyshim të plotë. Kamza fakton çdo gjë, fakton gjithçka. Kemi patur të dhëna, por nuk mund të paragjykojmë. Kemi indicie të tjera në të cilin sistemi është vendosur në kontrolle të dyfishta, por janë për t’u verifikuar këto. Ajo që është reale është se në 2021, PD ka qenë 10 mijë vota para PS-së dhe në pollin e 27 Shkurtit, pra në prag të fushatës ka qenë bashkë me aleatin e vet, ka qenë 14 pikë përpara PS-së. Ky rezultat është krejtësisht i manipuluar dhe i turpshëm. Tregon një manipulim elektoral të paimagjinueshëm”, u shpreh Berisha.

Kujtojmë se në Kamzë ashtu sikurse në Vorë e Elbasan u votua dhe numërua në mënyrë elektronike. Në të treja bashkitë fitues u shpallën kandidatët socialistë.


Ora 22:55 – Video | Gazetari raporton live, qytetari nga pas përfundon në tokë

E teksa në Elbasan, Vorë dhe Kamëz procesi i votimit dhe numërimit mbaroi shumë shpejt për shkak të teknologjisë, nuk mund të thuhet kështu në 58 bashkitë e tjera të vendit.

Puna ka nisur dhe po bëhet gati gjithçka për të nisur procesi i numërimit. Por nuk mungojnë as situatat e ndryshme.

Ndërsa gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli, po raportonte nga Shkodra, kamera nuk ka filmuar vetëm kutitë e votimit, por edhe një zotëri i cili është penguar dhe rrëzuar në mes të pallatit të sportit.

Ai më pas është ndihmuar nga një i ri që të ngrihej për të vazhduar më pas punën.


Ora 22:43 – Pjerin Ndreu: Salvator Kaçaj donte t’i hapte dosje në prokurori Pashk Gjonit

“Tentuan t’i bëjnë atentat Salvador Kaçajt”, ishte kjo akuza që ish-kryeministri Sali Berisha bëri me Kaçajn në krah, në drejtim të Pjerin Ndreut, kandidati të PS për Bashkinë e Lezhës. Pikërisht për këto akuza Ndreu u pyet nga gazetari Besard Jacaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në Klan News.

Jacaj e citoi Kaçajn në dy momente.

Besard Jacaj: Gjithë përpjekjet që kanë bërë nga Ndreu-Rama do të dështojnë dhe më tej thonë që 2 ditë më parë kam patur kërcënime në Lezhë nga bandidët e Pjerin Ndreut. Jam krenar për mbështetjen që kam dhënë për Pashk Gjonin. Cili është komenti juaj?

Pjerin Ndreu: Po ça ti them unë këtij tashi, çfarë të komentoj për një njeri që ka një fantazi të shfrenuar dhe më etiketon mua për një atentat që as e kam idenë fare, as e konsideroj fare si personalitet, as si peshë elektorale, as si njeri fare. E dyta për çfarë mbështetje ka dhënë ky për Pashk Gjonin, në fakt ky ia ka dhënë të fortën si i thonë, siç themi ne këtej nga Lezha, rrokullimën atij. Në çdo tavolinë e gjatë gjithë fushatës, ka vjedhur vrer për Gjonin. Unë s’e kam sharë ndonjëherë Pashk Gjonin, po ky jo vrer… Ky nga këta matrapazët politikë, që do të marrë kreditet e veta dhe të dalë si tip martiri si njeri që ka sakrifikuar shumë dhe ne duhet ta ekzekutonim këtë se ky personalitet shumë i madh… Është turp ta dëgjosh. Këto sajesat i kanë pa pikën e turpit.

I pyetur për akuzën tjetër të Kaçajt, se në Lezhë po qarkullojnë makina pa targa, Ndreu tha: “T’i denoncojnë përse nuk i denoncojnë? Pse do ruaj Salvador Kaçajn unë. E para e punës, edhe sikur, të supozojmë që do kishim një organizim të tillë, gjë që s’ka ndodhur ky personi nuk përfaqëson asgjë, ky personi ka qenë një person që na ka shërbyer ne me mënyrën sesi është qasur kundër atij.  Ky lloj protagonizmi idiot, që merret nga ky. Ky tipi me këto fantazi që ka është në gjendje të rëndë, duhet të vizitohet nuk mund të përdorë emrin tim, është aq i vogël, aq i pavlerë sa unë kam neveri… Unë jo vetëm që se konsideroj, por kam neveri sesi këta njerëz në politikën e Lezhës, fusin këto lloj termash dhe viktimizohen kot së koti, sikur do vrisnim ne Salvadorin dhe Salvadori ishte lider i madh, hajde-hajde”.

Ndreu po ashtu tha se Pashk Gjonit, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Kaçaj donte t’i hapte dosje në prokurori.

 

“Personi në fjalë për mua nuk përfaqëson asgjë në politikën e Lezhës, është një mashtrues politik… Nga këto gjithë pazaret dhe matrapazllëqet politike di që merrte një dosje dhe shkonte në tavolina dhe thoshte Pashk gjoni do hyjë në burg, ka një kështu e, di që shkonte me paguar prokurorë e gjyqtarë  me i hap çështje, me bërë këtë e atë.. më dëm që i ka bërë atij që gjasme e mbron, askujt tjetri nuk i ka bërë”.

I pyetur se cilat janë pritshmëritë sa i takon rezultatit të zgjedhjeve vendore në qarkun e Lezhës, Ndreu tha se “do jetë 3 me 0”, duke parashikuar kështu një fitore të socialistëve në të treja bashkitë e këtij qarku.


Ora 22:37 – Video | Problemet me identifikimin e zgjedhësve, momenti kur punonjësit përplasin pajisjet në kamion

 

Një prej problematikave më të mëdha në zgjedhjet vendore të 2023 ka qenë pajisja e identifikimit biometrik ‘PEI’. Mbi 500 qendra votimi shfaqën probleme teknike me identifikimin biometrik, duke shkaktuar vonesa në votime.

Në një video të siguruar nga Klan News tregohen pamjet kur punëtorët janë duke ngarkuar pajisjet e identifikimit elektronik për t’i shpërndarë në qendrat e votimit. Aty shfaqet pakujdesia si hidhen këto pajisje duke i përplasur brenda në mjet.

Këto pajisje elektronike janë të ndjeshme. Nuk dihet nëse ky ka qenë shkaku ku në disa bashki të vendit për disa orë gjatë ditës dështoi dhe për këtë arsye u kërkua që të identifikimi i zgjedhësve të bëhej manualisht.


Ora 22:20 – Berisha: Komisionerët të vazhdojnë me vendosmëri, rezultati është i sigurt pozitiv

 

Në një konferencë me gazetarët, Sali Berisha u bëri thirrje komisionerëve të opozitës që të vazhdojnë me vendosmërinë më të madhe. Ai kërkoi që të mbikëqyret çdo votë pasi rezultati është i sigurt pozitiv.

“Unë mund t’u them se Velipoja ishte sot absolutisht nën pushtim. Autokolona krimi kalonin nga një rrugë në tjetër në Shkodër dhe njerëzit nuk guxonin t’i fotografonin për shkak të kamerave. Por kjo është një histori, për të cilën ne qëndrojmë deri në fund. E rëndësishme është të ftoj komisionerët, ashtu siç kanë bërë një punë të shkëlqyer gjer sot, ta vazhdojnë me vendosmërinë më të madhe. Me korrektesën më të madhe të mbikëqyrin çdo votë sepse rezultati është i sigurt pozitiv. Se çfarë ka bërë Edi Rama është kapitulli më i zi. Gjithçka përmblidhet në frazën e tij se kodi zgjedhor është një kinezëri”, u shpreh Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se ka bërë gjithçka për të manipuluar rezultatin. Kujtojmë që deri më tani janë publikuar rezultatet vetëm në 3 bashkitë ku u votua dhe u numërua elektronikisht. Në Elbasan, Kamëz dhe Vorë fitues rezultuan kandidatët e Partisë Socialiste.


Ora 22:14 – Fitorja e PS-së në 3 bashki, Berisha: Do kërkojmë auditim për rezultatin elektronik

 

Sali Berisha u shpreh në një konferencë për shtyp pas publikimit të rezultatit në 3 bashkitë ku u zhvillua votim dhe numërim elektronik se do të kërkojë auditim të aparaturave. Ai u shpreh se në media janë paraqitur dëshmi të transformimit të votës. Për këtë arsye theksoi se Kodi Zgjedhor ka parashikimet e veta se si mund të trajtohet devijimi i rezultatit nga aparaturat. Sipas tij, cilido që ka dyshime për tjetërsimin e vullnetit të tij ka të drejtën të kërkojë verifikimin e fletës.

“Së pari, për këto rezultate ka disa kundërshtime shumë të forta, siç keni dëgjuar janë mediat që kanë paraqitur dëshmi të transformimit të votës në këtë proces. Çfarë dua të them me këtë? Unë kërkoj nga KQZ-ja që të bëjë auditim e këtyre aparaturave.

E dyta, Kodi Zgjedhor ka parashikimet e veta të sakta se si mund të trajtohet devijimi i rezultatit nga aparaturat.  PD do të kërkojë zbatimin e të gjitha ligjeve në këtë drejtim. Aty ky dyshohet se është devijuar rezultati, do kërkohet auditimi.

Gjithmonë ky është një rezultat paraprak. Rezultati elektronik quhet paraprak sepse provohet gjithnjë fleta e votimit përkatëse. Tani kanë dalë disa media që kanë paraqitur tre raste që thonë se kam votuar për këtë kandidat dhe më ka dalë në ekran kandidati tjetër. Unë nuk jam këtu për t’i dhënë përgjigje përfundimtare, por kjo kërkon të bëhet auditivi i aparaturës.

Cilido që ka dyshime për tjetërsimin e vullnetit të tij, të kërkojë verifikimin e fletës. Siç e dini, çdo votim elektronik printon fletën përkatëse. Në votimin elektronik, rezultati cilësohet me ligj rezultat paraprak. Unë jam besimplotë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ne kemi bërë një monitorim të të gjithë procesit zgjedhor”, tha Berisha.

Kujtojmë që në Elbasan, Vorë dhe Kamëz u votua elektronikisht. Nga rezultatet që ka publikuar KQZ-ja rezultojnë fitues kandidatët e Partisë Socialiste.


Ora 22:01 – Kaçaj: Shpëtuam falë manovrave të shoferit, Zoti na dha një jetë të dytë

 

Salvator Kaçaj pretendon se ditën e sotme ndaj tij është tentuar të kryhet një atentat. Në një konferencë për shtyp ku i pranishëm ishte edhe kryedemokrati Sali Berisha, Kaçaj tha se shpëtoi vetëm falë manovrave të shoferit të tij. Përgjegjës për këtë bën kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu.

“Kemi shpëtuar falë Zotit dhe manovrave të shoferit tim që është një ish-shofer garde i sprovuar. Kemi shpëtuar dhe Zoti na ka dhënë një jetë të dytë. Të gjitha përpjekjet e Edi Ramës do dështojnë dhe rezultati në Lezhë do jetë 3 me 0. Kjo gjë nuk ka ndodhur as në vendet e Afrikës së Jugut, që ka ndodhur në Lezhë. Në çdo derë, në çdo biznes ka pasur kërcënime nga banditët e Pjerin Ndreut, i cili është organizator bashkë me Edi Ramën. Sepse Edi Rama është marrë personalisht me mua, ndërsa unë jam krenar për mbështetjen që i kam dhënë Pashk Gjonit. Nuk e kam parë veten në jetën time në një pozicion kaq të vështirë, përpara armës. Ata janë njerëz të papërgjegjshëm dhe kriminelë dhe duan ta marrin pushtetin me banda dhe kriminelë. Nuk merret pushteti me banda dhe kriminale. Siç ju thashë, do jetë një rezultat spektakolar në qarkun e Lezhës”, u shpreh Kaçaj.


Ora 21:57 – Berisha: Dënoj tentativën për atentat ndaj Salvador Kaçajt

 

Në një deklaratë nga selia blu, kryedemokrati Sali Berisha denoncoi atentatin e dështuar sipas tij, ndaj Salvador Kaçajt, një nga eksponentët kryesorë të PD në Lezhë. Krah këtij të fundit, Berisha dha dinamikën e ngjarjes, së denoncuar nga vetë Kaçaj në polici. Berisha po ashtu akuzoi drejtpërdrejt Kryeministrin Edi Rama.

“Por unë sot dola para jush për një rast kriminal të jashtëzakonshëm, ku Salvator Kaçit, një nga eksponentët kryesorë të PD në Lezhë, ish-kryetar i Bashkisë së Shëngjinit, njeri me një reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e sportit, e kanë ndjekur dy makina pa targa, ku ai ka qenë bashkë me djalin e vet dhe shoferin. Persona të maskuar, të armatosur kanë dalë nga makina dhe janë bërë gati të qëllojnë mbi ta. Shoferi i Salvatorit, një ish-gardist i sprovuar ka arritur të manovrojë me makinë dhe t’i bëjë të pasigurtë në atentatin e tyre. Ata e kanë ndjekur mbrapa me armë në dorë që t’i vrisnin, nuk kanë arritur. Por të gjitha këto janë të filmuara. Unë ju them ju se dje dhe pardje, bandat e Pjerin Ndreut kanë terrorizuar zonë pas zone rrethin e Lezhës dhe e kanë bërë këtë akt, i kemi të filmuara, në shoqërim nga policia, e cila kalonte afër dhe as që iu thoshte, përkundrazi krijonte përshtypjen te banorët se po bënte sigurimin e banditëve. Pra, kjo ka qenë situata në Lezhë që kulmi me përpjekjen për eliminimin fizik të Salvatorit dhe djalit të tij, që është shtetas amerikan dhe ka ardhur për të votuar me familjen e vet. Ky atentat i dështuar ndaj Salvator Kaçit është vepër kryekëput e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut. Edi Rama, siç e dini, u mor personalisht me Salvatorin në fjalimin e tij në Lezhë, në një kohë kur Salvatori krahas mbështetjes ndaj kandidatit Pashk Gjoni, ka zbatuar gjithë jetën e tij rregullat dhe ligjet elektorale dhe nuk ka asnjë veprim të paligjshëm. Por mbështetja për Pashk Gjoni nga Salvatori ka kërcënuar zgjedhjen e banditit Pjerin Ndreu dhe kanë krijuar bashkë me Ramën një mënyrë për eliminimin e tij bashkë me djalin në makinë. Ky akt është një krim i shëmtuar, personalisht i Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut, me të cilin ata kanë synuar me çdo kusht dhe çdo çmim të ndryshojnë rezultatin në Lezhë nëpërmjet një akti të tillë dhe natyrisht eliminojnë fizikisht një kundërshtar të shpallur nga Edi Rama si njeri të rrezikshëm për rezultatin e tij në Lezhë”.

Berisha e dënoi me ashpërsinë më të madhe këtë akt dhe u shpreh po ashtu se fushata elektorale është karakterizuar nga akte dhune, terrori të papara ndaj përfaqësuesve, zyrtarëve, deputetëve të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.

“Unë dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt. Sigurisht që ky është akt kulmor në terrorin ndaj drejtuesve të PD, por raste të tjera me kërcënime të forta dhe të egra ekzistojnë dhe ne do i bëjmë publike. Theksoj se të gjitha këto akte dhune të bandave janë përcjellë me indiferencë të plotë ose mbështetje nga policia. Salvatori ka bërë denoncimi dhe janë marrë edhe kamerat ku duket qartë gjithçkaFushata elektorale është karakterizuar nga akte dhune, terrori të papara ndaj përfaqësuesve, zyrtarëve, deputetëve të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’. Siç keni konstatuar, ne kemi ndjekur një linjë, duke regjistruar çdo akt terrori, çdo akt, çdo përpjekje për blerje masive votash, të proporcioneve të paimagjinueshme, gjer në oferta sot në mëngjes thuaj ‘sa do, euro për votën’, por këto sigurisht janë të dokumentuara dhe evidentuara dhe kemi informuar rregullisht vëzhguesit ndërkombëtarë. Kemi informuar KQZ, kemi informuar organet”, tha Berisha.


Ora 21:49 – Rama në zyrë prej orës 12:00, çfarë ndodh në selinë e PS-së

Atmosfera në selinë e Partisë Socialiste është e lartë. Atje janë mbledhur mbështetës të rinj, aktivistë të kësaj force që po festojnë fitoren në 3 bashkitë ku u votua dhe numërua elektronikisht.

Ndërkohë gazetarja Elja Zotka raporton se kryeministri Edi Rama nuk ka lëvizur nga zyra e tij këtu në selinë rozë, ndodhet që prej orës 12:00 pasi votoi në Surrel.

Më herët, Rama postoi në rrjetet sociale një foto ku kishte shkruar se PS do të fitojë 51 bashki ndërsa opozita 0-11 bashki.

Kujtojmë që deri më tani është publikuar rezultati në 3 bashkitë ku u votua dhe numërua elektronikisht, Elbasan, Vorë dhe Kamëz. Në të treja fitoi PS-ja.


Ora 21:37 – Llatja shpërthen fishekzjarret e fitores: Elbasanit tregoi që nuk ecën mbrapa

Gledian Llatja fitoi një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Elbasanit. Rezultatet e votimeve të së dielës i dhanë atij 55.03% të votave. Në fjalimin e tij të fitores, Llatja u shpreh se Elbasani tregoi që nuk ecën mbrapa.

“Sot Elbasani tregoi që nuk ecën mbrapa. Elbasani do vazhdojë përpara në rrugën e progresit, zhvillimit dhe rrugën e qytetarisë. Për një Elbasan të zhvilluar, të begatë. Shumë faleminderit të gjithëve, edhe familjes sime. 4 vjeçarin e ardhshëm të gjithë bashkë për punë të mëdha”, u shpreh Llatja.

Pas fjalimit të tij të mbajtur në sheshin para stadiumit “Elbasan Arena”, mbështetësit e tij festuan me fishekzjarre dhe muzikë. Kujtojmë që Llatja kishte përballë Luçiano Boçin që garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.


Ora 21:25 – Rakip Suli: Kamza reagoi pas 30 vitesh, i bëri varrimin politik non grata-s

Rakip Suli, kryebashkiaku i sapozgjedhur për bashkinë e Kamzës, në një prononcim për gazetaren e Tv Klan Elja Zotka tha se sot qytetarët e këtij qyteti i dhanë një mesazh të gjithë Shqipërisë që nuk janë pronë e asnjë partie politike.

“Në radhë të parë një falenderim të veçantë për çdo qytetar të Kamzës që sot votoi. E dyta shpirtërisht një borxh të jashtëzakonshëm për të gjithë votuesit që më besuan për mandatin e dytë. Falenderim për bekimin dhe besimin që më dha Rama për të rikandiduar. Sot qytetarët e Kamzës i kanë dhënë një mesazh të gjithë Shqipërisë që nuk janë pronë e asnjë partie politike, por vlerësuan një shërbëtor të mirë që u shërbeu 4 vite, dhe i dhanë për të qenë edhe 4 vite të tjera mundësinë për të qenë në Bashkinë e Kamzës”.

I pyetur për kundërshëtarin e tij në këtë garë, Suli tha: “Përballë kisha non gratën sepse ka qenë çdo 3 ditë në Kamëz. Dhe Kamza reagoi pas 30 vitesh, për t’i thënë që ne nuk jemi më pronë e tyre, sepse në 30 vite vetëm shpirtin s’i kanë dhënë sepse votën ia kanë dhënë. Dhe i braktisi në 30 vite. Sot do thoja u bë varrimi politik i personit non grata që nuk dua t’i zë as emrin. Varrimi politik të cilët i dhanë në 30 vite jo votën, patjetër që votën ia dhanë, po vetëm shpirtin si dhanë. Dhe sot i dhanë mesazhin që ne që të besuam dhe të votuam në 30 vite dhe ti na braktise në 30 vite sot i dhanë varrimin politik, me një rezultat historik, 10 mijë vota para Rakip Suli. Zoti i bekoftë ”


Ora 21:13 – Fitorja në Vorë, Veliaj: Do t’ju shërbejmë të gjithëve njësoj që askush të mos ndihet i humbur

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Tiranë, Erion Veliaj, shpalli fitoren në Vorë këtë të diel. Pas publikimit të rezultatit nga KQZ-ja, Veliaj tha se selia rozë fitoi në këtë bashki me një rezultat të thellë prej 75%.

“Jam pafundësisht i lumtur që siparin e rezultateve të kësaj nate e hap Qarku i Tiranës me një fitore 75% në Vorë, mbajeni mend. Vora që prej dy dekadash nuk thyhej, Vora që ishte kthyer për ata në një bastion ku varnin xhaketa, Vora na dha një mesazh 75% që duan të ecin përpara. Dua të falenderoj Blerin, kryetarin e sotshëm dhe të nesërm të Bashkisë së Vorës. Një Parti socialiste totalisht e rithemeluar, një PS totalisht e rinovuar dhe një PS në Vorë totalisht fituese”, tha Veliaj.

Një mesazh e pati edhe për atë 25% që nuk e votuan PS-në dhe premtoi se do të shërbejnë për të gjithë njësoj, pa dallim dhe që askush të mos ndihet i humbur nga këto zgjedhje.

“Nga nesër kur të gdhijë dielli në Vlorë Bleri dhe Partia Socialiste do i shërbejë 100% Vorës. Kjo do të thotë që nga zgjedhjet askush nuk është i humbur. Edhe ata që preferuan një zgjidhje tjetër, preferuan zgjedhjen e Saliut dhe Sa-likes, preferuan zgjedhjen e komunistit të fundit dhe sigurimsit të fundit, edhe ata që besuan se mund të bëhej një tunel nëntokësor mes për mes Vorës dhe çudira që i kopjuan nga një fushatë e Tiranës, edhe atyre do u shërbejmë njësoj pavarësisht bindjes së tyre.

Ishte një pjesë e së djathtës që refuzoi të bëhej detergjent për fytyrën e Saliut dhe të Ilirit, ishte një pjesë e respektueshme e së djathtës që refuzoi të votojë kundër Amerikës dhe ishte një pjesë e së djathtës që tha përtej të majtës dhe të djathtës është flamuri kuqezi. Ne ndjejmë një detyrim të thellë patjetër ndaj votuesve tanë, por ndjejmë një detyrim të thellë ndaj të djathtëve të Vorës dhe Shqipërisë që zgjodhën të distancohen nga e shkuara dhe nga Saliu e Iliri. Zgjodhën të distancohen nga një e djathtë që po e thyen në këtë mënyrë Shqipërinë. Për këta qytetarët të djathtë që qoftë duke refuzuar të votojnë për të partinë e tyre tradicionale na dhanë ne më shumë besim, na dhanë ne më shumë besim që t’ju shërbejmë. Ju premtoj publikisht se do t’ju shërbejmë të gjithëve njësoj pa dallim që asnjë të mos ndihet i humbur”, tha Veliaj.

Kujtojmë që në Vorë fitoi Blerim Shera.


Ora 20:59 – Mori Kamzën me 60% të votave, Rakip Suli hedh valle në shesh

Kur në pjesën më të madhe të bashkive në vend nuk ka nisur ende numërimi, në 3 prej tyre tashmë ka përfunduar. Në Vorë, Elbasan dhe Kamëz, fitues janë shpallur kandidatët socialistë.

Pikërisht nga Kamza vijnë edhe këto pamje, ku shfaqet kryebashkiaku i sapozgjedhur socialist, Rakip Suli.

Siç shihet i rrethuar nga qytetarë të shumtë, ai ia ka marrë valles në qendër ë qytetit.

Rakip Suli u shpall fitues me 23 657, ose 60.65 % të votave.

Kujtojmë se në të treja këto bashki votimi dhe numërimi ishte elektronik, duke bërë kështu që rezultati të shpallej shumë shpejt.


Ora 20:45 – PS shpallet fituese në Kamëz, Elbasan dhe Vorë

Partia Socialiste është shpallur fituese në Kamëz, Elbasan dhe Vorë.

Në Kamëz rezulton fitues kandidati socialist Rakip Suli, i cili do ta drejtojë bashkinë për 4 vitet e ardhshme.

Në Kamëz, Rakip Suli u shpall fitues me 23657, ose 60.65 % të votave.

Në Vorë, fitues rezulton po ashtu kandidati socialist, Blerim Shera.

Në Vorë, Blerim Shera ka marrë 8125 vota, ose 74.28 %.

Ndërsa në Elbasan, rikonfirmohet në detyrë Gledian Llatja, i Partisë Socialiste.

Në Elbasan, Gledian Llatja ka marrë 24823 vota, ose 55.03 përqind.

Kujtojmë se në këto bashki si votimi ashtu sikurse edhe numërimi ishte elektronik.

______________________________

Ora 20:37 – Damian Gjiknuri: Elbasani e bani ndryshimin!

“Elbasani e bani ndryshimin! E la pas të shkuarën! Vazhdoi përpara drejt të ardhmes!”, kështu shprehet në një postim në rrjetet sociale Damian Gjiknuri.

Paraprakisht, fitues në bashkinë e Elbasanit rezulton kandidati socialist Gledian Llatja.

Kujtojmë se në këtë bashki, ashtu sikurse në Kamëz dhe në Vorë, votimi dhe numërimi në këto zgjedhje ishte elektronik.

Në të treja këto bashki, gjithnjë sipas të dhënave paraprake rezultojnë fitues kandidatët socialistë.

Ora 20:26 – Zgjedhjet, Celibashi: 34,37% pjesëmarrja nga të dhënat e pajisjes PEI

Ilirjan Celibashi ka dalë në një konferencë për shtyp pas mbylljes së procesit të votimit për zgjedhjet vendore 2023. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit.

Ai u shpreh se ka pasur pezullim të procesit në 40 Qendra Votimi duke u shprehur se është një numër më i vogël nga ai që është propaganduar nga subjektet zgjedhore.

Sipas Celibashit, nga të dhënat e pajisjes së identifikimit biometrik (PEI) pjesëmarrja përllogaritet në shifrën 34.37%.

Komisioneri i zgjedhjeve theksoi se informacioni për bashkitë Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të publikohet brenda disa minutash duke qenë se aty u votua elektronikisht.

“Kemi informacion për Kamzën gati të plotë, përveç 2 QV. Kemi mbi 60% të QV për Elbasanin, dhe jemi në pritje të 11 QV të Kamzës”, është shprehur Celibashi.

Ora 20:11 – Kandidati i PS në Vorë, Blerim Shera: Fitore e padiskutuar në çdo qendër votimi

Kandidati i Partisë Socialiste në Bashkinë e Vorës, Blerim Shera, deklaroi për mediat pas mbylljes së procesit të votimit se në çdo qendër votimi ka “një fitore të padiskutueshme”.

“Ne presim rezultatet që gjithë struktura jonë besojmë rezultatet janë me një fitore bindëse dhe të thellë shumë të madhe. Besojmë është një përqindje shumë, shumë e madhe. Nga shtabi kemi që në çdo qendër është një fitore e padiskutueshme, me përqindje shumë e madhe. Besoj nga diskutimet, nga puna që kemi bërë besojmë pritshmëritë tona janë tek 10 mijë vota. Procesi ka shkuar shumë, shumë i qetë. Asnjë lloj incidenti, asnjë lloj gjëje”, u shpreh Shera.

Kujtojmë që në Vorë u votua elektronikisht dhe në këtë mënyrë edhe numërimi është elektronik. Për këtë arsye rezultatet dalin shumë shpejt. Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka publikuar ende një rezultat zyrtar nga tre bashkitë ku është votuar elektronikisht, pra në Vorë, Elbasan dhe Kamëz.

Ora 20:07 – Zgjedhjet, reagon Rama: PS:+50 ndërsa OP:0-11

Kur pritet të shpallet rezultati paraprak për 3 bashkitë ku u votua dhe u numërua elektronikisht, ndërsa në bashkitë e tjera nga momenti në moment pritet të nisë procesi i numërimit, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të reagojë me një foto, në rrjetet sociale.

“PS:+50 OP: 0-11”, shkruan Rama në një fletë të bardhë, duke shprehur kështu bindjen e tij se socialistët marrin nga këto zgjedhje mbi 50 bashki, ndërsa opozita sipas dil merr 0 deri në minus 11 bashki.

Ora 20:03 – Vorë, Gazetarja: Dëgjohen fishekzjarre në njërin prej kampeve

Gazetarja Ermelinda Hoxha raporton nga Vora, e cila është edhe një prej bashkive ku është zhvilluar votimi elektronik se të dhënat paraprake tregojnë një fitore të kandidatit të PS, Blerim Shera. Hoxha, e cila ndodhet në qendrën e koalicionit Bashkë Fitojmë, u shpreh se nga shtabi kundërshtar janë dëgjuar edhe fishekzjarre.

Gazetarja Ermelinda Hoxha raporton nga Vora, e cila është edhe një prej bashkive ku është zhvilluar votimi elektronik se të dhënat paraprake tregojnë një fitore të kandidatit të PS, Blerim Shera. Hoxha, e cila ndodhet në qendrën e koalicionit Bashkë Fitojmë, u shpreh se nga shtabi kundërshtar janë dëgjuar edhe fishekzjarre.

“Përllogaritja nga komsionerët që janë në qendrat e votimit dhe në secilin shtab ka shkuar rezultati, madje unë ndodhem në shtabin e kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, Indrit Hoxha. Entuziazmi është në nivele minimale pasi pak më parë nga kampi tjetër u dëgjuan që u hodhën edhe fishekzjarret.

Madje sipas të dhënave që ne kemi arritur të marrim, jo zyrtare sepse zyrtare do t’i japë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që mund ta bëjë nga momenti në moment, ka një fitore të thellë të kandidatit të Partisë Socialiste, i cili sipas të dhënave jo zyrtare po e përmend sërish, është me mbi 12 mijë vota që ka marrë në bashkinë e Vorës, ndërkohë që këtu janë rreth 30.600 votues”, tha gazetarja.

Ora 19:59 -Begaj: Koha që vota e qytetarëve të numërohet drejt dhe pa vonesë

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjet vendore 2023. Ai ka falenderuar të gjithë shqiptarët që votuan këtë të diel.

Po ashtu bën thirrje për përgjegjshmëri, ndershmëri dhe profesionalizëm nga të gjithë personat që do të përfshihen në procesin e numërimit të votave.

“Falenderoj të gjithë shqiptarët të cilët votuan sot me përgjegjësi e dinjitet, duke përmbushur kështu një të drejtë kushtetuese, por edhe një detyrim moral e qytetar ndaj vendit.

Në këtë moment të fillimit të numërimit të votave, si dhe të nxjerrjes së rezultateve, ju bëj thirrje të gjithë të përfshirëve në këtë proces që të kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi, ndershmëri e profesionalizëm, duke siguruar e garantuar vullnetin e shprehur me votë të qytetarëve shqiptarë.

Votuesit shqiptarë folën!

Është koha që vota e tyre të numërohet drejt dhe pa vonesë”, u shpreh Begaj.

Ora 19:20 – Berisha: Garantoj qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se asnjëherë

Kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi një konferencë për shtyp menjëherë pas përfundimit të orarit zyrtar të votimeve. Ai garantoi qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se asnjëherë. Po ashtu, ai vlerësoi qëndrimin e komisionerëve të djathtë dhe u bëri thirrje numëruesve që po me atë përgjegjësi dhe guxim të vazhdojnë procesin tjetër, atë të numërimit. Sa i përket pjesëmarrjes, Berisha tha se ishte ndër më të denjat për qytetarët.

Sali Berisha: Ata (qytetarët) votuan në Qendrat e Votimit në kushtet më të jashtëzakonshme. U ngritën mbi çdo gjë dhe folën me votën e tyre, folën në mënyrën më të civilizuar, folën me guxim, folën me vendosmëri. Ata kapërcyen mbi konglomeratin e administratës mafioze, oligarkëve të shpifur dhe bandave të tyre kriminale. Guximi, vendosmëria, përgjegjësia e qytetarëve sot ishte epike. Pjesëmarrja ka qenë jo ajo që duan ta zvogëlojnë të dëshpëruarit, ata që bënë gjithçka kundër këtij procesi, por një pjesëmarrje ndër më të denjat për qytetarët në të katër anët e vendit. Unë kam vlerësimin më të lartë, mirënjohjen më të pakufishme të të gjithë atyre të të rejave të rinjve, burrave e grave që qëndruan në krye të përgjegjësisë në komisionet e votimit. U përballën me presione dhe kërcënime nga më të papranueshmet, por kryen me nder para shqiptarëve një detyrë që është mbi të gjitha detyrat në kushte paqeje, kjo është detyrë mbi të gjitha detyrat. Ju bëj thirrje me atë përgjegjësi që dëshmuan gjatë ditës, me atë guxim me të cilin përballuan presionet e egra të mafies shtetërore, të bandave të kësaj mafie e oligarkëve të saj, po me atë përgjegjësi e guxim të numërojnë çdo votë. Garantoj qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se asnjëherë. Se kjo betejë është një betejë e një rëndësie historike dhe këtë betejë do e fitojnë vetëm ata të cilët mbrojnë kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Faleminderit.

Ora 19:20 – KQZ: 1,096,175 votues ose 30,03% deri në orën 19:20

Ora 19:04 – Incidenti në QV-në në Elbasan, Gledian Llatja kallëzon Flamur Nokën

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja ka kallëzuar penalisht deputetin Flamur Noka.

Zyra për shtyp e Llatjes ka njoftuar se kallëzimi është bërë për shkak të aktivitetit të sotëm të Nokës dhe konkretisht bazuar mbi të dhënat e përplasjes së tij fizike në mjediset e qendrës së votimit 2474 në njësinë administrative Shirgjan.

Llatja në kallëzim akuzon Nokën se ka konsumuar element të veprës penale që prekin dhe cënojnë zgjedhjet e lira, duke kanosur dhe ushtruar dhunë verbale ndaj anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit, me qëllim për t’i penguar në ushtrimin e detyrës së tyre.

Ora 19:02 – Zgjedhjet vendore, mbyllet orari zyrtar i votimit

Mbyllet zyrtarisht orari i votimit për zgjedhjet vendore në vendin tonë. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën në orën 19:00.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i votuesve deri në orën 18:53 është pak më shumë se 1 milionë vetë, ose 29,18%, nga mbi 3.6 milionë qytetarë me të drejtë vote.

Për të zgjedhur 61 kandidatë për kryebashkiakë, në garë janë 144 kandidatë. Në 61 bashki të vendit ishin të hapura 5213 qendra votimi. Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan aplikohet numërimi elektronik.

Mbi 500 qendra votimi shfaqën probleme teknike me identifikimin biometrik, duke shkaktuar vonesa në votime.

Ora 18:53 – KQZ: 1,065,144 votues ose 29,18% deri në orën 18:53

Ora 18:47 – Policia: Deputeti Flamur Noka ofendoi komisionerët në një QV në Elbasan

Në një njoftim për mediat, Policia e Elbasanit thotë se rreth orës 17:00 është njoftuar se deputeti demokrat Flamur Noka ka ofenduar komisionerët në një qendër votimi në fshatin Kuqan. Po sipas policisë, në një tjetër qendër, atë të fshatit Shirgjan, Noka ka tentuar të shtyjë kutitë dhe është larguar.

“Më datë 14.05.2023, rreth orës 17:00, Policia është njoftuar se në Qendrat e Votimit të fshatrave Kuqan dhe Shirgjan, drejtuesi politik i koalicionit “Bashkë Fitojmë“, deputeti Flamur Noka ishte futur në QV-në e fshtatit Kuqan dhe ka ofenduar komisionerët, ndërsa në qendrën e votimit në Shirgjan ka tentuar të shtyjë kutitë dhe është larguar”, thotë policia.

Në njoftim thuhet se komisionerët nuk kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë dhe menjëherë pas marrjes së njoftimit, policia e Elbasanit ka njoftuar prokurorinë. Autoritetet po vijojnë verifikimet për rastin në fjalë.

“Nga ana e komisionerëve nuk është kërkuar ndërhyrja e Policisë. Në lidhje me njoftimin e marrë, është njoftuar menjëherë Prokurori. Nga ana e Policisë, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet verifikuese dhe procedurale në lidhje me të dyja rastet”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë së Elbasanit.

Ora 18:27 – KQZ: 1,052,154 votues ose 28,82% deri në orën 18:27

Ora 17:47 – PS-qytetarëve: Mos i lini këto 90 minuta pa votuar!

Zëdhënësja për fushatën e Partisë Socialiste Bora Muzhaqi ka dalë sërish në një deklaratë nga selia rozë ku u bën thirrje votuesve t’u drejtohen qendrave të votimit.

Ajo theksoi se të gjithë ata që nuk patën mundësi të votojnë në mëngjes, kanë dhe 90 minuta kohë për të dhënë votën tyre të vlefshme.

“Janë dhe 90 minuta për gjyshërit dhe gjyshet që nuk votuan dot në mëngjes, por edhe për të gjithë ata të moshuar, të reja e të rinj, nëna e baballarë që ende nuk kanë dalur të votojnë. Mos i lini këto 90 minuta të ikin pa votuar, duam ta dëgjojnë të gjithë. Vota vlen shumë, vota vendos shumëmdhe përcakton më shumë se cdo gjë tjetër të ardhmne e përbashkët”, deklaroi Muzhaqi.

Ora 17:45 – KQZ: Votojnë 1,003,933 votues ose 27.50% deri në orën 17:45

Ora 17:41 – Celibashi: Kemi verifikuar 927 tentativa për votim të dyfishtë

Kryekomisioneri i KQZ-së në një deklaratë për mediat bën të ditur se janë evidentuar 927 raste të tentativës së votimit të dyfishtë. Gjatë fjalës së tij, Celibashi thotë se në KQZ kanë mbërritur 29 denoncime.

Ilirjan Celibashi: Kanë ardhur 29 denoncime të paktën formalisht, janë 4 denoncime nga 2 subjekte zgjedhorë, 2 nga PS dhe 1 nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. PS ka denoncime për kandidatin e BF në Elbasan dhe në Tiranë, në 2 raste për thyerje të heshtjes zgjedhore. 1 denoncim nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për shpërndarje të bazës materiale për orët e para të procesit të votimit.

24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm. Bashkitë me më shumë probleme janë Tirana, Elbasani, Durrësit, Dropulli, Kamza, Konispoli, Lezha, Peshkopia dhe Tropoja. Në Dropull denoncimi lidhet me prishjen e pajisjes Pay, ka denoncime për intimidimin e votuesve, lidhur me postimet, me përmbajtje elektorale në rrjetet sociale, natyra e denoncimeve. Ka denoncime dhe për votim familjar në disa qendra votimi apo bashki.

Përsa i përket procesit të identifikimit dhe pjesëmarrjes, janë 998 mijë e 663 votues të cilët janë identifikuar përmes pajisjes elektronike që janë edhe votues, kjo për ata persona që identifikojmë përmes pajisjes, nga këto janë 98,83 për qind që iu është marrë shenja e gishtit, pjesa tjetër janë lexuar përmes kartës, por shënja e gishtit nuk ka qenë e mundur. Kemi verifikuar 927 tentativa për votim të dyfishtë. 14 mijë e 654 votues për herë të parë.

KQZ: Deri në orën 17:33 kanë votuar 31.42% e votuesve ose 998,663 vetë.

KQZ: Deri në orën 17:20 kanë votuar 27.14% e votuesve ose 990,679 vetë.

KQZ: Deri në orën 17:07 kanë votuar 26.78% e votuesve ose 977,780 vetë.

Ora 16:49 – Policia largon një person të paautorizuar nga qendra e votimit në Elbasan. Probleme edhe në 2 QV të tjera

Në 3 qendra votimi në Elbasan janë shfaqur problematike në lidhje me persona të paautorizuar.

Konkretisht në Bradashesh, në qendrën e votimit 2930/01 policia ka ndërhyrë me kërkesë të KQZ dhe ka larguar shtetasin E. Ll., pasi dyshohej se po ndikonte tek votuesit.

Në një tjetër rast, në Mengel të Elbasanit në qendrën e votimit 2422/1, KQZ kërkoi ndihmën e policisë pasi vëzhguesit ishin paraqitur pa beixh për procesin zgjedhor dhe pa dokument identifikimi.

Punonjësit e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë ndërhyrë në Qendrën e Votimit dhe pas verifikimit të situatës, vëzhguesit që nuk kishin mjete identifikimi janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë. Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas rifillimit të procesit të votimit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.

Ndërsa në rastin e tretë, në lagjen “Partizani” në Elbasan, Komisioni i Qëndrës së Votimit nr. 2373, ka kërkuar ndihmë nga policia, pasi njëri nga vëzhguesit e Qendrës së Votimit kishte debatuar me operatoren e kësaj Qendre. Shërbimet e policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pasi kanë sqaruar situatën, janë larguar nga Qendra e Votimit, po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.

Për të trija rastet është vënë në dijeni edhe prokurori i gatshëm.

Ora 16:45 – Deklarata e Boçit/ PS kërkesë KQZ: Ka shkelur Kodin Zgjedhor me premtimet elektorale, merrni masa

PS i është drejtuar KQZ-së me një shkresë zyrtare lidhur me deklaratën për shtyp të kandidatit të koaliconit “Bashkë Fitojmë” për Elbasanin, Luçiano Boçi, ku solli në vëmendje programin e tij elektoral teksa ju bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime.

Në shkresë, PS i kërkon KQZ-së që të marrë masa për të dënuar shkeljen e Kodit Zgjedhor nga kandidati i “Bashkë Fitojmë“ për Elbasanin, Boçi.

“Në deklaratën për shtyp, të bërë drejtpërdrejtë gjatë ditës së sotme, datë 14 Maj 2023, rreth orës 16:00, konstatojmë se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet vendore z. Luçiano Boçi ka shkelur nenin 77 të Kodit Zgjedhor duke lidhur apelin për pjesëmarrje në votim me premtimet elektorale të bëra edhe gjatë fushatës. Nisur nga sa më sipër, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt zgjedhor në përputhje me standardet e legjislacionit në fuqi, lutemi të merrni masat në zbatim të nenit 174 të Kodit Zgjedhor për të dënuar këtë shkelje dhe për të garantuar mospërsëritjen e saj në vijim“, thuhet në shkresë.

Ora 16:38 – Boçi-qytetarëve të Elbasanit: Votoni nëse doni një bashki me shërbime më të mira

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ju ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.

Në një deklaratë për mediat, kandidati për Elbasanin, Boçi ju ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në votime nëse duan një bashki me shërbime më të mira, një bashki me solidaritet dhe me zhvillim ekonomik.

Luçiano Boçi: Ju bëj thirrje të dilni masivisht nëse doni një bashki me shërbime më të mira, një bashki me solidaritet, një bashki me zhvillim ekonomik. Votoni, fitoja është e sigurtë, fitoren e kërkon i madh dhe i vogël. Bashkë do ta sjellim, bashkë do ta bëjmë. Dilni dhe votoni. Sot vendoset fati i Elbasanit, fati i familjeve tona, i qytetit, i bashkisë, i fëmijëve tanë, i vendit. Dilni dhe votoni, bëhuni pjesë e ndryshimit dhe fitores tonë për Elbasanin tonë dhe për bashkinë që do të i përkasë pas gjithë këtyre viteve, të gjithë qytetarëve.

KQZ: Deri në orën 16:30 kanë votuar 25.30% e pjesëmarrësve ose 923,453 votues

Ora 16:18 – PS: Këlliçi shkeli legjislacionin me deklaratën e tij, KQZ të marrë masa

PS i është drejtuar KQZ-së me një shkresë zyrtare lidhur me deklaratën për shtyp të kandidatit të koaliconit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi ku solli në vëmendjen programin e tij elektoral teksa ju bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime.

Në shkresë, PS i drejtohet KQZ-së që të marrë masa për të dënuar shkeljen e Kodit Zgjedhor nga kandidati i “Bashkë Fitojmë “ për Tiranën.

Ora 16:05 – Nën hetim 37-vjeçari dhe gruaja, fotografuan fletën e votimit në Xarrë të Sarandës

Fotografuan fletët e votimit, arrestohet një 37-vjeçar, procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja e tij.

Komisariati i Policisë Sarandë ka marrë njoftim nga shtetasi O. Sh., vëzhgues në Qendrën e Votimit nr.4731, Xarrë, se dy shtetas kishin fotografuar fletët e votimit dhe më pas kishin dalë jashtë Qendrës së Votimit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë menjëherë kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, për këtë rast. Dy bashkëshortët dhe vëzhguesi janë paraqitur me vullnetin e tyre, në Prokurorinë e Sarandës.

Në vijim të veprimeve u arrestua shtetasi L. T., 37 vjeç, banues në Xarrë, Konsipol dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen E. T(C)., për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Ora 15:56 – Hodhi në koshin e mbeturinave fletën e votimit të tij dhe të ëmës, kapet 44-vjeçari në Krujë

Rreth orës 13:50, Komisioni i Qendrës së Votimit 1285/2, KZAZ Nr. 20, Krujë, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi shtetasi B. T. kishte marrë 2 fletë votimi nga Qendra e Votimit dhe ishte larguar.

Shërbimet e Policisë kanë organizuar menjëherë punën dhe si rezultat kanë kapur dhe shoqëruar në Komisariat, shtetasin B. T., i cili pasi ka marrë me vete 2 fletët e votimit (të vetes dhe të nënës), ka dalë nga Qendra e Votimit, i ka dëmtuar fletët e votimit dhe i ka hedhur ato në koshin e mbeturinave.

Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, shtetasi B. T., 44 vjeç, banues në Tapizë, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Policia ka sekuestruar 2 fletët e votimit që ky shtetas mori nga Qendra e Votimit.

Në drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Ora 15:45 – Këlliçi thirrje qytetarëve: Votoni nëse doni që autobusin ta keni pa pagesë

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi në një deklaratë për mediat ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë.

Teksa premton për zbatim të programit të tij elektoral nëse i besohet një mandat në Tiranë, Këlliçi iu drejtohet me thirrjen për pjesëmarrje në votime qytetarëve për të bërë sipas tij, ndryshimin në kryeqytet.

Belind Këlliçi: E ardhmja që ju doni është shumë pranë. Ndaj kam një thirrje nga zemra për të gjithë bashkëqytetarët e mi, ju lutem ushtroni detyrën tuaj si qytetarë, dilni dhe votoni nëse doni që pas 14 Majit, autobusin ta keni pa pagesë, nënkalimi tek sheshi “Skëndërbej” të bëhet realitet, taksat më të ulëta dhe oazet e gjelbra të bëhen realitet. Nëse doni një Tiranë ndryshe dilni dhe merrni pjesë në votim. Është dita që kurorëzohet mundi juaj dhe pjesëmarrja juaj ka një rëndësi të veçantë. Merrni pjesë në këtë proces. Të gjithë qytetarët e Tiranës, të shkojnë në qendrat e votimit për të bërë ndryshimin, dilni dhe votoni.

KQZ: 29.51% pjesëmarrja në votime deri në orën 15:00

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve raporton se deri në orën 15:00, pjesëmarrja në votime është 29.51% ose kanë votuar 550,812 persona. Këto janë të dhënat më të fundit të raportuara nga KQZ.

Ora 15:17 – “Dy gorilla s’më lanë të hyj brenda”, Spaho për incidentin: Një grup të rinjsh m’u turrën…

Deputeti demokrat Edmond Spaho ka folur pas incidentit të ndodhur paradite në një qendër votimi në fshatin Zvezdë të Korçës. Në një deklaratë për mediat, ai thotë se shkoi në atë qendër votimi pasi mori informacion se një grup të rinjsh po u ushtronin presion qytetarëve për votën.

“Shkova për të kontrolluar ecurinë e procesit të votimit në fshatin Zvezdë. Paraprakisht kisha marrë informacion që një grup të rinjsh po ushtronin presion. Shkova në Zvezdë vetëm, pashë një grup të rinjsh me kapuça brenda dhe jashtë, hyra në korridor e njëjta situatë.”

Sipas deputetit, ai u pengua të futej brenda qendrës së votimit nga dy persona, e më pas një grup të rinjsh lëshuan fyerje ndaj tij. Pas këtij momenti, Spaho thotë se dikush e ka goditur me grusht në buzën e sipërme, duke e detyruar atë që të dilte jashtë.

“U përpoqa ti bëj shenjë komisionerit, por më penguan dy gorilla trupmëdhenj, më dolën përpara. Lëviza djathtas ata djathtas, unë majtas, ata majtas. U përpoqa ti anashkaloj ishte e pamundur dhe më pas tërhoqa njërin. Ti Edmond Spaho tha s’ke për të hyrë këtu. Kush je ti që më ndalon dhe e tërhoqa pasi po më pengonte. Kur ndodhi kjo ngjarje të gjithë të rinjtë që ishin brenda dhe jashtë, u turrën dhe më rrethuan dhe u detyrova të dal. Njoftova komisarin e policisë së Maliqit si dhe KZAZ-në dhe kërkova prezencën në Zvezdë. Në pritje që të vinte policia, jam ndeshur me një lumë të sharash, ulërimash politike. Donin të tregonin dominimin e qendrave. I kam fotografuar dy gorillat, dhe po prisja të vinte policia, ndërkohë vjen deputeti Pendavinji me një grup tjetër që po më ofendonin. Në këto kushte i thashë Ilir Pendavinjit që ti je i lidhur me bandat, je hajdut hajdut bandash, është hajdut zgjedhjesh. Në këtë kohë dikush më goditi në buzën e sipërme në krahun e majtë, por pa një problem serioz të themi. Duke qenë se situata po acarohej, u detyrova të dal jashtë.”

Për rastin, ai thotë se ka video e foto të cilat do ja dërgojë policisë dhe prokurorisë.

“Unë bëra kallëzim penal dhe këtë kallzim do ta bëjë edhe nënkryetari i KZAZ-së. Incidente të tilla nuk duhet të ketë fare, edhe incidenti i parë ime Gëzim Topçiun ishte një mashtrim që ai po u bënte traktoristëve pasi nuk i targon ai mjetet bujqësore. Dhe atë takim unë e kam dokumentuar me video që policia dhe prokuroria dhe OSBE ODIHR-it ta ndjekin. Edhe në këtë rast sipas kodit zgjedhor, si deputet mua më lejohet të futem dhe të kontrolloj procesin e votimit. Megjithatë asnjëherë që kur kam marrë këtë pozicion, unë nuk kam hyrë në qendrat e votimit. Po ju them atje shkova vetëm dhe nuk kam pasur asnjë përkrahës.”

Ora 15:15 – Yuri Kim: Nuk duhet të ushtrohet trysni mbi asnjë votues, askush s’duhet të shesë apo të blejë votën

Nga Vlora, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim është shprehur se deri më tani situata në procesin zgjedhor paraqitet e qetë, por do të pritet raporti i të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR për të dalë në përfundime konkrete.

Yuri Kim: Unë jam një ndër vëzhguesit ndërkombëtarë të shumtë, të cilët janë këtu në Shqipëri. Deri më tani, situata duket në rregull, por unë jam vetëm një person dhe duhet të presim vëzhgimin që kanë bërë vëzhguesit e tjerë. Më e rëndësishmja është të dëgjojmë raportimet që do të bëjnë nga ODIHR. Ne po udhëtojmë në gjithë vendin. Unë isha në Nivicë dhe në Selenicë këtu, por do të shkoj të vizitoj dhe disa vende të tjera.

Ambasadorja Yuri Kim ka bërë thirrje që të mos ushtrohet asnjë trysni mbi votuesit dhe çdo zgjedhës të ushtrojë të drejtën e tij pa e shitur apo blerë votën. Ambasadorja Kim ka shtuar se është përgjegjësi e autoriteteve të zbatojnë ligjet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Pyetje: Në Himarë si e keni parë situatën?

Yuri Kim: I kemi parë të gjitha situatat.

Pyetje: Ka pasur disa denoncime për trysninë nga kryetari i bashkisë, a keni ndonjë koment?

Yuri Kim: Nuk duhet të ushtrohet asnjë trysni mbi asnjë votues dhe ësht shumë e rëndësishme që çdo votues të ushtrojë të drejtën e tij sepse kjo është një e drejtë themelore dhe askush nuk duhet të shesë dhe të blejë votën dhe është përgjegjësia e autorietetve që t’i zbatojnë ligjet në mënyrë të barabratë dhe të njëtrajtshme në çdo situatë.

Ora 14:47 – Jorgo Goro: Qytetarët e Himarës të shprehin vullnetin me votë. Vangjel Dule të flasë me fakte

Kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, i cili kërkon edhe një mandat të dytë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë.

Jorgo Goro: “Sot qytetarët e Himarës duhet të shprehin vullnetin e tyre me votë dhe vota duhet të jetë për atë që mendojnë. Asnjë hezitim, i ftoj të gjithë qytetarët të cilët nuk kanë votuar akoma që të vijnë të shprehin vullnetin e tyre të lirë për të ardhmen e tyre”.

Goro u është përgjigjur edhe akuzave të Vangjel Dules, që tha se familjarë të Jorgo Goros qëndrojnë pranë qendrave të votimit.

Jorgo Goro: “Nuk ka një gjë të tillë, Vangjel Dule ta thotë me fakte se ku dhe kë kanë kërcënuar apo intimiduar për të votuar për këdo. Unë shpreh dhe njëherë atë që qytetarët e Himarës po bëjnë sot dhe në qendrat e votimit, siç e shikoni ka qetësi dhe njerëzit po votojnë për të shprehur vullnetin e tyre”.

KQZ: Pjesëmarrja në votimev 26.64% deri në orën 14:00

26.64% e qytetarëve ose 503,783 qytetarë kanë votuar deri në orën 14:00 sipas të dhënave të raportuara nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Ora 14:21 – Berisha: Opozita më e fuqishme se kurrë. Vota e shqiptarëve ka mbrojtjen absolute të opozitës

Kryedemokrati Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka falenderuar të gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë në votime teksa ju ka bërë thirrje atyre që nuk kanë votuar që të dalin edhe të shprehin vullnetin e tyre me votë.

Kryedemokrati Berisha thotë se opozita po mbron me sukses të plotë votën e qytetarëve shqiptarë teksa shton se opozita sot është më e fuqishme se kurrë më parë.

Sali Berisha: Së pari, jam këtu për të falenderuar përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë, që kanë ardhur nga dhjetëra e dhjetëra vende të kontinenteve të ndryshme për të firmosur sot me votën e tyre ndryshimin. Mirënjohja ndaj tyre është e pakufishme.

Së dyti, unë dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë, të cilët që nga ora shtatë e mëngjesit deri në këtë kohë, janë paraqitur dhe kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit.
Kanë kryer një detyrë kushtetuese jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, veten dhe familjen e tyre.

Së treti, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë votuar, të votojnë, të paraqiten në orët në vazhdim pranë qendrave të tyre dhe të votojnë si një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëjnë vendit, vetes dhe familjes së tyre.

Së fundmi, garantoj qytetarët se opozita po mbikëqyr me sukses të plotë këtë proces. Ajo sot është më e fuqishme se kurrë. Vota e tyre ka mbrojtjen absolute të opozitës shqiptare. Çdo lloj përpjekje që po bën narko-administrata, narko-shteti, është e destinuar të dështojë, të dështojë dhe vetëm të dështojë.

Qytetarëve u them gjithashtu, policia ka marrë pushim sot, por pavarësisht nga kjo, ju votoni si njerëz të lirë. Opozita do të mbrojë votën dhe po mbikëqyr çdo votë tuajën!

Ora 14:15 – Problemi me identifikimin biometrik/ Celibashi i përgjigjet Bora Muzhaqit: Patjetër është përgjegjësi e jona

Kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi i është përgjigjur menjëherë Bora Muzhaqit të Partisë Socialiste, pas akuzave që bëri në adresë të KQZ-së për problemet me identifikimin biometrik çka solli edhe vonesa në rreth 500 qendra votimi.

Celibashi ishte në konferencë shtypi teksa denoncoi Muzhaqi dhe u pyet menjëherë nga gazetarët.

“Patjetër që është përgjegjësi e KQZ. S’ka arsye që ta ketë qeveria ku bën pjesë zonja”, u përgjigj Celibashi.

Ora 14:12 – PS: KQZ t’u kërkojë ndjesë publike qytetarëve. Thirrja jonë është të votoni!

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi ka dalë përmes një deklarate në selinë rozë, që në emër të Partisë Socialistëve t’u bëj thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime.

Ajo theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’u kërkojë ndjesë publike qytetarëve të cilët u detyruan të largohen nga qendrat e votimit në mëngjes, për shkak të problemeve teknike.

“Qysh në minutën e parë KQZ duhet të siguronte funksionimin e pajisjeve në çdo qendër, por edhe më keq akoma ishte hezitimi i pakuptueshëm i KQZ-së për të zgjidhur këtë ngërç të krijuar nga ajo vetë duke vonuar me orë fillimin e votimit në disa qendra votimi. Kjo solli largimin e kuptueshëm të shumë zgjedhësve nga qendrat e votimit. Na vjen tmerrësisht keq për këtë dhe KQZ-ja duhet të kërkojë një ndjesë publike të gjithë atyre që u larguan këtë mëngjes për këtë dështim të saj në garantimin e nisjes së votimit në çdo qendër në orarin zyrtar. Megjithatë PS u lutet të gjithë atyre që nuk mundën të votonin në orët e para të mëngjesit të kthehen gjatë ditës dhe ta kryejnë detyrën qytetare.Prandaj, thirrja jonë është votoni, votoni, votoni!”, tha Muzhaqi nga selia rozë.

Ora 14:10 – “Pasi kam votuar, në fletë ka dalë emri i kandidatit tjetër”, gazetari tregon rastin e denoncimit të qytetarit në Elbasan

Gazetari i Klan News, Fatos Salliu raporton nga Elbasani rastin që një qytetar i kësaj bashkie ka denoncuar tek komisionerët.

Salliu raporton se një qytetar ka denoncuar duke thënë se pasi ka votuar njërin prej kandidatëve për kryetarë bashkie, ka printuar letrën dhe ka pretenduar se në letër ka dalë emri i kandidatit tjetër.

Gazetari shton se votimi në këtë pajisje elektronike është bllokuar, por vijon në pajisjen tjetër që ndodhet aty teksa thotë se nuk ka krijuar radhë bllokimi i njërës prej pajisjeve elektronike.

Fatos Salliu: Unë ndodhem në ambientet e shkollës “Bardhyl Popa” këtu në qytetin e Elbasanit, në hyrje të qendrës së votimit 2373/1, ku është hasur një problematikë. Një qytetar ka denoncuar faktin që pasi ai ka votuar elektronikisht për njërin prej kandidatëve për kryetarë bashkie, ka printuar letrën dhe në letër ka dalë emri i kandidatit tjetër. Pas këtij incidenti, është njoftuar komisioni i qendrës së votimit, që ka njoftuar pastaj KZAZ dhe më tej specialistët e KQZ-së.

Për momentin, votimi në këtë pajisje elektronike është bllokuar, ndërkohë që votimi vazhdon në pajisjen tjetër. Pajisja në të cilën është shfaqur kjo problematikë është bllokuar, ndërkohë që vazhdon votimi me pajisjen tjetër. Në këtë orë të ditës, ka një interesim në rritje të votuesve në Elbasan. Në të gjitha qendrat kryehet procesi i votimit. Pjesëmarrja mendohet të jetë rreth 20 për qind në Bashkinë e Elbasanit. Ka një interes në rritje në këtë orë të ditën. Problematika në shkallë qarku nuk janë hasur. Unë ndodhem në hyrje të qendrës së votimit, nuk ka radhë pasi është pajisja tjetër që është në gatishmëri për qytetarët të cilët mund të vazhdojnë të votojnë.

Ora 13:55 – Celibashi: Prania e personave të paautorizuar në QV, intimidim ndaj votuesve. Policia të veprojë

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka ngritur shqetësimin e personave të paautorizuar brenda disa qendrave të votimit në rang vendi.

Në një deklaratë për mediat, ai thotë se prezenca e këtyre personave konsiderohet nga KQZ si intimidim ndaj votuesve dhe i ka kërkuar policisë që të marrë masa.

Kushdo që nuk largohet, theksoi Celibashi, do të mbajë përgjegjësi ligjore.

“Praninë në ambientet e pranimit të personave të paautorizuar, ne si KQZ e konsiderojmë si intimidim dhe presion ndaj votuesve ndaj është rasti që autoritetet duke filluar nga policia apo dhe Komisioni Zonal Zgjedhor ta adresojnë këtë si shqetësim dhe të merren masat përkatëse. E papranueshme që qytetarët që nuk kanë lidhje me atë qendër votimi të vazhdojnë të rrinë në ambientet e brendshme ku votohet. Do duhet të boshatisen menjëherë. Menjëherë! Dhe çdokush që refuzon t’i përgjigjet thirrjes së KQZ do të mbajë përgjegjësi”, tha kryekomisioneri Ilirjan Calibashi.

Celibashi foli edhe për disa denoncime të tjera që janë bërë në adresë të KQZ.

“Në lidhje me bojën jemi dëshmitarë që kjo histori e bojës sillet në vëmendje. Vështirë ta themi tani sa qëndron kjo problematikë. Në tërësi provesi i votimit ka shkuar normalisht, mendoj që është tejkaluar edhe problematika e identifikimit biometrik. Ngelet për t’u verifikuar 77% e qendrave të votimit kanë nisur punën, në këto 502 qendra votimi për çfarë arsye e patëm këtë situatë. Në gjithë pjesën tjetër procesi i identifikmit elektronik është duke shkuar shumë mirë”.

Sipas kryekomisionerit, 77% e qendrave të votimit nisën punën në orën 07:00, 13% të tjera nisën në orën 07:30, 11% pas orës 08:00. Këto të fundit janë kryesisht ato qendra ku patën probleme me identifikimin biometrik përmes teknologjisë.

“Prej disa orësh ka zero qendra votimi në të cilat mungon kuorumi. Procesi është duke shkuar qetë dhe pa probleme në aspektin teknik. Dy qendra votimi në Devoll kanë patur problematika, 2 kuti kanë qenë të dëmtuara. Nga komunikimi me Policinë e Shtetit, kemi formacion për 2 incidente, një në Fushë-Krujë dhe një tjetër me operatorin e pajisjes elektronike të identifikimit në Dibër. Janë 14 denoncime të administruara deri tani nga KQZ nëpërmjet aplikacionit. Lidhen kryesisht me parregullsi të veprimeve të anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit, probleme të aksesimit nga persona me aftësi të kufizuar”.

Ora 13:43 – Votimi në Kukës, gazetari: Fluks i shtuar i zgjedhësve pas orës 12:00

Deri në këtë moment, në bashkinë e Kukësit kanë votuar 6525 qytetarë ose 24.5% e numrit total të zgjedhësve, në Has 27.9% e votuesve, ndërsa në Tropojë 25% e votuesve.

Gazetari i Klan News Merin Maçi ka raportuar se fluksi më i madh i votuesve është shënuar pas orës 12.

“Në bashkinë e Hasit, pjesëmarrja është relativisht e ulët. Ka ndikuar mungesa e energjisë elektrike dhe problemet me pajisjet e identifikimit biometrik. Janë 28 qendra votimi në këtë bashki me një KZAZ kryesore. Nga 16 mijë votues, 2561 prej tyre kanë shprehur vullnetin e lirë përmes votës. Pak para votimit ka pasur incidente. Kryesisht në të treja bashkitë bie në sy se pjesëmarrja në votime kryhet me dy ose tre persona të familjes. Megjithatë një pjesë e votuesve kanë vendosur ta shprehin vullnetin e tyre pas orës 16:00 me mbarimin e punës”, bëri me dije Maçi.

Vëmendja kryesore është fokusuar te bashkia e Kukësit, ku në garë janë 3 kandidatë.

KQZ: 23.2% pjesëmarrja në votime deri në orën 13:00

Deri në orën 13:00, pjesëmarrja në votime ka shkuar në shifrat e 23.2%.

Këto janë të dhënat e fundit nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. 23.2% nënkupton 440,370 qytetarëve që kanë votuar në rang vendi.

Ora 13:14 – Flet personi që Spaho e tërhoqi nga krahu: Jam votues, ç’a duan deputetët që vijnë e na kërcënojnë?!

Në një prononcim për mediat, ka folur personi të cilin deputeti demokrat Edmond Spaho e tërhoqi sot nga krahu, brenda qendrës së votimit në Zvezde të Korçës. (Lexo më shumë)

Ai u shpreh se është votues dhe se deputeti e mori zvarrë për ta nxjerrë jashtë duke e kërcënuar.

-Çfarë ndodhi?

Qytetari: Vjen Edmond Spaho, na merr zvarrë dhe na nxjerr jashtë.

-Kë mori, ty?

Qytetari: Mua e ca të tjerë.

-Pse, kishte ndonjë arsye?

Qytetari: Pse rrini këtu, ne ishim në radhë këtu për të votuar.

-Jeni votues?

Qytetari: Po, votues jemi. Ne ishim këtu në rresht. Ne votuam si iku Spaho. Ça duan deputetët këtu që vijnë e na kërcënojnë ne?!

-Të kërcënoi?

Qytetari: Ça?! Më tërhoqi zvarrë mo!

-Po ju votuat?

Qytetari: Po si s’votuam? Pse atë do pyes unë?! Po pres motrat dhe vëllezërit të vijnë, se nuk mund të dëgjoj të shara unë prej deputetëve. Shajti, si s’shajti! Na ndërpresin…

-Si quheni?

Qytetari: Unë Mondi, na turpëroi dhe emrin, ma vodhi!

Kujtojmë se për këtë incident ende nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e policisë. Ndërsa gazetarja e Klan News Daniela Zisi raportoi më herët se ky rast ka ndodhur pasi përfaqësuesit e opozitës kanë pretenduar se PS ka futur njerëz brenda qendrës së votimit për t’u bërë presion qytetarëve për votën.

Ora 12:55 – “Persona me xhupa e kapuçë intimidojnë votuesit”, Kaziaj: I bëjmë thirrje Rrumbullakut të marrë masa

Përfaqësuesi i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” Altin Kaziaj ka denoncuar publikisht presionin që sipas tij po u bëhet votuesve në qendrat e votimit, nga persona që nuk janë të autorizuar të jenë aty.

Përmes një deklarate për mediat, Kaziaj i bëri thirrje kreut të Policisë së Shtetit të shtojë efektivët në perimetrin e qendrave të votimit, për të mos lejuar persona të tillë të intimidojnë votuesit.

“Personat që kanë detyra zgjedhore duhet të rrinë në këto ambiente. Shumë media kanë transmetuar persona me xhupa e kapuçë që po ushtrojnë presion mbi të drejtën kushtetuese të qytetarëve. I bëj thirrje drejtorit të Policisë së Shtetit zoti Rrumbullaku që të marrë masa të menjëhershme duke siguruar prezencën në atë që ligji e lejon, të policisë duke nxjerrë jashtë qendrave të votimit këta persona që nuk kanë lidhje fare me komisionerët e qendrave të votimit, të jenë jashtë perimetrit 150 metërsh. Në Tiranë ka një prezencë të shtuar të këtyre personave, ky është një komunikim që po u bëhet qytetarëve, mos kini frikë nga intimidimi që po ju bëhet, merrni në telefon Policinë e Shtetit dhe nëse nuk ju përgjigjen, ne do marrim çdo aksion ligjor për përgjegjësit”, tha Kaziu.

Ai theksoi po ashtu se të gjithë komisionerët për koalicionin “Bashkë Fitojmë” janë në krye të detyrës.

Ora 12:46 – Voton kandidati i “BF” në Durrës, Igli Cara: Bashkë me qytetarët do bëjmë ndryshimin

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Durrës, Igli Cara ka votuar dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime.

Në fjalën e tij të rastit para gazetarëve, ai ka deklaruar se së bashku me qytetarët do të ndodhë ndryshimi i shumëpritur në Durrës.

Igli Cara: “Dua me këtë rast të ftoj të gjithë qytetarët e Durrësit që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Kjo është një ditë e rëndësishme mbi të gjitha për familjet e tyre, për Durrësin dhe për të ardhmen. Mos stepen, por të vijnë të votojnë pavarësisht se shpeshherë kemi dhe momente jo të mira, por unë jam optimist që së bashku me qytetarët do bëjmë atë ndryshimin e shumëpritur në qytetin e Durrësit. Faleminderit me zemër për të gjithë qytetarët e Durrësit që më kanë mbështetur në këtë fushatë dhe unë jam optimist që Durrësi më në fund do t’i kthehet qytetarëve. Data 15 do të jetë data e fitores së madhe”.

Ora 12:36 – Pjesëmarrje e ulët zgjedhësish në Vorë, ndërpritet 40 minuta votimi në disa qendra

Në Vorë po ashtu ka pasur vonesa në procesin e votimit prej problemeve teknike. Gazetarja e Klan News Dorina Halili ka raportuar se votimi është ndërprerë rreth 40 minuta në disa qendra votimi.

Në këtë zonë janë 44 qendra votimi, ku pritet të shprehin vullnetin e tyre politik 30 mijë e 800 qytetarë. Sipas gazetares, deri në orën 12 kanë votuar vetëm 2 mijë qytetarë.

“Fluksi më i lartë ka qenë në orën 10 e 11 ndërsa tani interesi ka ardhur në ulje. Janë kryesisht moshat e treta ata që i janë drejtuar kutive të votimit. Pjesëmarrja nuk është shumë e lartë, ka qenë më e ulët sesa në zgjedhjet e vitit 2021, deri në orën 11 ”, theksoi Halili.

Po ashtu, mësohet se kandidati i “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki u ka bërë thirrje autoriteteve përkatëse të marrin masa, pasi sipas tij në qendrat e votimit futen persona të paautorizuar.

Hoxha garon përballë kryetarit aktual të kësaj bashkie Blerim Shera i Partisë Socialiste.

KQZ: 18.94% pjesëmarrja në votime deri në orën 12:00

KQZ raporto se deri në orën 12:00, pjesëmarrja në votime ka qenë 18.94% ose kanë votuar 365,191.

Ora 12:23 – Votim elektronik në Kamëz, gazetarja: Qytetarët po presin në radhë

Nga qendrat e votimit në gjimnazin “Ibrahim Rugova” të Kamzës ku po zhvillohet votimi elektronik, gazetarja e Tv Klan, Erikleda Dorezi raporton se në orët e mesditës ka interes të lartë të votuesve dhe qytetarët po presin në radhë për të shprehur vullnetin e tyre të lirë përmes votës.

Erikleda Dorezi: Në Bashkinë e Kamzës kemi kandidatin Rakip Suli që kandidon për një mandat të dytë, kemi Arjan Hoxhën që është kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Bilbil Bajraktari që është kandidat i Partisë Demokratike për Kamzën. Interesimi i qytetarëve në këtë orar është shumë më i madh se i paradites, shihen radhë jashtë qendrave të votimit, në të 6 qendrat e votimit që janë të pozicionuara në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në qendër të Bashkisë Kamëz. Pothuajse në të gjithë qendrat, ka njerëz që presin në radhë edhe pse votimi elektronik kursen më shumë kohë.

Ora 12:06 – Përplasje dhe në Korçë, në video shihet Edmond Spaho që tërheq nga krahu një person

Tjetër incident është shënuar në një nga qendrat e votimit në qytetin e Korçës.

Gazetarja e Klan News Daniela Zisi ka siguruar videon e momentit, ku shihet deputeti demokrat Edmond Spaho që tërheq nga krahu një person tjetër.

Ende nuk dihet me saktësi se çfarë ka ndodhur, pritet të mësohen më shumë detaje në vijim.

Ndërkohë rreth një orë më parë, incidente janë shënuar në Spitallë dhe në Fushë-Krujë.

Ora 12:02 – Dule: Të afërmit e kandidatit të PS në Himarë presion ndaj votuesve, “të fortët” fotografojnë e kërcënojnë qytetarët

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule është shprehur se të afërmit e kryebashkiakut dhe njëherësh kandidatit të PS-së në Himarë, Jorgo Goro, po ushtrojnë presion mbi votuesit në qendrat e votimit.

Në një prononcim për mediat, Dule thotë se ata po ofrojnë para në këmbim të marrjes së kartave të identitetit të votuesve në Himarë para hyrjes së tyre në qendrat e votimit.

Dule shton se në shumicën e qendrave të votimit nuk ka prani policore, edhe kjo thotë se është një ndër arsyet pse po ushtrohet presion ndaj qytetarëve që ju drejtohen qendrave të votimit.

Vangjel Dule: Dëshiroj të ju falenderoj të gjithëve që jeni të pranishëm dhe do të ju lutesha që të jeni deri në fund të procesit. Nga zhvillimi i procesit zgjedhror, nga vizitat personale në disa qendra votimi dhe nga disa informacione që kemi nga përfaqësi, denoncoj aktivizimin e të afërmëve të kandidati të PS-së duke ushtruar presion, duke ofruar para në këmbim të marrjes së kartave të identitetit dhe duke ushtruar presion mbi zgjedhësit para hyrjes në qendra votimi. Tentojmë të komunikojmë me policinë pa sukses. Nuk ka prani policore në shumicën e qendrave të votimit, ndërkohë që është detyrim të jenë. Janë aktivizuar në shumë qendra votimi grupe të fortësh me makina luksoze duke ju folur qytetarëve se po fotografohen të gjithë me kërcënimin se do të përdoren të nesërmen kundër tyre. Duhet që këtij detyrimi ligjor, policia t’i përgjigjet në kohë.

Janë në terren, sidomos në qendra që janë në distancë të qytetit, punonjësit e Kadastrës së Bashkisë Himarë të cilët duke pasur lista të banorëve që kanë lista të problemeve pronësore, nuk do ju japin zgjidhje nëse nuk votojnë PS. Unë nuk jam Polici e Shtetit dhe nuk mbaj me vete kamera dhe as mikrofon, denoncoj atë që konstatoj dhe ju mund të më provoni ato që them si të drejta apo të padrejta. Situata nuk duhet të tensionohet. Ne duam proces të barabartë dhe të qetë. Ata që kanë arrestuar dhe mbajnë peng kandidatin tonë, Edi Rama, është ai që dirigjon këto tensione. Duhet të largohen të fortët. Duhet prani policore. Shkoni dhe shikoni në qendrën e votimit, Himarë fshat makina luksoze dhe persona që fotografojnë.

Edhe pse kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri është në burg me akuzën për blerje të votave, Dule beson se fitorja është e sigurtë për ata dhe se nga e hëna do të fillojë një periudhë ndryshimi për Himarën.

Vangjel Dule: Fitoja është e sigurtë dhe ju garantoj se nga e hëna fillon një periudhë e re për Himarën dhe rrethi vision në Himarë, do të thyhet. Do të kemi harmoni shoqërore në interes të komunitetit, shembull për bashkitë e tjera. Jemi duke ndjekur ligjin në gërmën dhe frymën e vet.

Ora 11:57 – Mbyllet procesi i votimit në burgun e Shënkollit. Nga 113 të dënuar kanë votuar 111 prej tyre.

Ora 11:49 – Vonesa me votimin në Kurbin

Edhe në zonën e Mamurrasit ka pasur probleme të shumta teknike, aq sa votimi në dy prej qendrave të votimit ka nisur 3 orë me vonesë, pra në orën 10:00.

Gazetarja e Klan News Denada Jushi ka raportuar nga atje, duke thënë se tanimë prej një ore e gjysmë votimi vijon normalisht, në mënyrë manuale.

“Jemi vendosur në njërën nga 4 njësitë administrative të Kurbinit, në fshatin e Mamurrasit. Në dy qendra votimi ka pasur problematika dhe pprocesi i votimit ka nisur në orën 10:00 pasi nuk kanë funksionuar pajisjet e identifikimit biometrik. Prandaj është vendosur që të votohet në këtë formë manuale.”

Ajo theksoi se numri i votuesve është i ulët, kjo për shkak dhe të problematikave që janë hasur.

“Në këtë njësi kemi 18 mijë votues nga 58 mijë që ka gjithë Kurbini dhe për 1 orë e gjysmë në këto dy qendra votimi nga 3811 zgjedhës kanë votuar vetëm rreth 300 votues. Kjo për shkak të problematikave. Në orët e para të mëngjesit në Kurbin ka pasur një interes të shtuar, ndërkohë në Milot e Mamurras ka pasur një interes më të ulët. Vetëm 8.8% nga votuesit e kësaj bashkie kanë ushtruar të drejtën e votës”, raportoi Jushi.

KQZ: Pjesëmarrja në votime 13.59% deri në orën 11:00

263 mijë qytetarë kanë votuar në të gjithë vendin deri në orën 11:00, sipas raportimeve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

E përkthyer në përqindje, pjesëmarrja është 13.59%. Pas problemeve teknike me identifikimin biometrik ne disa qendra votimi, procesi është rregulluar dhe ka vijuar me listat e printuara.

Ora 11:32 – Voton Erion Veliaj: Qytetarët të dalin të votojnë, janë fatet e qytetit për 4 vite

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i cili kandidon për një tjetër mandat, në krye të bashkisë së kryeqytetit, ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij.

Kryebashkiaku Veliaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime pasi problemi elektronik është rregulluar.

Erion Veliaj: “Jam në dijen të faktit që kemi pasur disa avari, nuk do thoja dramatike. Më vjen mirë që kemi një vendimmarje. Gjithmonë duhet të prevalojë e drejta e qytetarëve për të votuar. Ftesa për gjithë qytetarët që mund të jenë dekurajuar, sidomos për atë që janë më të mëdhenj në moshë, është të rikthehen në qendrat e votimit. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të dalin të votojnë. Janë fatet e qytetit për 4 vitet e ardhshme janë projektet e qytetit në lojë. Mezi pres që ta çojmë këtë proces deri në fund me qetësi.

Dua t’i falenderoj 5 kandidatët e tjerë, t’ju uroj atyre shëndet për familjet e tyre. Gara tani mbaroi. Atyre ju uroj shumë sukses por dhe gjithë qytetarët i falenderoj që ka qenë një nga fushatat më të qeta.

Ata që janë në krye të këtij procesi ta vazhdojnë me qetësi, ësht shumë e rëndësishme që të fitojë Tirana”.

Ora 11:28 – Incident në Spitallë, ndërpritet votimi 30 minuta! Përplasje edhe në Fushë-Krujë

Përpos problemeve teknike në disa qendra votimi me pajisjen e identifikimit biometrik, këtë të Dielë janë shënuar dy incidente në qarkun e Durrësit.

Gazetarja Enkeleda Arapi ka raportuar nga qendra e votimit në Spitallë, atje ku dhe procesi i votimit u ndërpre për 30 minuta. Arapi thotë se ka pasur përplasje mes një grupi të mbështetësve të opozitës me ata të Partisë Socialiste.

“Pak minuta më parë u ndërpre procesi i votimit për shkak të disa personave që qëndronin jashtë, bëhet fjalë për mbështetës të PD-së dhe PS-së, opozita thotë se mbështetës të PS-së kanë intimiduar votuesit. Kryetari ka marrë vulën dhe ka ndërprerë procesin për 30 minuta.”

Një tjetër incident është shënuar dhe në Fushë-Krujë, për të cilin policia ka dalë me njoftim zyrtar. Një votues është përplasur fizikisht me një nga anëtarët e komisionit brenda qendrës së votimit.

“Një incident tjetër është raportuar dhe në Fushë-Krujë, komisioni i qendrës së votimit ka kërkuar ndihmën e efektivëve pasi një votues ëstë konfliktuar me një anëtar të komisionit. Në debat e sipër ai e ka qëlluar me grusht. Tanimë situata është normale, ndërkohë që aty qëndron policia për të shmangur situata të ngjashme”, deklaroi gazetarja.

Pavarësisht incidenteve, në të gjithë qarkun votimi vijon normalisht. Por sipas Arapit, deri në këto momente pjesëmarrja është e ulët.

“Thuhet se kanë marrë pjesë vetëm 6% e gjithë votuesve të qarkut të Durrësit”, theksoi ajo.

Ora 11:19 – Shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Glover: Deri tani situata e qetë, të presim përfundimin e procesit

Drejtuesja e misionit të vëshguesve të OSBE-ODIHR, Audrey Glover, shprehet se deri më tani procesi zgjedhor paraqitet i qetë teksa shton se duhet pritur deri në përfundim të zgjedhjeve për të dalë në një përfundim të qartë lidhur me mbarëvajtjen e tyre.

Shefja e Misionit Vëzhgues të OSBE-së, Glover: Ne duhet të shohim të gjithë procesin sot dhe të shohim se çfarë mund të nënvizojmë dhe të bëjmë vlerësimin përkatës. Është situata e qetë deri tani, ndoshta edhe për shkak të motit. Ne jemi duke e vëzhguar procesin dhe shumë pyetje duhet të gjejnë përgjigje, ne nuk kemi asnjë panoramë të qartë. Ne duhet të presim përfundimin e procesit. Ne duhet të presim akoma. Edhe procedurat e djeshme, shpërndarja e materialeve zgjedhore, janë pjesë e raportit tonë që do të prezantohet të hënën. Ne nuk mund të krahasojmë zgjedhjet, është diçka më vete, është unike. Të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme, na tregojnë se çfarë votuesit duan, të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme. Ne nuk krahasojmë kurrë zgjedhjet sepse çdo zgjedhje është unike, për shembull zgjedhjet e fundit lokale ishin të njëanshme. Ne duhet të presim si do të shkojë kjo në praktikë. Po shohim procesin për pajisjet identifikuese dhe më pas do të shkojmë të ndjekim votimin elektronik për të parë se çfarë do të ndodhë.

Ora 11:18 – Voton Roland Bejko në Tiranë: Sot është ditë e madhe për demokracinë vendore

Kandidati i Partisë Demokratike në Tiranë Roland Bejko ka votuar dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime dhe të lënë pas të shkuarën.

“Sot është një ditë ku ata duhet të shprehen për Tiranën, për kryebashkiakun që duan të zgjedhin. Sot është një ditë e shumë e madhe për demokracinë vendore dhe një vend ka aq demokraci sa ç’ka demokraci vendore.

Është rasti që nëse qytetarët janë të mërzitur nga klasa e vjetër politike, që Tirana ka rënë në duar të një pakice oligarkësh, kjo është dita që qytetarët e Tiranës të shprehen kundër tyre.

E ardhmja ime politike nuk varet nga këto zgjedhje, unë jam misionar në politikë”, tha Roland Bejko.

Ora 11:12 – Voton kandidati PS në Gjirokastër Flamur Golemi: Sot do të ecim përpara

Ora 11:05 – Ambasadorja e BE: Sa më shumë zgjedhës të dalin të votojnë

Ambasadorja e BE në vendin tonë u ka bërë thirrje qytetarëve që të shkojnë për të votuar dhe të zgjedhin kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë.

“Dëshira dhe urimi im për ditën e sotme është që sa më shumë zgjedhës të dalin të shkojnë në qendrat e votimit dhe që dita të vijojë kështu pa probleme në mënyrë të paqeshme.

Ajo që do vendosin qytetarët në të gjithë Shqipërinë është se kush do jenë përfaqësuesit e tyre në këshilla bashkiakë dhe ata që do ju përfaqësojnë në 4 vitet e ardhshme prandaj shfrytëzojeni të drejtën demokratike për të zgjedhur. Synimi duhet të jetë që të zgjidhet politika më e mirë që ju mendoni”.

Ora 10:57 – Voton Kryeministri: Uroj që situata e krijuar nga KQZ të mos dekurajojë qytetarët

Sot më 14 Maj, ka hedhur votën e tij Kryeministri i vendit Edi Rama në shkollën “Ymer Lala” të Surrelit në Tiranë.

Në qendrën e votimit ai është shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama. Kreu i qeverisë uroi që situata e krijuar nga KQZ me pajisjet e identifikimit biometrik të mos dekurajojë qytetarët të votojnë.

“Besoj janë thënë të gjitha ato që duheshin thënë, tani është momenti i gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Uroj shumë që situata e krijuar nga KQZ të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë që në fillim në ato zona ku nuk punuan aparaturat. Shpresoj që të kthehen për të votuar në mënyrë që vullneti të shprehet i plotë në gjithë Shqipërinë.”

Ora 10:54 – Votojnë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta së bashku me bashkëshorten dhe njëherësh deputeten e PL-së, Monika Kryemadhin kanë votuar ditën e sotme rreth orës 11:00.

Meta dhe Kryemadhi kanë qenë të shoqëruar nga fëmijët e tyre, të cilët gjithashtu kanë votuar.

KQZ: Deri në orën 10:00 pjesëmarrja në votime ka qenë 8.08%

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve raporton se deri në orën 10:00 pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 8.08% ose kanë votuar 158 mijë qytetarë.

Ora 10:44 – Voton Benet Beci: Sot do të flasin qytetarët, ditë e rëndësishme për Shkodrën

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci ka votuar paraditen e sotme në qytetin e Shkodrës.

Pas votimit, Beci ka dhënë dhe një pronocim për mediat, ku nuk ka preferuar të flasë gjatë sepse ka thënë që ditën e sotme do të flasin qytetarët dhe ka shtuar se është një ditë e rëndësishme për Shkodrën.

Benet Beci: Kemi folur shumë gjatë kësaj fushate. Sot do të flasin qytetarët. Do ta doja të vazhdojmë bukurinë e fushatës dhe sot dhe sa më shumë të shkojnë drejt kutisë së votimit. Është një ditë e rëndësishme për Shkodrën. Dua të falenderoj dhe gazetarët që kanë përcjellë fushatën në një mënyrë shumë profesionale, suksese të gjithëve.

Ora 10:42 – Elja Zotka: Në qendrën e votimit në Surrel procesi filloi në orën 09:00

Gazetarja Elja Zotka raporton se në qendrën e votimit numër 16/26 në zonën e Surrelit në Tiranë, aty ku voton dhe Kryeministri Edi Rama, procesi i votimit ka nisur në orën 09:00.

Kjo për shkak të problemeve teknike me pajisjen e identifikimit biometrik.

Ora 10:38 – Incidenti në Kolonjë, flet Erion Isaj: E turpshme! Shpresoj t’u dalë pija, unë pres rezultatin

Kryetari i bashkisë së Kolonjës dhe njëherësh kandidati i mazhorancës për këto zgjedhje, Erion Isaj ka sqaruar me detaje ngjarjen e ndodhur mbrëmë në aksin rrugor Korçë-Ersekë.

Isaj u shpreh se disa makina i bllokuan rrugën, duke e cilësuar një ngjarje të turpshme që tregon se sa e nervozuar dhe e dëshpëruar është pala kundërshtare politike.

Personi që e ka grushtuar në fytyrë, theksoi ai është anëtar i KZAZ-së së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” në Kolonjë. Isaj tha se është i qetë në pritje të rezultatit dhe u bëri thirrje kolonjarëve të shprehin bindjen e tyre me votë masivisht.

Zoti Isai çfarë ka ndodhur një natë përpaa?

Erion Isai: Shumë faleminderit për këtë vëmendjen, dhe së pari ftoj të gjithë qytetarët e Kolonjës të dalin masivisht në votime, të votojnë për kë të duan dhe si të duan. Është një ditë e bukur që ka të bëjë me ndryshimin e qytetit dhe i ftoj të ushtrojnë të drejtën e tyre. Më vjen turp në fakt që kjo vëmendje nuk vjen për shkak të ditës së zgjedhjeve si normalitet, por për një ngjarje që i ka ikur edhe koha dhe stili e moda dhe mbrëmë më është dukur sikur po xhirohej filmi i Kanan Tafilit me historira bllokime rrugësh, absurditete, banalitete që nuk i kanë hije të gjithë Shqipërisë.

E jo më Kolonjës që e ka treguar se dhunën e dënon me forcë të madhe, Kolonja për këtë rast ka një shprehje shumë të bukur “gjarprit kur i vjen ngordhja, del në rrugë” edhe më vjen keq për të gjithë incidentin e ndodhur. Gjëja që më vjen keq është që kur të kërkohet në Google Kolonjë do dalë dhe kjo ngjarja e shëmtuar, përveç figurave dhe historive të bukura që Kolonja shfaq. Nuk dua të bëhem as i viktimizuar apo i dhunuar, por ngjarja ka qenë e turpshme për sa kohë gara ka qenë qytetare, ne kemi bërë një garë shumë të bukur si PS dhe rezultati do ta tregojë. Nervoziteti tregon panik, kështuqë kush ka treguar panik edhe në intervistën e pak minutave më parë, një histori banale. Shpresoj t’ju dalë rakia shpejt dhe të tregojnë se sa të mjerë janë.

-Nga sa persona jeni dhunuar zoti Isaj?

Erion Isaj: Ishte një ngjarje që ndodhi në mes të rrugës nacionale, e bllokuar fizikisht me makina. Personi që arrita të identifikoj dhe ushtroi goditjen është anëtar i KZAZ-së së BF-së në Kolonjë.

-Ju a keni pasur kontakt dje me banorët e fshatit Qafëzezë?

Erion Isaj: Kam pasur kontakt me zonjën e lokalit që më ftoi të pinim një kafe, ku qëndruam shumë pak minuta dhe takuam shumë njerëz atje. Unë kam të drejtë të konsumoj kafe, kohë me të gjithë njerëzit që unë e mendoj të arsyeshme. Kam qenë me mikun tim aktor dje në makinë dhe me miqtë e mi patjetër, stafi im tregoi qytetari të jashtëzakonshme duke mos bërë asnjë veprim. Kandidatin e koalicionit nuk e kisha njohur, e pashë dje të shpërfytyruar, o do ketë qenë i dehur ose i dëshpëruar. Uroj t’i dalë pija shpejt, ngushëllime për të…Realisht më vjen turp, sinqerisht më vjen turp, janë forma që u ka ikur koha, është e turpshme. Jemi familjarë, jemi njerëz të kulturuar, kemi një profesion. Është doktor dhe për këtë më vjen keq që ka qenë në krye të çetës së Kanan Tafilit.

-Ju e keni bërë denoncimin, cili është apeli juaj?

Erion Isai: Nuk kam asnjë apel, drejtësia është e reformuar kështuqë s’kam asnjë merak. Nuk ndihem as i dhunuar as i barbarizuar në këtë rast, ndihem i qetë. Ftoj të gjithë qytetarët ta shprehin bindjen dhe vullnetin e tyre, unë jam i qetë të pres rezultatin.

Ora 10:34 – Ambasadorja Kim thirrje autoriteteve: Zbatoni ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim shpreson që të gjithë qytetarët shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike përmes votës.

Përmes një postimi në Instagram, ku ka shpërndarë foton e “bexhit” të saj si vëzhguese në zgjedhjet e 14 Majit në vend, thotë se është thelbësore të respektohen ligjet për zgjedhjet, ku përfshihet edhe shit-blerja e votës.

Ambasadorja Kim iu ka bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë rregullat dhe ligjet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Yuri Kim: Shpresojmë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet për zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin.

Ora 10:23 – Voton Jozefina Topalli: 3 arsyet kryesore pse votoj bashkë me familjen time

Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka votuar në Shkodër së bashku me familjen e saj.

Pas votimit, Topalli është shprehur se ka shumë arsye pse ajo voton sot, teksa ka theksuar 3, që sipas saj janë më të rëndësishmet për të sjellë ndryshime në vend.

Jozefina Topalli: Arsyet pse votoj bashkë me familjen këtu janë shumë, por 3 janë kryesore. E para, është se është votë për pluralizimin sepse në 10 vitet e fundit ka pasur deformacione. E dyta është sepse kjo është një votë kundër cinizimit të pushtetit qëndror që ka sjellë zero investime në qytetin e Shkodrës, e pafalshme. E treta, është një votë për të ndryshuar të tërën në mënyrë që t’i themi “Stop” boshatisjes së vendit tonë. Këto janë detyra të mëdha që me një votë mund të sjellin ndryshime të rëndësishme për vendin tonë.

Ora 10:13 – Sali Berisha hedh votën: Kjo është Pranvera e ndryshimit, nesër arkivohet monizmi

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka votuar në orën 10:13 në shkollën “Kosova” në kryeqytet.

Sali Berisha: Një thirrje nga zemra për të gjithë qytetatët shqiptarë, të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore. Të gjithë ata të cilët u ftuan nga armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve që të rrinë në shtëpi, të mos harrojnë se ky është një nxitje një apel i madh që ata të marrin sot pjesë në votime. Ai që ka frikë votën ai ka frikë lirinë dhe është armik i saj.

Ftoj të gjithë zgjedhësit të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim e bën gabimin edhe më të madh ndaj dhe le t’u prijë mençuria e tyre në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes së tyre, vendit të tyre. Ndryshim, kjo është Pranvera e ndryshimit. Nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar në Shqipëri dhe kjo është një ditë fitoreje për demokracinë shqiptare.

Ka disa problematika që duhet të shqyrtohen. Pajisjet kanë patur në një përqindje jo të vogël mosfunksionimi. Do dëgjoni në darkë që do thonë se na ndërhynë hakerat iranianë, por janë hakerat qeveritarë që ndërhyjnë. Ka disa qendra, rrethe si për shembull në Durrës, famozi Ron Shqopa dhe disa drejtorë përgjegjësa të njësive administrative kanë preferuar ose kanë dashur të bëjnë xhandarin në qendrën e votimit por janë përzënë siç meriton. Në qoftë se i bini numrit të policisië nuk përgjigjet më, ka marrë pushim sot policia.

Ora 10:11 – Pajisjet elektronike të identifikimit të zgjedhësve/ Celibashi: Nuk kemi informacion për 532 qendra votimi

Në një deklaratë për mediat, kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi shprehet se janë evidentuar probleme të shumta me pajisjen Pay të identifikimit biometrik të votuesve.

Teksa flet me numra, Celibashi thekson se në 4 464 qendra votimi, procesi vijon normalisht me pajisjen Pay, në 205 qendra pajisja është e konfiguruar, por nuk mund të marrë informacion në kohë reale prej tyre. Celibashi shton se për 532 qendra votimi nuk kanë informacion nëse po punojnë përmes pajisjes së identifikimit.

Ilirjan Celibashi: Meritoni të informoheni mbi problematikat e shumta lidhur me pajisjet elektronike të identifikimit të zgjedhësve. Janë 4 464 qendra votimi që funksionojnë normalisht në kuptimin e pajisjes elektronike, po bëhet përmes pajisjes Pay.

Janë 205 qendra votimi, të cilat sipas informacionit në kohë reale që marrim, na tregojnë këto të dhëna që këto 205 qendra votimi, pajisja është e konfiguruar, por nuk mund të marrë në kohe reale informacion prej tyre. 532 qendra votimi për të cilat ne nuk kemi informacion, ose të gjitha këto qendra Pay nuk funksionon, funksionon pjesërisht, por ne këtë të dhënë nuk e kemi përmes sistemit. Jemi duke komunikuar me këto qendra votimi me operatorët për të ditur nëse aty procesi është duke u zhvilluar nëpërmjet Payt apo manualisht. Janë 532 qendra votimi për të cilat presupozohet në rastin më të keq, që identifikimi aty nuk po bëhet përmes pajisjes së identifikimit. Kjo është sistuata, jemi përpjekur që të korrigjojmë për aq sa objektivisht ka qenë e mundur me resurset që kemi pasur për të ndryshuar situatën.

Duke vlerësuar për situatën, kemi vlerësuar që për të mos penguar procesin e votimit, urdhëruam që procesi i identifikimit të votuesve të bëhet me mënyrën tradicionale pasi në aspektin teknik nuk kishim asnjë mundësi më shumë.

Ora 09:58 – Voton Alibeaj: Sot është dita e ndarjes së madhe me të shkuarën

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka votuar mëngjesin e kësaj të Diele në kryeqytet.

Në një prononcim për media, Alibeaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim politik që të dalin e të shprehin vullnetin e tyre me votë, pasi sipas tij 14 Maji shënon ndarjen e madhe me të shkuarën.

“Votova për pak minuta sepse besoj që zgjedhja është e lehtë për këdo sot. Po e kam një mesazh për të gjithë demokratët, shqiptarët e ndershëm e të lirë. Sot duhet të ushtrojnë votën në mënyrë të qetë e të matur për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën.

Sot është dita, do të duhet të vijnë dhe kjo është në dorë të shqiptarëve. Ndarjet e mëdha me të shkuarën bëhen vetëm me pjesëmarrje masive ndaj dhe ftoj këdo, çdo shqiptar të ndershëm, të lirë, që është jashtë shantazhit të dalin e të votojnë siç zemra dhe mendja jua do.”

Alibeaj theksoi se ka pasur një aleancë të përgjithshme të forcave të tjera politike për të sulmuar kandidatët e Partisë Demokratike zyrtare.

“Besoj që i kam bërë me dije të gjitha parregullsitë të cilat janë konkretizuar, i kemi demonstruar gjatë gjithë fushatës, ndaj kandidatëve tanë mesa duket ka një aleancë të gjithanshme për ta denigruar Partinë Demokratike. Një gjë është e sigurt, do të ketë sukses për demokratët dhe PD.

Aleancë, gjithë pjesa e vjetër 33-vjeçare që e ka marrë zvarrë këtë vend që ka krijuar dhe një lloj neverie ndaj politikës, sot askush nuk mund të rrijë e të sodisë, i ka një mijë e një votimë për të dalë, për të ndryshuar realisht atë çfarë Shqipëria duuhet të jetë nesër.”

Ora 09:55 – Voton Dorjan Lani, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Gjirokastër: Votoni të vendosim të ardhmen

Ora 09:52 – Problemet me identifikimin biometrik, KQZ urdhër: Vijoni procesin me listën e printuar

Pas problemeve teknike në disa qendra votimi me identifikimin biometrik, KQZ ka nxjerrë urdhër duke u kërkuar qendrave të votimit që të mos ndalojnë procesin dhe të vazhdojnë manualisht me listat e printuara të zgjedhësve.

Ora 09:48 – Bylykbashi: Personat e sistemit të patronazhimit të largohen menjëherë nga qendrat e votimit

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në një deklaratë për mediat ka bërë thirrje që të largohen menjëherë nga qendrat e votimit personat që janë të paautorizuar për të qenë pjesë e procesit zgjedhor.

Teksa foli me emra, Bylykbashi tha se janë njerëz të njohur për skemën e patronazhimit, të cilët sipas tij, po intimidojnë qytetarët.

Oerd Bylykbashi: Ka një urdhër të KQZ-së, i cili ndalon prezencën e çdo personi të paautorizuar në oborrin apo ambiente të tjera të qendrave të votimit. Në rast se nuk zbatohet kjo, KQZ ka detyrimin për të bllokuar votimin, të thërrasë policinë dhe të sjellë në parametrat e duhur votimin. Nëse mazhoranca socialiste nuk merr këtë lloj vendimi, do të njoftohet policia dhe situata do të vendoset.

Pyetje: Kush janë këto persona?

Oerd Bylykbashi: Kam raportim për Flamur Gjuzin, Roni Shqopën, kam raportim për drejtues të njësive administrative, të cilët janë brenda qendrave të votimit dhe marrin pjesë në proces duke ndikuar mbi zgjedhësit. E drejta e subjekteve zgjedhore është të kenë vëzhgues, por jo të kenë njerëz që intimidojnë, pjesë e sistemit të patronazhimit, me qëllim që të garantojnë që presioni i bërë në vendin e punës të transmetohet deri në momentin e fundit. Këta persona duhet të largohen menjëherë nga qendrat e votimit. Këta emra janë të njohur përsa i takon kësaj skeme. Presim që situata të rivendoset me shpejtësi. Vëzhguesit të vëzhgojnë, por jo të ushtrojnë presion mbi zgjedhësit. Këta persona nëse do të vazhdojnë, sipas ligjit, do të ndalohet procesi i votimit.

Ora 09:46 – Voton kandidati i PS në Elbasan: Të kemi votim masiv, uroj të jetë ditë e mirë

KQZ: 73947 qytetarë kanë votuar deri në orën 09:00

Deri në orën 09:00 në 2753 qendra votimi në rang vendi kanë votuar 73 mijë e 947 qytetarë.

Në 61 bashki të vendit janë të hapura 5 213 qendra votimi nga ora 07:00-19:00. Për herë të parë në Kamëz, Vore dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik. Rezultati pritet të dalë pak minuta pas orës 19:00 për të mësuar drejtuesit e rinj të bashkive.

Në të gjithë vendin ka patur disa probleme teknike në disa qendra votimi.

Ora 09:31 – Gazetarja: Në Sarandë, Finiq, Delvinë dhe Selenicë nuk ka nisur procesi i votimit që prej orës 07:00

Gazetarja Anisa Krraba e cili po ndjek procesin e votimit për Qarkun e Vlorës, raporton se në disa bashki nuk ka nisur procesi i votimit që prej orës 07:00.

Sipas saj, bëhet fjalë për Bashkitë e Sarandës, Finiqit, Delvinës dhe Selenicës.

Gazetarja Krraba bëri të ditur se kjo ka ndodhur për shkak të problemeve me komisionerët pasi nuk janë paraqitur.

Ora 09:22 – Probleme me pajisjet e leximit elektronik të kartave në Dibër

Në Dibër janë hasur problematika me pajisjet e leximit elektronik të kartave. Kryetari i KZAZ, Nr. 19 Dibër, Mirjan Kaloshi pohon se mbi 60 % e pajisjeve në 99 qendra votimi nuk punojnë. Pritet vendimi nga KQZ për të filluar manualisht.

Mirjan Kaloshi: Nga ana e komisionerëve janë paraqitur ata që janë emëruar nga KZAZ, por problemi në të gjitha qendrat e votimit ka rezultuar në pajisjet Pay sepse në shumicën e pajisjeve Pay nuk pasqyrohen të dhënat e listës së zgjedhësve. Sipas ligjit, janë të detyruar 3 orë të presin. Ka radhë të qytetarëve që presin, ky është problem i KQZ-së, nuk varet nga ne. Shumë nga operatorët ose komisionerët raportojnë për problematikën, por nuk iu përgjigjen operatorët e KQZ-së për problematikën. Mbi 60 për qind e tyre nuk punojnë, kjo varet nga KQZ. Duhet të presin 3 orë, pastaj të votohet manualisht.

Ora 09:21 – Kanosi kryetarin e njësisë administrative Fratar për qëllime elektorale, procedohet penalisht 54-vjeçari

Një 54-vjeçar është proceduar penalisht pasi ka kanosur me fjalë kryetarin e njësisë administrative Fratar në Fier. Policia bën me dije se kanosja dyshohet të jetë për qëllime elektorale.

“Mbrëmjen e datës 13.05.2023, pas njoftimit të marrë nga shtetasi Sh. K., 56 vjeç, me detyrë kryetar i njësisë administrative Fratar, se në fshatin Fratar, e kishte kanosur shtetasi Sh. K., 54 vjeç, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë shoqëruar të dyja palët e përfshira në konflikt. Në lidhje me konfliktin është njoftuar menjëherë edhe prokurori i gatshëm.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër, referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. K., 54 vjeç, pasi dyshohet se për qëllime elektorale, në favor të një kandidati për kryetar bashkie, ka kanosur me fjalë, shtetasin Sh. K., 56 vjeç, kryetar i njësisë administrative Fratar.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprën penale “Kanosja”“, thotë policia përmes njoftimit zyrtar.

Ora 09:15 – Voton kandidati i PS në Vlorë: Qytetarët të votojnë për të ardhmen e tyre

Kandidati i PS në Bashkinë e Vlorës Ermal Dredha ka votuar rreth orës 09:15. Pas daljes nga qendra e votimit, ai ka folur shkurtimisht për gazetarët dhe ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’u bërë thirrje qytetarëve që të votojnë.

“Vota është ushtrimi më i mirë i demokracisë. Vota është misioni më i shenjtë që çdo qytetar duhet ta ketë. Unë i bëj thirrje gjithë qytetarëve të Vlorës të votojnë, të votojnë për të ardhmen e tyre”, tha kandidati socialist Ermal Dredha.

Ora 09:12 – Probleme teknike edhe në qarkun e Fierit

Probleme me pajisjen e identifikimit biometrik ka pasur dhe në qarkun e Fierit.

Korrespondentja e Klan News Anila Sefa raporton se pavarësisht kushteve të këqija të motit dhe këtyre problemeve teknike, shumë qytetarë u janë drejtuar qendrave të votimit për të shprehur vullnetin e tyre.

Qarku i Fierit ka plot 587 qendra votimi ku pritet të votojnë mbi 104 mijë qytetarë.

“Ka pasur probleme me pajisjet e identifikimit biometrik, është ndërhyrë pasi kanë votuar qytetarët e parë, por sërish problematikat kanë qenë të shumta. Këto probleme kanë vonuar ecurinë normale të procesit, por kjo nuk i ka penguar qytetarët të votojnë. Janë 6 bashki në total për qarkun e Fierit ku në 3 prej tyre ka një garë të fortë elektorale.”

Në këtë qark, janë rritur listat e votuesve që marrin pjesë për herë të parë në këto zgjedhje lokale.

Ora 09:03 – Voton Presidenti Begaj: Ushtrova detyrën time si qytetar, sot ditë e rëndësishme për demokracinë

Presidenti Bajram Begaj i shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj kanë votuar rreth orës 09:00 të mëngjesit e sotëm për të vendosur drejtuesin vendor për 4 vitet e ardhshme.

Pas votimit, Presidenti Begaj ka dhënë një prononcim për mediat ku ka thënë se sot është dita më e rëndësishme, ku edhe ai ka dhënë detyrën e tij si qytetar.

Bajram Begaj: Sot është një ditë e rëndësishme në demokraci, dita e zgjedhjeve. Ushtrova detyrën time si qytetar. Çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë sot ka ditën që mund të dëgjohet që vota e tij të lexohet, fuqia dhe pushteti i votës së tij të bëjë ndryshimin. Unë e kam thënë që këto votime nuk janë të partive politike, por janë të qtyetarëve dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve.

Ora 08:47 – Në qarkun e Kukësit, pjesëmarrje e ulët në 139 qendra votimi

Në qarkun e Kukësit, situata deri më tani paraqitet e qetë sa i takon procesit zgjedhor, përveç problemeve me pajisjen e identifikimit biometrik për shkak të ndërprerjeve të shkurtra të energjisë elektrike.

Gazetari i Klan News Merin Maçi raportoi nga Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës, duke thënë se ka pasur një prezencë të ulët të qytetarëve që i janë drejtuar kutive të votimit.

Janë 139 qendra votimi për të gjithë qarkun, Has, Kukës dhe Tropojë. Ditën e shtunë, edhe pse heshtje zgjedhore në këtë qytet ka pasur lëvizje të simpatizantëve të forcave politike.

Megjithatë, Maçi bën me dije se ka pasur mobilizim të forcave policore dhe nuk është shënuar asnjë problem. Pritet që kandidatët për bashkinë e Kukësit të votojnë në vijim.

Maçi evidenton një problematikë me pajisjet e identifikimit biometrik për shkak të shkëputjes së energjisë elektrike për disa minuta, por që është zgjidhur dhe tanimë procesi i votimit vijon normalisht.

KQZ: 1.29% pjesëmarrja në votime deri në orën 08:00

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka raportuar se deri në orën 08:00, pjesëmarrja në votime në të gjithë vendin ka qenë 1.29% ose kanë votuar 23,047 persona.

Nga 5211 QV gjithsej, për pjesëmarrjen kanë raportuar 2468 qendra votimi.

Në të gjithë vendin ka patur disa probleme teknike në disa qendra votimi.

Ora 08:30 – Voton Belind Këlliçi: Sot është dita e madhe, qytetarët të dalin të votojnë

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka votuar në shkollën “Dora d’Istria” në orën 08:30.

Pas votimit, ai u bëri thirrje qytetarëve, e sidomos të rinjve, që të dalin në votime dhe të bëjnë ndryshimin.

Belind Këlliçi: “Sapo kreva detyrën time si qytetar. Ftoj të gjithë qytetar e Tiranës që të shkojnë sot në qendrat e tyre të votimit. Ftoj të gjithë të rinjtë, ata mijëra qytetarë që në këto 5 muaj kam takuar. Sot është dita e madhe, sot është 14 Maji, është dita kur kemi në dorë fatet e këtij qyteti.

Kam një apel për rininë, për gjithë vajzat, djemtë, gjithë të rinjtë që kanë një moment që mendojnë se duhet të ikin nga ky qytet. I them jo, hajdeni votoni,hajdeni bashkë të ndryshojmë të ardhmen e qytetit tonë. Për të gjitha ato punë të pabëra, për gjithë shpresat që janë shuyar, dilni dhe votoni. Askush nuk ju kontrollon dot votën. As Belind Këlliçi, as Erion Veliaj. Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë me ndërgjegjie të pastër, të votojnë për 4 vitet e ardhshme. Unë e kreva detyrën time.

Deri tani përpos disa gjërave të vogla teknike, procesi është duke shkuar normalisht. Sot është një ditë feste. Sot është dita e dita e ndryshimit, dilni dhe votoni”.

Ora 08:30 – Situatë e qetë në qarkun e Lezhës, pjesëmarrje e ulët votuesish në Mirditë

Në bashkinë e Mirditës nuk është shënuar asnjë problematikë me procesin e votimit deri në këtë orë.
Megjithatë, gazetari Maksi Rama raporton se ka pasur një pjesëmarrje të ulët të qytetarëve të cilët i janë drejtuar kutive të votimit.

“Ka pasur një pjesëmarrje relativisht të ulët, ndërkohë që vetëm në Rrëshen janë 9 qendra votimi. Janë 48 qendra votimi në terësi, kjo pjesëmarrje e ulët ndoshta vjen dhe për shkak të kushteve të këqija atmosferike.”

Ndërkohë në Lezhë ka pasur probleme me pajisjen e identifikimit biometrik, vetëm në 3 qendra votimi. Gazetarja Vera Deda bën me dije se situata e përgjithshme është e qetë.

Ora 08:24 – 80 qendra votimi në Bashkinë Shkodër probleme me sistemin

Në qytetin e Shkodrës ka probleme me sistemin në 80 qendra votimi dhe akoma nuk ka nisur procesi zgjedhor. Gazetarja e Klan News, Emi Kalaja raporton nga Shkodra se përveç këtyre qendrave, në qendrat e tjera të votimit, procesi zgjedhor ka nisur normalisht dhe janë shfaqur votuesit e parë.

Emi Kalaja nga Shkodra: Procesi i votimi në Shkodër në 80 qendra nga 247 qendra në total që ka Bashkia Shkodër ka probleme me sistemin. Në 80 qendra akoma nuk ka nisur procesi i votimit, ashtu siç parashikohej që në 07:00. Në 80 qendra ka probleme me sistemin dhe akoma nuk ka nisur procesi i votimit. Në qendrat e tjera ka nisur normalisht, janë shfaqur votuesit e parë. Ka nisur në shumicën e qendrave të votimit procesi.

Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli nga Vau i Dejës raporton se në shumicën e qendrave të votimit ka nisur procesi zgjedhor, ndërkohë që problem mbetet vetëm në një qendër për shkak të një problemi të pajisjes së identifikimit të votuesve.

Enkel Xhangoli nga Vau i Dejës: Në shumicën e qendrave të votimit ka nisur procesi i votimit. Në qendrën e votimit ku unë ndodhem nuk ka nisur akoma procesi, për shkak të një problemi të pajisjes së identifikimit të votuesve. Në Vaun e Dejës ka nisur sipas rregullave në shumicën e qendrave të votimit. Nuk janë shënuar incidente dhe as raste denoncuese nga ana e qytetarëve. Gjithçka vijon normalisht, përveç një prej qendrave. Votojnë 40 mijë qytetarë. Ky proces po vijon normalisht.

Ora 08:21 – Policia e Shtetit: Asnjë problem me qendrat e votimit dhe materialet zgjedhore

Policia e Shtetit raporton se asnjë problem nuk është konstatuar gjatë ruajtjes së objekteve dhe materialeve zgjedhore, si dhe gjatë procesit të dorëzimit të qendrave të votimit te komisionerët e QV-ve, mëngjesin e sotëm.

Punonjësit e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, të planëzuar me shërbim për ruajtjen e objekteve dhe materialeve zgjedhore, nisën prej orës 06:00 të mëngjesit të datës 14 maj 2023, dorëzimin e qendrave të votimit sipas të gjitha kërkesave ligjore, me proces-verbalet përkatëse të komisionit të votimit.

Shërbimet e policisë, gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e qendrave të votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem.

Punonjësit e policisë që kanë dorëzuar qendrat e votimit janë përqendruar në stacionet e përkohshme policore, të miratuara nga KQZ-ja, siç e përcakton ligji.

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurtë, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor.

Ora 08:12 – Gazetarja raporton nga Himara: Ka pasur dyndje qytetarësh në 36 qendrat e votimit

E vetmja problematikë e shënuar deri më tani në 36 votimi të bashkisë së Himarës, ka të bëjë me pajisjen e identifikimit biometrik.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci ka raportuar se atje situata paraqitet e qetë, duke theksuar se që në orët e para të mëngjesit ka pasur një dyndje të qytetarëve për të votuar.

“Në 36 qendra votimi të bashkisë së Himarës ka nisur procesi i votimit, në 3 prej tyre ka ende problematika, sepse nuk kanë ditur të ndezin pajisjen dhe ka pasur mungesë të operatorëve teknikë. 7 qendra votimi nuk janë hapur që në orën 07:00 të mëngjesit, por më vonë për shkak të mungesës së komisionerëve. Në 4 qendra votimi të bashkisë së Himarës që në orët e para të mëngjesit ka pasur një dyndje qytetarësh të cilët kanë shkuar për të votuar.”

Daci thekson se rreth 5 autobusë të mbushur me emigrantë kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme në Himarë, për t’ju bashkuar procesit të votimit.

“Situata duket e qetë ndërkohë që deri në orët e vona të ditës së djeshme kanë mbërritur 5 autobusë me emigrantë për të hedhur votën e tyre në kutitë e votimit.”

Ora 08:11 – Nis me probleme teknike votimi elektronik në një qendër në Elbasan

Në qendër votimi në Elbasan ka nisur me probleme teknike ky proces.

Korrenspondenti Fatos Salliu raporton se bëhet fjalë për qendrën e votimit 23/69, ku pajisja e identifikimit nuk rakodon me pajisjen që do të kryhet votimi elektronik, pasi i përket një qendre tjetër votimit.

Për këtë problem teknik është njoftuar KQZ dhe po pritet që të zgjidhet kjo problematikë.

Ndërkohë në qendrat e tjera të votimit nuk raportohet për probleme dhe situata është e qetë.

Në Elbasan votojnë 171,250 qyterarë dhe për herë të parë në këtë qytet aplikohet votimi dhe numërimi elektronik.

Ora 08:06 – Votimi elektronik në Vorë nis me vonesë në disa qendra, problemi teknik krijon radhë qytetarësh

Vora, Elbasani dhe Kamza votojnë sot elektronikisht. Nga Vora, gazetarja e Klan News Dorentina Halili shprehet se ka pasur disa vonesa në disa qendra votimi dhe për pasojë janë krijuar radhë qytetarësh në disa qendra për të votuar.

Dorina Halili nga Vorë: Jo në të gjitha qendrat e votimi ka nisur procesi që në orën 07:00. Ka pasur disa vonesa në disa qendra votimi. Ka pasur problematika me pajisjet elektronike. Procesi ka nisur 30-40 minuta me vonesë. Tashmë ky proces ka nisur në të gjitha qendrat e votimit të Vorës. Kemi qytetarë në radhë që kanë ardhur për të votuar. Janë krijuar radhë pasi ka pasur vonesa. Nuk ka pasur problematika të tjera. Ka pasur problematika dhe me kamera që jo të gjitha kanë funksionuar, por është dashur ndërhyrja e teknikëve. Në minutat e para të nisjes së këtij procesi, nuk ka pasur shumë qytetarë, por pastaj qytetarët janë grumbulluar dhe aty ku ka pasur problematika ka pasur radhë.

Gazetarja e Klan News, Halili ka marrë në pyetje një nga komisoneret në qendrën e votimit në Vorë, e cila është shprehur se problemi ka qenë tek pajisjet dhe për pasojë ka pasur një vonesë prej 20 minutash.

“Rreth 20 minuta, ka qenë një problem i vogël teknik tek pajisjet. Nuk ka pasur më problematika. Familjarët janë që i ndihmojnë për të votuar elektonikisht. Vetëm ata lejohen.”

Edhe Kamza voton sot në mënyrë elektronike. Gazetarja e Klan News, Erikleda Dorezi raporton nga Kamza se nuk ka pasur asnjë problematikë në këtë bashki lidhur me procesin elektonik të votimeve.

Erikleda Dorezi nga Kamza: Në Kamëz, votimi dhe identifikimi është elektronikisht. Procesi ka nisur në mënyrë të rregullt, nuk ka pasur asnjë problematikë. Kemi në total 109 mijë zgjedhës, 56 mijë meshkuj dhe 53 mijë janë femra. Nuk ka pasur problematikë. Në krah të votuesve, procedohet dhe me ndihmën e një operatorit teknik që ju ofron ndihmë, por gjithmonë duke ruajtur fshehtësinë e votës.

Ora 08:00 – Nis me problematika votimi në disa qendra në Qarkun e Dibrës

Ka nisur me problematika procesi i votimit në disa qendra votimit në Qarkun e Dibrës.

Në qendrën e votimit 1101 në Maqellarë mungon proces-verbali i hapjes së kësaj qendre votimit.

Në Kastriot, në një qendër votimit nuk ka energjie elektrike.

Në Klos nuk ka nisur ende votimi në 10 qendra votimi nga 27 gjithsej, për shkak se nuk punon lexuesi elektronik. Pritet një përgjigje nga KQZ për të filluar manualisht.

Ora 07:51 – “Në 100 qendra votimi në vend nuk ka operatorë teknikë”

Në 100 qendra votimi në vend nuk ka operatorë teknikë. Informacionin e ka bërë të ditur gazetarja e Klan News Klesiana Omeri.

“Një tjetër problematikë është dhe për numrin e operatorëve teknikë, në rreth 100 qendra e votimi në vend nuk kanë asnjë operator teknik. Rreth 100 prej tyre janë tërhequr nga aplikimi dhe marrëveshja që kanë bërë me KQZ, pritet që në këto qendra votimi të kryhet në mënyrë tradicionale. S’ka informacion nëse janë zëvendësuar komisionierët në qendrat ku ka pasur problematika, sepse thuhet se dhe me 4 komisionerë mund të funksionojë, problematike janë 17 qendra me 3 anëtarë.”

Po ashtu, gazetarja bën me dije se këtë mëngjes ka pasur probleme dhe me pajisjen e identifikimit biometrik në disa qendra në kryeqytet.

“Në shumicën e qendrave të votimit ka nisur dhe procesi i votimit për qytetarët, ndërkohë KQZ ende nuk ka një njoftim zyrtar se në sa qendra ka problematika me sistemin e pajisjes, në një prej tyre ku ka shkuar të votojë dhe Ilirjan Celibashi dhe është hasur me problematika me pajisjen e identifikimit biometrik”, deklaroi gazetarja.

Lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të dalë me një njoftim zyrtar. Mbi 3.6 milionë qytetarë me të drejtë vote ftohen këtë të Dielë të votojnë për të zgjedhur 61 drejtuesit e rinj të bashkive të vendit mes 144 kandidatëve.

Ora 07:42 – Gjiknuri mesazh për qytetarët: Dilni masivisht në votime, vendosni për fatin e bashkive tuaja

Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri iu është drejtuar me një mesazh të gjithë qytetarëve që të dalin masivisht në votime dhe të vendosin për fatin e bashkive të tyre.

Në mesazhin e tij, Gjiknuri ka bërë thirrje që të gjithë strukturat zgjedhore të zbatojnë ligjin për të përmbyllur fushatën zgjedhore.

Damian Gjiknuri: Sot është 14 Maji, një ditë që është kushtrimi i votës tuaj. Dua të ju bëj thirrje të dilni masivisht në votime dhe të merrni pjesë për të vendosur për fatin e bashkive tuaja. Gjatë kësaj fushate që ka qenë një fushatë shumë e qetë dhe shumë qytetare, ajo që fitoi në këtë fushatë ka qenë qetësia, maturia dhe qytetaria, shpresojmë që kjo gjë të shkojë deri në fund dhe të gjitha strukturat zgjedhore të zbatojnë ligjin për të përmbyllur një fushatë të mrekulleshme që i ka pasur hije këtij qarku. Më e rëndësishme është të vendosni për fatin e familjeve tuaja dhe çdo shqiptar do të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur për të ecur përpara.

Ora 07:38 – Incident në Kolonjë, dhunohet kandidati i PS Erion Isai

Kryebashkiaku i Kolonjës dhe kandidati i PS për një tjetër mandat në këtë bashki, Erion Isai është goditur fizikisht në mesnatë.

Siç mëson korrenspondentja e Klan News Danjela Zisi, kryebashkiaku ka qenë në fshatin Qinam duke u kthyer në banesën e vet, kur kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Ethem Lumani së bashku me disa simpatizantë të opozitës kanë bllokuar rrugën dhe e kanë kërcënuar.

Njëri nga simpatizantët e PD, Esmerald Kacolli, që kishte bllokuar rrugën i është afruar Isait duke e goditur me grusht në fytyrë. Pas kësaj ngjarje mësohet se kryetari i Bashkisë Kolonjë ka denoncuar rastin në komisariatin e policisë.

Ndërsa sipas shtabit të kandidatit të opozitësm këta të fundit kishin marrë një informacion që në fshatin Qafëzez, Erion Isai me stafin po kryenin fushatë dhe se po shpërndanin para. Grupi i mbështetësve të opozitës ka shkuar në fshat. Mes palëve ka patur shtyrje. Truprojat e Isait kanë shtyrë kandidatin e koaliconit “Bashkë Fitojmë”, E’them Lumani, po ashtu edhe kryetarin e PS Aldo Xhelili. Në këtë moment ka ndërhyrë një nga simpatizantët e koalicionit opozitar dhe ka goditur kryebashkiakun Erion Isai. Shoqëruesit e këtij të fundit njoftuan policinë për incidentin.

Për ngjarjen është bërë denoncim edhe nga ana e kandidatit Lumani.

Pas veprimeve proceduriale të policisë, Xhemal Kalo është proceduar penalisht në gjendje të lirë për pëngimin e qarkullimit të automjeteve. Ndërsa Esmeraldo Kacolli është arrestuar për akuzën e goditje për shkak të detyrës ndaj kryebashkiakut të Kolonjës Erion Isai.

Ora 07:00 – Nis zyrtarisht procesi i votimit

Janë hapur qendrat e votimit në Shqipëri, sipas orarit zyrtar për të votuar. Qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit nga ky moment e deri në orën 19:00 kur dhe mbyllet ky proces, e më pas nis ai i numërimit të votave.

Në zgjedhjet vendore të 14 Majit votohet për 61 kryetarë bashkie dhe për këshillat bashkiakë. Janë mbi 3.6 milionë qytetarë me të drejtë vote që do të zgjedhin mes 144 kandidatëve për kryebashkiakë.

Në 61 bashki të vendit janë të hapura 5213 qendra votimi. Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik.

Për një vend në këshillat bashkiakë janë regjistruar 23 mijë e 700 kandidatë për 1603 pozicione. 44 parti janë regjistruar në zgjedhje nga të cilat 38 janë jashtë koalicioneve.

REDAKSIA TVKLAN.AL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share