Zgjedhjet presidenciale në RMV/ Voton Bujar Osmani: Zgjedhjet janë vendimtare për të ardhmen e vendit

Kandidati shqiptar për president i koalicionit Fronti Europian, Bujar Osmani ka hedhur votën e tij, teksa këtë të mërkurë në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet presidenciale.

Për Osmani, këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen e vendit, teksa inkurajoi qytetarët të dalin dhe të votojnë.

“Unë pres që të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut të votojnë, për shkak se këto zgjedhje janë vendimtare. Sot do të vendoset për integrimin ose izolimin. Pres zgjedhje të lira, demokratike, qytetarët të dalin sa më shumë. Të votojnë për të ardhmen. Unë besoj në fitore të madhe këtë ditë”, u shpreh Osmani.

“Uroj zgjedhje të lira dhe demokratike. Inkurajoj qytetarët që të dalin në votime. Unë mendoj se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, janë vendimtare për të ardhmen e vendit tonë. Sot shpresoj fillimisht, zgjedhjet do të kalojnë në rang më të mirë”, theksoi ndër të tjera Bujar Osmani.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kanë 1.814.317 votues, të cilët duhet të zgjedhin mes shtatë kandidatëve për president të Maqedonisë së Veriut.

Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë. Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme. Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, merr pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share