Zgjedhjet parlamentare/ Tubimi përmbyllës në Tetovë “mollë sherri” Fronti Evropian – VLEN!

Dy blloqet kundërshtare politike Fronti Evropian dhe VLEN kanë paralajmëruar tubimet përmbyllëse në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë. Që të dy koalicionet kanë paralajmëruar tubimet e tyre në orën 20:00 në sheshin Iliria në Tetovë, në të njëjtë ditë. Në lidhje me këtë palët akuzojnë njëra tjetrën.

Izet Mexhiti nga VLEN tha se, Fronti Evropian vazhdimisht po përpiqet që të krijojë provokime ndaj tyre. Ai tha se, do ta rishqyrtojnë vendimin për tubimin përmbyllës, duke thënë se për to, është e rëndësishme që të ketë proces të qetë zgjedhor.

“Të dielën erdhën për të provokuar para shtabit të VLEN-it në sheshin Skëndërbe, paraprakisht ne e caktuam tubimin në sheshin Skëndërbe, ata në të njëjtën kohë e caktuan në sheshin Maqedonia, ne si opozitë për t’i ikur incidentit e anuluam, shkuam në Gostivar, të nesërmen e bëmë në Shkup, erdhën provokuan para Komunës së Çairit”, tha Izet Mexhiti.

Nga ana tjetër, Naim Bajrami nga Koalicioni Fronti Evropian tha nuk heqin dorë nga tubimi në Tetovë dhe ngelet ai më 6 Maj në sheshin Iliria në të njëjtën orë që ka paralajmëruar tubim edhe koalicioni VLEN.

“Sigurisht që do ta mbajmë, plani është që ta mbajmë.do ta mbajmë. Nëse nuk ndryshon diçka brenda kohës, por për arsye teknike mund të ndryshojë, jo për arsye tjera. Mendoj që plani është që ta mbajmë dhe ato që merren me organizime brenda Frontit Europian janë dakord që të mbahet me 6 maj në Tetovë, në sheshin Iliria”, tha Naim Bajrami.

Nga Fronti Europian dje thanë se, vendimi i opozitës për tubimin përmbyllës ka qenë i papritur dhe sipas tyre, me këtë kanë bërë shkelje të parimeve.

E nga ana tjetër, VLEN përmes një komunikate të dërguar sot, kërkesat për tubimin është bërë shumë kohë më parë në Komunën e Tetovës, e cila më datë 18 prill ka dhënë pëlqimin e saj./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share