Tupançevski dhe Ivanovska të pakënaqur me kriteret e zgjedhjes së kryeprokurorit

PARALAJMËROHEN NDRYSHIME NË PJESËN E KRITEREVE

Edhe përkundër reagimeve të shumta në opinion, autoritet shprehen të rezervuar sa i përket komentimit të zgjedhjes së shefit të ri të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazi, për të cilin kanë qarkulluar në opinion fotografi me anëtarë të BDI-së. Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski i pyetur sot nga gazetarët, tha se për Ministrinë e Drejtësisë është e rëndësishme se si është zgjedhja e njeriut të parë të Prokurorisë për Krim të Organizuar, por është mirë që pushteti ekzekutiv t’i përmbahet kompetencave të saja. Megjithatë, ai tha se ky model i zgjedhjes së kryeprokurorit, i cili u aplikuar për herë të parë, ka dobësi dhe paralajmëroi ndryshim të tij dhe rregulla dhe kritere më rigoroze.

“Ky është modeli i tretë, ku në shtetin tonë tentojmë të arrijmë te modeli i vërtetë ku do të përjashtohen ndikimet e jashtme në lidhje me zgjedhjen e njeriut të parë të Prokurorisë për Krim të Organizuar. Për herë të parë prokurorët publik e zgjedhin drejtpërdrejt njeriun e parë për krim të organizuar. Do të mund të komentoja se ajo që në të ardhmen mund të ndërmerret është se ai model nuk është i kompletuar dhe vlerësoj se nëse shtohen disa kritere shtesë në lidhje me zgjedhjen e prokurorit, do të arrinim rezultate më të mira dhe zgjedhje më objektive” – tha Nikolla Tupançevski, ministër i Drejtësisë.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Edhe kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, Biljana Ivanovska tha se është e pakënaqur nga kriteret sipas të cilave zgjidhet shefi i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe se do të punohet nga ana e këtij komisioni në drejtim të përmirësimit të tyre. Megjithatë, as ajo nuk ka komentuar rreth zgjedhjes së Abazit, duke thënë se, duhet t’i jepet kohë që të dëshmohet.

“T’i japim hapësirë personit në punën, megjithatë fotografia deri më tani nuk është e favorshme. Ai duhet të investojë shumë më shumë energji që të dëshmojë se me të vërtetë ka integritet dhe energji që të luftojë me korrupsionin dhe me lëndët” – deklaroi Biljana Ivanovska, kryetare e antikorrupsionit.

Kujtojmë se Islam Abazi u zgjodh shef i ri i prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, në një garë të ngushtë dhe me vetëm dy vota më shumë se Ermon Neziri, në zgjedhjet e drejtpërdrejta që u zhvilluan më 7 nëntor. Abazi vjen nga fshati Zajaz i Kërçovës, fshat ky që njihet në opinion si vendlindja e liderit të BDI-së  Ali Ahmeti. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, kanë qarkulluar edhe disa fotografi në media, ku Abazi shihet në prezentë të anëtarëve të BDI-së. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share