Aleksandar Vuçiq pas seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në të cilën u miratua Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, tha se i “ka mbaruar karrierën dhe se nuk do t’i falen shumë gjëra”.
“Kam mbyllur karrierën time këtu sonte. Shumë gjëra nuk do të më falin. Kjo ishte sikur gozhda në arkivolin tim. Unë bëra gjithçka, ata bënë gjithçka për të na poshtëruar dhe ne u ngjitëm në lartësi. Nuk mund të them se fituam sepse kjo është procedura, por është e qartë për të gjithë se cili është rezultati”, tha ai në një fjalim para gazetarëve në New York.
Presidenti i Serbisë tha se vlerësimet e supozuara të atyre që propozuan rezolutën ishin se më shumë se 110 vende do të votonin pro dhe se do të kishte rreth 45 abstenime, raporton nova.rs.
“Dhe ne ishim 107 (ata që votuan kundër dhe ata që abstenuan). Pra, 84 prej tyre kundrejt 107 prej atyre që nuk kanë dashur të pajtohen me propozimin e tyre dhe po flasim se si u arritën ato 84, sepse realisht 60 e ca do të kishin votuar për rezolutën, ata i bënë presion të tjerëve”, tha ai.
Vuçiq falënderoi të gjitha vendet që votuan kundër dhe abstenuan gjatë votimit “një falënderim i madh për vëllezërit hungarez, ata ishin të vetmit që ishin kundër. Por, faleminderit edhe Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros që abstenuan dhe treguan miqësi ndaj Serbisë”.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi sot një rezolutë për Srebrenicën, duke shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, e cila duhet të festohet çdo vit. Rezoluta u miratua me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.
Kujtojmë se 8372 persona janë vrarë vetëm gjatë disa ditëve të korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë. Numri i viktimave në Bosnje ka qenë shumë më i madh – mbi 100 mijë të vrarë.
Ndryshe, krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vitin 2007.