Vrasja e Hendbollistit kroat, gjykata shqipton 52 vite burg

PALA MBROJTËSE PARALAJMËROI ANKESË: DËNIMI ËSHTË DRAKONIK

Gjykata Themelore Penale Shkup ka shpallur fajtor Angjelo Gjorgjievskin, Klementina Levkovskën dhe Andrej Kostovskin për vrasjen e hendbollistit kroat, Denis Tot. Gjorgjievski dhe Levkovska u dënuan me nga 18 vite burg, ndërsa Kostovski me 16 vite. Dënimi është i shkallës së parë dhe, palët kanë të drejtë të dorëzojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.  Përpos kësaj, gjykata përcaktoi edhe dëmshpërblim për familjen e të ndjerit, edhe atë nga 9 milionë denarë për nënën dhe babain e tij dhe 8 milionë denarë për vëllain e tij.

“Dëshmi më e besueshme për gjykatën janë video incizimet e kamerave të “Privilege” dhe “Save city”. Shihen qartë të gjitha veprimet individuale dhe të përbashkëta të të akuzuarve. Është e pakontestueshme se kanë qenë të vetëdijshëm për pasojën që është shkaktuar. Rënia e Denis Totit, i cili ka qenë sportist dhe i fortë, flet qartë për fuqinë e goditjeve nga Angjelo. Goditjet kanë vazhduar, Klementina ka qenë më këmbëngulëse e cila edhe pse është larguar, ajo është kthyer dhe ka goditur jo kudo qoftë, por e ka goditur në kokë”– tha Elena Ilievska – Josifoviq, gjykatëse.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Prokurorja publike, Tanja Trajçevski, që përfaqëson akt akuzën, tha se faktet janë vlerësuar drejtë.

“Sot dëgjuam aktgjykimin, derisa nuk marrim formë të shkruar të aktgjykimit do të përmbahemi nga komentet në lidhje me të njëjtën. Dënimi është në korniza të dënimit të paraparë ligjor, kështu që, ai është vendim i gjykatës” – tha Tanja Trajçevski, prokurore Publike.

Ndërkaq, pala mbrojtëse paralajmëroi ankesë, pasi vlerëson se dënimi është shumë i lartë.

“Aktgjykimi është drakonik, dënimi është shumë i lartë. Mendoj se, një tragjedi nuk zgjidhet me një tragjedi tjetër. Kjo paraqet për ne padrejtësi të madhe. Nuk ka asnjë dyshim më të vogël se këtu ka paramendim te të akuzuarit, por ky është qëndrimi i gjykatës dhe për këtë jemi ne këtu, që ta kontestojmë dhe të dorëzojmë ankesë” – tha Ile Tanev, avokat i palës mbrojtëse.

Hendbollisti kroat, Denis Tot, ndërroi jetë më 8 prill të këtij viti, pasi një ditë më parë ishte rrahur nga tre të akuzuarit para një klub nate në Parkun e Qytetit në Shkup. Pas një zënke të shkurtër, tre të akuzuarit kanë goditur disa herë të ndjerin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, prej të cilave i dëmtuari fillimisht ka rënë në gjendje kome dhe ditën e ardhshme ka ndërruar jetë. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share