VMRO: Skandal për Klanin e Zajazit – Fondi për Inovacione i ka ndarë mijëra euro nipit të Ali Ahmetit

 

VMRO-DPMNE edhe sot ka akuzuar kreun e BDI-së dhe qeverinë, siç thonë nga opozita maqedonase, për skandalet e pafundme që lidhen me “klanin e Zajazit”, përcjell KlanM.

Sipas VMRO-së,  nipi i Ali Ahmetit, Drin Ahmetit ka marrë disa mijëra euro nga Fondi i Inovacionit, institucion i drejtuar nga Festim Halili i BDI-së.

“Përveç koncesionit për gurore, koncesion për një hidrocentral, një qendër tregtare pa shpenzuar asnjë qindarkë, nipi i Ali Ahmetit është provuar edhe si novator. Ai ka marrë 82 mijë euro nga fondi i inovacionit. Përkatësisht, më 10 maj 2022, dy kompanitë e Drin Ahmetit, ‘Tor Industries’dhe ‘Everest JD’ kanë marrë paratë e shtetit për bashkëfinancim të inovacioneve. Ndryshe, nga janari i vitit 2022, Fondi i Inovacionit udhëhiqet nga kuadër i BDI-së, Festim Halili, i cili sipas fotografive të publikuara në media, konsiderohet si mik i ngushtë i familjes së Drin Ahmetit”, thuhet në reagimin e VMRO-së.

Nga VMRO shprehen të habitur se si nga kaq shumë njerëz të rinj dhe novatorë në Maqedoni, kuadri i BDI-së i ka dhënë para pikërisht nipit të Ali Ahmetit, përcjell KlanM.

“Për këtë duhet të reagojnë institucionet kompetente. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi. Kovaçevski hesht dhe i shmang përgjigjet, sepse nuk guxon t’i bezdis shefat nga Zajazi dhe nga Reçica e Vogël”, thuhet më tej në reagim./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share